Ndërlidhjet

Hagë, 16 shtator 2026.
Hagë, 16 shtator 2026.

Thaçi dhe Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim për krime lufte, Veseli me 18, Selimi me 13

  • Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
  • Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.
  • Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.
  • SHBA-ja dhe shtetet e tjera kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi.
16:05 16.9.2026

Protestuesit hedhin gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë

Disa qytetarë kanë hedhur gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në qendër të Prishtinës.

Protestë e ngjashme u mbajt paraprakisht para selisë së EULEX-it, në zonën industriale, kur u hodhën gurë në drejtim të ndërtesës së Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit.

Protestat vijnë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i dënuan katër ish-krerët e UÇK-së për krime lufte, me dënime që shkojnë nga 13 deri në 25 vjet burgim.

16:25 16.9.2026

Kroacia: Vendimi në Hagë nuk e ndryshon kontekstin e luftës

Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar ndaj vendimit dënues për krime lufte ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

Në llogarinë zyrtare në X, MPJ e Kroacisë theksoi se nuk do që ta paragjykojë epilogun e vendimit që është marrë në shkallë të parë.

“Ky vendim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë apo faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda nga regjimi i Millosheviqit”, thuhet në reagim.

MPJ-ja kroate shtoi se përgjegjësia individuale e një personi “nuk mund të shërbejë si bazë për relativizimin e atyre krimeve apo për vënien në dyshim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

Më poshtë mund të lexoni detaje të vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së:


16:29 16.9.2026

Fondi dhe REKOM: Faktet për krimet nuk mund të mohohen, Serbia duhet t’i ndjekë penalisht komandantët e lartë

Tre organizata për të drejtat e njeriut – Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në Serbi, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) dhe Rrjeti i Pajtimit REKOM – thanë se aktgjykimi i shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka vërtetuar fakte që nuk mund të mohohen për shkak të narrativës mbizotëruese në Kosovë mbi luftën çlirimtare të UÇK-së.

Në një deklaratë të përbashkët, organizatat thanë se aktgjykimi dokumenton vende ndalimi, tortura, vrasje dhe zhdukje të serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës – përfshirë anëtarë të LDK-së, persona pa angazhim politik, si dhe pjesëtarë e përkrahës të UÇK-së.

Ato theksuan se etiketimi i viktimave si “kolaboracionistë” nuk mund të justifikojë rrëmbimin, torturimin apo vrasjen e tyre. Njëkohësisht, organizatat e cilësuan të arsyeshëm pakënaqësinë në Kosovë për mungesën pothuajse të plotë të ndjekjes penale në Serbi të oficerëve të lartë të Ushtrisë Jugosllave dhe policisë serbe për krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës.

16:54 16.9.2026

Gashi: Pavarësisht vendimit, katërshja e UÇK-së mbeten çlirimtarë të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, tha se katërshja e UÇK-së, pavarësisht vendimit dënues, “mbeten çlirimtarë të Kosovës”.

“Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë, ndërsa beteja për drejtësi vazhdon”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Gashi bëri thirrje për qetësi, teksa theksoi se Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi “i përkasin një kapitulli të lavdishëm të historisë së Kosovës”, duke shtuar se asnjë vendim gjykate nuk mund ta mohojë këtë.

“Për popullin shqiptar, ata janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës. Lufta e UÇK-së, sakrifica dhe vetëmohimi i atyre që e udhëhoqën dhe ishin pjesë e saj janë vetë rruga që çoi në lirinë e Kosovës dhe në një epokë të re paqeje e stabiliteti në rajon”, shkroi ai.

Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG