Ndërlidhjet

Hagë, 16 shtator 2026.
Hagë, 16 shtator 2026.

Thaçi dhe Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim për krime lufte, Veseli me 18, Selimi me 13

E përditësuar
  • Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
  • Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.
  • Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.
  • SHBA-ja dhe shtetet e tjera kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi.
10:39

Specialja: Nuk kishte krime kundër njerëzimit nga udhëheqësit e UÇK-së

Gjykata Speciale ka konstatuar se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër udhëheqësit e UÇK-së.

“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

10:46

Trupi gjykues: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave

Trupi gjykues ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë se ishte kryer krimi i luftës i arrestimit të paligjshëm ndaj së paku 385 personave.

Gjykatësi Charles Smith po vazhdon të paraqesë konstatimet e trupit gjykues për krimet e pretenduara në aktakuzë.

10:49

Trupi gjykues: Të ndaluarit u rrahën dhe iu shkaktuan vuajtje psikologjike

Trupi gjykues konstatoi se shumë të ndaluar ishin rrahur deri në atë masë sa nuk ishin në gjendje të qëndronin në këmbë, ndërsa disa kishin humbur jetën si pasojë e rrahjeve nga pjesëtarë të UÇK-së.

Sipas gjykatësit Smith, të ndaluarve u ishin shkaktuar gjithashtu vuajtje psikologjike.

10:51

Trupi gjykues përshkruan keqtrajtimin dhe pasojat afatgjata

Trupi gjykues konstatoi se disa të ndaluarve u ishin shkulur thonjtë dhe u ishin thyer gjymtyrët gjatë keqtrajtimit.

Sipas gjykatësit Smith, disa prej tyre vazhdojnë të kenë dhimbje ose nuk janë në gjendje të ecin edhe sot.

Shumë dëshmitarë, tha Smith, kanë treguar për pasoja afatgjata të keqtrajtimit, përfshirë depresionin dhe problemet me gjumin.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG