Çfarë mund të ndodhë sot?
Në fund të ditës, fati i dy proceseve mund të varet nga njëri-tjetri.
Nëse Kuvendi arrin ta zgjedhë presidentin, legjislatura vazhdon mandatin dhe ndryshimet për Specialen mund ta vazhdojnë procedurën parlamentare.
Nëse presidenti nuk zgjidhet deri në skadimin e afatit kushtetues, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova hyn në një cikël të ri zgjedhor.
Kjo është arsyeja pse 6 tetori është, praktikisht, edhe mundësia e fundit që kjo përbërje e Kuvendit ta miratojë në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ende nuk dihet nëse dhe kur do të mblidhet Kuvendi
Për momentin, nuk është paralajmëruar asnjë mbledhje e komisioneve parlamentare dhe as ndonjë seancë e Kuvendit të Kosovës.
Kjo në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri dhe kur mbetet i papërfunduar edhe shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Megjithatë, gjatë ditës mund të ketë thirrje për seancë të jashtëzakonshme.
Qorolli: Ta votojmë presidentin dhe projektligjin për Specialen
Kryetari i Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, Vigan Qorrolli, nga Lëvizja Vetëvendosje, bëri thirrje që të martën të votohet si presidenti i ri, ashtu edhe projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Sot nuk është dita për ta çuar shtetin në prapakthim: e votojmë presidentin dhe e votojmë projektligjin për Specialen, sepse të dyja janë pjesë e të njëjtit detyrim - t’i japim vendit institucione funksionale dhe vendimmarrje”, shkroi Qorrolli në Facebook.
Ai paralajmëroi për pasojat e dështimit për ta zgjedhur presidentin, që do të çonte në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje të parakohshme.
“Shkuarja në zgjedhje e lëndon Hagën dhe Republikën tonë”, tha Qorrolli, duke kritikuar mundësinë që partitë të mos arrijnë marrëveshje.
Kuvendi mund të shpërndahet, por kush i shpall zgjedhjet?
Nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin sot, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Por, kush do t’i shpallë ato?
Mandati gjashtëmujor i Albulena Haxhiut si ushtruese e detyrës së presidentit ka përfunduar, ndërsa Kushtetuta nuk e thotë qartë se kush i ushtron kompetencat presidenciale pas këtij afati.
Një paqartësi kushtetuese pikërisht në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit.
Për më shumë, materiali në vazhdim: