Edhe 10 minuta deri në nisjen e seancës
Edhe rreth 10 minuta kanë mbetur deri në nisjen e seancës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku do të shqiptohet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca nis në orën 10:00, ndërsa transmetimi publik në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara do të nisë 10 minuta më vonë.
Na ndiqni!
Konjufca: Presim aktgjykim lirues
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, tha nga Haga se pret aktgjykim lirues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
"Lufta jonë ishte një luftë e domosdoshme mbrojtëse. Kishte vetëm një qëllim - qëllimin e lirisë për popullin tonë dhe stopimin e gjenocidit që ishin duke e kryer në atë kohë forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë", tha Konjufca.
Self para verdiktit: Anshmëria politike të mos ketë vend në Hagë
Kongresisti amerikan, Keith Self, shprehu shqetësim për atë që ai e konsideron ndikim të anshmërisë politike në vendimmarrjen e institucioneve të drejtësisë në Hagë, pak para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Një temë e vazhdueshme që duket se po del nga Haga, është lejimi i anshmërisë politike që të ndikojë në vendimet e saj”, shkroi Self në X.
Ai shfaqi shpresën që, sipas tij, një anshmëri e tillë të mos shfaqet gjatë shpalljes së vendimit në rastin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Self, i cili kryeson Nënkomisionin për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, e lidhi çështjen edhe me situatën më të gjerë në rajon, duke e përshkruar Ballkanin si një “fuçi baruti”.
Sipas tij, në rajon ka regjime shtypëse që do të preferonin të nxisnin ndarje, në vend se të punonin drejt pajtimit.
Mbi 28 milionë euro për mbrojtjen e katër të akuzuarve
Kosova ka paguar rreth 28.47 milionë euro për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nga viti 2021 deri më 14 shtator 2026.
Në total, mbi 40.6 milionë euro janë paguar nga buxheti i Kosovës për personat e akuzuar para Dhomave të Specializuara. Prej tyre, rreth 39.8 milionë euro janë shpenzuar për mbrojtjen juridike.
Kosova e ka marrë përsipër me ligj mbështetjen financiare të personave të akuzuar para Speciales. Të dhënat e buxheteve tregojnë se për këtë qëllim janë ndarë mbi 60 milionë euro gjatë periudhës 2018–2026.
Nëse procesi vazhdon në apel, ligji parasheh mbështetje financiare edhe gjatë fazave të mëtejshme të procedurës.