Kroacia: Vendimi në Hagë nuk e ndryshon kontekstin e luftës
Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar ndaj vendimit dënues për krime lufte ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.
Në llogarinë zyrtare në X, MPJ e Kroacisë theksoi se nuk do që ta paragjykojë epilogun e vendimit që është marrë në shkallë të parë.
“Ky vendim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë apo faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda nga regjimi i Millosheviqit”, thuhet në reagim.
MPJ-ja kroate shtoi se përgjegjësia individuale e një personi “nuk mund të shërbejë si bazë për relativizimin e atyre krimeve apo për vënien në dyshim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.
Më poshtë mund të lexoni detaje të vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së:
Protestuesit hedhin gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë
Disa qytetarë kanë hedhur gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në qendër të Prishtinës.
Protestë e ngjashme u mbajt paraprakisht para selisë së EULEX-it, në zonën industriale, kur u hodhën gurë në drejtim të ndërtesës së Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit.
Protestat vijnë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i dënuan katër ish-krerët e UÇK-së për krime lufte, me dënime që shkojnë nga 13 deri në 25 vjet burgim.
Pas protestës para EULEX-it, qytetarët mblidhen në qendër të Prishtinës
Pas shpalljes së aktgjykimit, dhjetëra qytetarë protestuan para selisë së EULEX-it, në zonën industriale. Disa prej tyre hodhën gurë në drejtim të ndërtesës.
Tani, dhjetëra qytetarë po protestojnë në qendër të Prishtinës, përfshirë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Më poshtë ju sjellim pamje nga protesta para selisë së EULEX-it:
Asnjë vendim lirues nga Specialja
Përveç dënimit të Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimi, deri më tani Gjykata Speciale në Hagë ka marrë edhe vendime të tjera për akuza për krime lufte dhe për pengim të drejtësisë.
Aktakuza e parë në këtë gjykatë u konfirmua në vitin 2020, ndërsa asnjëri nga gjykimet e deritanishme nuk kanë qenë lirues për të akuzuarit.
Kjo është lista e aktgjykimeve të kësaj gjykate që nga nisja e punës së saj:
- Më 14 dhjetor 2023, Salih Mustafa, ish-eprori i UÇK-së, u dënua me 22 vjet burgim për krime lufte.
- Më 14 korrik 2025, Pjetër Shala, ish pjesëtar i UÇK-së, u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte.
- Më 2 shkurt 2023, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati nga Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare, u dënuan me nga katër vjet e tre muaj burgim për pengim të drejtësisë.
- Më 4 shkurt 2025, Haxhi Shala u dënua me tre vjet burgim, ndërkaq Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me nga dy vjet për pengim të drejtësisë.