Ndërlidhjet

Justina Shiroka Pula.
Justina Shiroka Pula.

Justina Shiroka Pula zgjidhet presidente e Kosovës

E përditësuar
  • Justina Shiroka Pula u zgjodh presidente e Kosovës.
  • Paraprakisht, Kuvendi miratoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
  • Seanca e jashtëzakonshme nisi pasi PDK-ja pranoi propozimin e LVV-së që Justina Shiroka Pula të ishte kandidate për presidente. Votimi përfundoi pas skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
10:14

Ministria e Arsimit: Mësimi zhvillohet normalisht, njoftimi për ndërprerjen është i rremë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës njoftoi se procesi mësimor zhvillohet normalisht më 6 tetor, duke përgënjeshtruar një njoftim që po qarkullon në rrjetet sociale se mësimi është ndërprerë.

Sipas Ministrisë, nuk është marrë asnjë vendim për ndërprerjen e mësimit dhe nxënësit e mësimdhënësit duhet t’i përmbahen orarit të rregullt.

“Njoftimi që po qarkullon në rrjetet sociale, ku pretendohet se më 6 tetor 2026 nuk do të zhvillohet procesi mësimor, është i rremë dhe nuk është publikuar nga Ministria”, thuhet në reagim.

Ministria tha se në materialin që po qarkullon, janë përdorur pa autorizim emri dhe logoja e institucionit, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një njoftim zyrtar.

Kjo vjen një ditë pasi protesta në Prishtinë për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Prishtinë, 5 tetor 2026.
Prishtinë, 5 tetor 2026.

Gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e protestuesve, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa pati të lënduar nga të dyja palët.

Protestuesit paralajmëruan se do të mblidhen sërish më 6 tetor në Prishtinë.

09:54

Çitaku i bën thirrje Kurtit të shkojë në Kuvend për votimin e ligjit

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të shkojë në Kuvend për të votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Albin, eja në Kuvend. Eja dhe ta votojmë ligjin”, shkroi Çitaku në Facebook.

Ajo i bëri thirrje Kurtit që të mos nxisë tensione dhe e akuzoi atë se po e urdhëron Policinë të përdorë dhunë ndaj protestuesve.

Çitaku nuk ofroi dëshmi për pretendimin se Kurti ka urdhëruar Policinë të veprojë ndaj protestuesve.

Vlora Çitaku
Vlora Çitaku

“Sot nuk na duhen përplasje. Nuk na duhen tensione. Nuk na duhet dhunë. Na duhet përgjegjësi. Na duhet qetësi. Na duhet guxim politik”, shkroi ajo.

Çitaku tha se Kurti e ka për detyrë të jetë në Kuvend, t’i dëgjojë qytetarët dhe të votojë, duke e lidhur miratimin e ndryshimeve ligjore me, siç tha ajo, mbrojtjen e UÇK-së dhe të personave që luftuan në radhët e saj.


09:27

Çfarë mund të ndodhë sot?

Në fund të ditës, fati i dy proceseve mund të varet nga njëri-tjetri.

Nëse Kuvendi arrin ta zgjedhë presidentin, legjislatura vazhdon mandatin dhe ndryshimet për Specialen mund ta vazhdojnë procedurën parlamentare.

Nëse presidenti nuk zgjidhet deri në skadimin e afatit kushtetues, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova hyn në një cikël të ri zgjedhor.

Kjo është arsyeja pse 6 tetori është, praktikisht, edhe mundësia e fundit që kjo përbërje e Kuvendit ta miratojë në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

09:00

Ende nuk dihet nëse dhe kur do të mblidhet Kuvendi

Për momentin, nuk është paralajmëruar asnjë mbledhje e komisioneve parlamentare dhe as ndonjë seancë e Kuvendit të Kosovës.

Kjo në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri dhe kur mbetet i papërfunduar edhe shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Megjithatë, gjatë ditës mund të ketë thirrje për seancë të jashtëzakonshme.

Seanca e Kuvendit të Kosovës më 5 tetor, 2026.
Seanca e Kuvendit të Kosovës më 5 tetor, 2026.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG