Ndërlidhjet

Hagë, 16 shtator 2026.
Hagë, 16 shtator 2026.

Thaçi dhe Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim për krime lufte, Veseli me 18, Selimi me 13

  • Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
  • Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.
  • Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.
  • SHBA-ja dhe shtetet e tjera kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi.
11:12 16.9.2026

Trupi gjykues: Thaçi kishte dijeni për krimet

Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera kundër personave të konsideruar kundërshtarë.

Sipas gjykatësit Smith, pavarësisht kësaj dijenieje, Thaçi nuk ndërmori hapa për parandalimin apo ndëshkimin e krimeve.

Trupi gjykues konstatoi se, përkundrazi, ai mori pjesë personalisht në krime.

Smith tha gjithashtu se Thaçi përhapi ose ndihmoi në përhapjen e informacioneve të rreme për krimet, duke kontribuar në politikën e pandëshkueshmërisë.

11:08 16.9.2026

Trupi gjykues: Thaçi ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal

Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi dha një kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal.

Sipas gjykatësit Charles Smith, Thaçi ishte anëtar kyç në zbatimin e këtij qëllimi.

Ai dhe të akuzuarit e tjerë emëruan persona besnikë në pozita të ndryshme për të ruajtur kontrollin brenda UÇK-së gjatë gjithë periudhës përkatëse, shtoi Smith.

Sipas tij, shumë prej këtyre personave kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së tyre.

Hashim Thaçi.
Hashim Thaçi.
11:05 16.9.2026

Trupi gjykues: Të akuzuarit vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal

Trupi gjykues tha se përgjegjësia e katër të akuzuarve është individuale, por konstatoi se ata vepruan së bashku dhe arritën marrëveshje për një qëllim të përbashkët kriminal.

Sipas gjykatësit Smith, ata ngritën bashkërisht objekte ndalimi, u caktuan personave të tjerë role dhe pozita për realizimin e këtij qëllimi dhe lëshuan komunikata përmes të cilave përhapnin qëndrimet dhe politikat e tyre.

Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se të akuzuarit siguruan pandëshkueshmëri të plotë për kryesit e krimeve.

Trupi gjykues.
Trupi gjykues.
11:01 16.9.2026

Kush ishin personat e shënjestruar?

Sipas konstatimeve të trupit gjykues, në mesin e personave të shënjestruar ishin anëtarë dhe përfaqësues të forcave të tjera politike ose ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me LDK-në dhe FARK-un.

Në këtë grup përfshiheshin edhe persona të lidhur me autoritetet e Republikës Federale të Jugosllavisë, si dhe pjesëtarë të pakicave etnike, përfshirë serbë dhe romë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG