Nis seanca për shpalljen e aktgjykimit
Në këto çaste, në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Për shkak të vonesës prej 10 minutash në transmetimin publik, pamjet nga salla e gjyqit pritet të bëhen të qasshme nga ora 10:10.
Qindra qytetarë në Prishtinë presin verdiktin
Qindra qytetarë janë mbledhur në qendër të Prishtinës për ta përcjellë drejtpërdrejt shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në sheshin “Skënderbeu” është vendosur një ekran i madh, ku të pranishmit do ta ndjekin transmetimin e seancës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Shumë prej tyre mbajnë flamuj dhe simbole të UÇK-së.
Edhe 10 minuta deri në nisjen e seancës
Edhe rreth 10 minuta kanë mbetur deri në nisjen e seancës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku do të shqiptohet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca nis në orën 10:00, ndërsa transmetimi publik në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara do të nisë 10 minuta më vonë.
Na ndiqni!
Konjufca: Presim aktgjykim lirues
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, tha nga Haga se pret aktgjykim lirues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
"Lufta jonë ishte një luftë e domosdoshme mbrojtëse. Kishte vetëm një qëllim - qëllimin e lirisë për popullin tonë dhe stopimin e gjenocidit që ishin duke e kryer në atë kohë forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë", tha Konjufca.