Smith përmbledh rrjedhën e gjykimit
Gjykatësi Charles Smith po bën një përmbledhje të shkurtër të rrjedhës së procesit gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Gjykimi në këtë rast nisi më 3 prill 2023 dhe, pas më shumë se tre vjetësh, ka mbërritur sot në fazën e shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë.
Charles Smith kryeson trupin gjykues
Trupi gjykues që po shqipton aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kryesohet nga gjykatësi Charles Smith.
Ai po lexon profilet që kishin katër të akuzuarit gjatë periudhës 1998/99 dhe pretendimet e Prokurorisë në lidhje me ta.
Nis transmetimi publik nga Haga
Ka nisur transmetimi publik nga salla e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë në sallë, ku po shqiptohet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj tyre.
Transmetimi po zhvillohet me 10 minuta vonesë.
Qytetarë mblidhen edhe në Skenderaj
Qytetarë janë mbledhur edhe në Skenderaj për ta përcjellë shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Përmes një ekrani të madh, të pranishmit po e ndjekin drejtpërdrejt transmetimin e seancës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.