Deklarata e BE-së për Iranin tregon rolin e saj të zbehur si aktore e politikës së jashtme
Njëzet e shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian e lëshuan një deklaratë të përbashkët duke shprehur “shqetësimin më të thellë” lidhur me sulmin amerikano-izraelit ndaj Iranit gjatë fundjavës dhe reagimin e mëpasshëm ushtarak të Teheranit ndaj disa vendeve në rajon.
Deklarata, e publikuar më 1 mars, pasqyron ndikimin e kufizuar të BE-së në rajon dhe rolin e saj të zbehur si aktore në politikën e jashtme.
Kriza ka vënë në pah përçarjet e brendshme në BE.
Kriza, siç pritej, shkaktoi një valë takimesh në Bruksel, edhe pasi postimit fillestar të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në X, ku ajo njoftonte se do t’i mblidhte fillimisht ekspertët e sigurisë në komisionin e saj të hënën, u prit me tallje në internet, ku u tha se madje as lufta nuk i bën evropianët ta flijojnë kohën e tyre të lirë.
Më shumë rreth kësaj mund të lexoni në artikullin më poshtë:
Irani e mohon përgjegjësinë për sulmin me dronë në Oman
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit njoftoi më 3 mars se nuk ishte kryer asnjë sulm “kundër territorit dhe porteve të Omanit”.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Omanit, duke cituar burime të sigurisë, bëri të ditur se disa depozita në portin tregtar të Duqmit u shënjestruan nga disa dronë dhe se të paktën një prej tyre goditi një rezervuar karburanti.
Porti ishte shënjestruar edhe më herët nga një sulm me dronë më 1 mars.
Derisa Irani nuk e ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin e parë, ministri i Jashtëm Abbas Araqchi la të kuptohej se Teherani qëndronte pas tij në komente të bëra për Al Jazeera.
“Ajo që ndodhi në Oman nuk ishte zgjedhja jonë. Ne tashmë u kemi thënë forcave tona të armatosura të jenë të kujdesshme për shënjestrat që zgjedhin”, tha Araqchi, duke shtuar se Ushtria iraniane po vepronte sipas udhëzimeve të përgjithshme.
Osmani thotë se i dënon “veprimet e regjimit” iranian
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në X se i dënon “fuqishëm veprimet e regjimit iranian, të cilat përbëjnë një kërcënim të qartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.
Ajo tha se bisedoi me emirin e Katarit, sheik Tamim bin Hamad Al Thani, pas sulmeve të synuara të Iranit kundër Katarit.
“Kosova qëndron në solidaritet të palëkundur me Katarin dhe popullin e tij. Ne e mbështesim plotësisht të drejtën e Katarit për të mbrojtur sovranitetin e tij dhe riafirmojmë angazhimin tonë për stabilitet rajonal dhe paqe të qëndrueshme”, shkroi Osmani.
Ndërtesa e Asamblesë së Ekspertëve të Iranit në Qom goditet nga sulm ajror
Ndërtesa që strehon Asamblenë e Ekspertëve të Iranit, organi që do ta zgjedhë udhëheqësin e ardhshëm suprem të vendit, është dëmtuar rëndë nga sulmet ajrore.
Video të verifikuara nga mediat lokale dhe dëshmitarë që publikuan pamje në internet më 3 mars tregojnë se ndërtesa në qytetin e shenjtë të Komit është pothuajse plotësisht e shkatërruar.
Agjencia shtetërore e lajmeve IRIB raportoi se një zyrë e veçantë që i përket asamblesë në Teheran u godit më 2 mars. Agjencia njoftoi se në të dyja objektet kishte “evakuim paraprak” dhe se nuk pati viktima.
Axios citoi gjithashtu një zyrtar të paidentifikuar izraelit, i cili konfirmoi se Forcat Ajrore Izraelite kishin goditur ndërtesën në Kom, 150 kilometra në jug të Teheranit, “për të ndërprerë procesin e emërimit të një udhëheqësi të ri suprem”.