Reagimet në Skenderaj pas shpalljes së aktgjykimit
Daçiq: Aktgjykimi "konfirmon" pretendimet e Serbisë për UÇK-në
Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit përbën, sipas tij, konfirmim të pretendimeve të Serbisë për UÇK-në.
Daçiq pretendoi se vendimi dëshmon se UÇK-ja ishte “organizatë kriminale dhe terroriste” dhe se udhëheqësit e saj të lartë politikë dhe ushtarakë ishin përgjegjës për krime gjatë luftës në Kosovë.
Dhomat e Specializuara, megjithatë, i gjykuan katër të akuzuarit mbi bazën e përgjegjësisë së tyre penale individuale.
Ata u shpallën fajtorë për krime lufte, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Daçiq kritikoi pikërisht rrëzimin e akuzave për krime kundër njerëzimit, duke e cilësuar atë si “manovër politike” dhe duke pretenduar se vendimi minimizon vuajtjet e viktimave serbe.
Ai tha se as dënimet e shqiptuara nuk janë të mjaftueshme për familjet e viktimave.
BE-ja bën thirrje për përmbajtje pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë dhe në rajon që të tregojnë përmbajtje pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Guillaume Mercier, tha se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të lejohen ta ushtrojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje.
“Drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrjedhën e saj - gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat. Autoritetet kanë përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe banorëve në mbarë Kosovën”, tha Mercier.
BE-ja tha se “merr shënim” aktgjykimin e shkallës së parë dhe vlerësoi se Dhomat e Specializuara po administrojnë drejtësi përmes procedurave “të drejta, të paanshme dhe të pavarura”, të bazuara në parimin e përgjegjësisë penale individuale.
Mercier rikujtoi se personat e dënuar kanë të drejtë ta apelojnë aktgjykimin para një paneli të veçantë të gjyqtarëve të Apelit.
BE-ja ritheksoi, gjithashtu, mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara, duke kujtuar se ato u krijuan me vendime të Kuvendit të Kosovës më 2014 dhe 2015 dhe funksionojnë brenda sistemit juridik të Kosovës.
Sipas BE-së, puna e tyre është e rëndësishme për përgjegjësinë penale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe për pajtimin.
“Është thelbësore të promovohet një mjedis pa frikë dhe hakmarrje dhe të mbrohen viktimat dhe dëshmitarët”, tha Mercier për REL-in.