LDK-ja shpreh “shqetësim të thellë” për aktgjykimin, bën thirrje për qetësi
Lidhja Demokratike e Kosovës tha se e ka pritur me “shqetësim shumë të thellë” aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe përmasën e dënimeve të shqiptuara ndaj tyre.
Në reagimin pas aktgjykimit, LDK-ja bëri thirrje për qetësi, maturi dhe përgjegjësi, ndërsa kërkoi që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore për kundërshtimin e vendimit.
“Mbështesim pa rezervë kërkesën për shterimin e të gjitha kanaleve ankimore, përfshirë edhe ato të shkallës së dytë”, thuhet në reagim.
LDK-ja tha se asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë, sipas saj, “të vërtetën historike të luftës në Kosovë”, ndërsa theksoi se UÇK-ja mbetet pjesë e rëndësishme e historisë moderne të vendit.
Partia u bëri thirrje gjithashtu përfaqësuesve politikë që të shmangin retorikën që mund të nxisë tensione dhe forcave politike që të lënë mënjanë ndasitë.
“Ta ruajmë Kosovën, unitetin qytetar dhe miqësitë që i qëndruan pranë në rrugën drejt lirisë e pavarësisë”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Elshani: Situatë e qetë në veri, Policia e gatshme të reagojë në rast incidentesh
Situata në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës është e qetë dhe aktualisht nuk ka indikacione për rrezik të sigurisë, tha zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Për momentin nuk ka rrezik për sigurinë, por ne jemi këtu që të reagojmë nëse paraqitet”, u tha Elshani gazetarëve.
Ai tha se Policia ka përgatitur një plan operativ dhe nuk do të lejojë “provokime” nga asnjëra anë e urës mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut, me shumicë shqiptare, nga Mitrovica e Veriut, me shumicë serbe.
Elshani tha se Policia ka zhvilluar takime me KFOR-in, EULEX-in, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe institucione të tjera të sigurisë.
“Nuk ka indikacione se mund të ketë ndonjë rrezik për sigurinë”, tha ai.
Tensione pranë ish-ndërtesës së EULEX-it në Prishtinë
Disa protestues kanë tentuar të hyjnë me forcë në oborrin e ish-ndërtesës së Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në Prishtinë.
Në pamjet e publikuara nga mediat lokale, protestuesit shihen duke u përplasur me pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët i pengojnë të hyjnë në oborrin e EULEX-it.
Tensionet pasuan shpalljen e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, me të cilin katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me burgim për krime lufte.
Në pjesë të tjera të Prishtinës, situata raportohet të jetë e qetë.
Avokati paralajmëron apel: “Ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare"
Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e ka cilësuar aktgjykimin ndaj klientit të tij si një “tallje me drejtësinë” dhe ka paralajmëruar se mbrojtja do ta apelojë vendimin.
Prosper pretendoi se rezultati i procesit ishte i paracaktuar dhe akuzoi Dhomat e Specializuara se po “rishkruajnë historinë”, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të organizuar dhe duke ia atribuar, sipas tij, përgjegjësinë Thaçit.
“Kjo është një ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare dhe fundi i tribunaleve”, tha Prosper pas shpalljes së aktgjykimit.
Ai tha se ka biseduar me Thaçin dhe se do ta takojë sërish.
“Thaçi është i gatshëm të vazhdojë të luftojë për veten dhe për popullin e Kosovës”, tha Prosper.
Sipas tij, shpresa e mbrojtjes është që aktgjykimi të rrëzohet në apel, ndonëse paralajmëroi se procesi mund të zgjasë me vite.
Prosper bëri thirrje, gjithashtu, që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë raportin me Dhomat e Specializuara, duke thënë se Kosova duhet të marrë “një vendim sovran që është në interesin më të mirë të vendit”.
“Nëse do të isha deputet, që nga nesër do ta tërhiqja mbështetjen për këtë gjykatë”, tha Prosper.
Apelimin e aktgjykimit e paralajmëruan edhe avokatët e të dënuarve të tjerë.