Bedri Hamza pas pak në konferencë për media
Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, pritet të dalë pas pak në konferencë për media pas ofertës së dytë që kryeministri Albin Kurti i bëri për votim të ligjit për Gjykatë Speciale nëse kjo parti garanton votën për president.
Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë deputeti i kësaj partie Mërgim Lushtaku.
“Shumë shpejt del kryetari i partisë dhe jep sqarimin për këtë çështje”, tha Lushtaku.
Kurti me ofertë të re për PDK-në
Kryeministri Albin Kurti i ka bërë ofertë të re Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në mbrëmjen e 6 tetorit.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka thënë se partia e tij do t’i kalojë në lexim të dytë ndryshimet e propozuara nga PDK-ja në ligjin për Gjykatën Speciale qysh sonte, nëse ajo ia voton partisë në pushtet Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin për president të ri të Kosovës.
Kurti ka shprehur gatishmërinë që LVV-ja ta votojë ligjin për Specialen, para se të procedohet me votimin për presidentin e ri të Kosovës.
“Pra, ne ua votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht e mandej sonte menjëherë votimi për president, Glauku ose Feridja”, tha Kurti.
Ai tha se, nëse PDK pranon, partia e tij do ta thërrasë seancën e Kuvendin me dy pika: votimi i projektligjit për Gjykatën Speciale në lexim të dytë dhe zgjedhja e presidentit të ri të republikës.
Radio Evropa e Lirë po bën përpjekje për ta kontaktuar PDK-në për koment.
Në prill, Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti ishin kandidatët për president nga partia në pushtet, por Kuvendi nuk arriti ta zgjedhë ndonjërin pasi opozita braktisi sallën.
Pas dështimit të procesit të zgjedhjes së presidentit, Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme më 7 qershor.
Sa për t’jua kujtuar, nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për president të jetë i vlefshëm.
Oferta e dytë e Kurtit vjen kur kanë mbetur më pak se katër orë deri në përfundim të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.
Paraprakisht, PDK-ja ia hodhi poshtë një oferët Kurtit për votimin e Bekim Sejdiut për president fillimisht, para kalimit të ndryshimeve në ligjin në fjalë.
KPM u bën thirrje mediave për raportim të përgjegjshëm dhe profesional
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) u ka bërë thirrje mediave në vend për raportim të përgjegjshëm dhe profesional në një kohë kur në vend po zhvillohen protesta dhe kur situata publike është veçanërisht e ndjeshme.
KPM-ja, e cila është organ i pavarur përgjegjës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Kosovë, tha në një komunikatë në Facebook se në raportimin e tyre, mediat duhet të udhëhiqen nga parimet e saktësisë, paanshmërisë, profesionalizmit, verifikimit të fakteve dhe përgjegjësisë ndaj publikut.
“Në situata të tilla, roli i medias është veçanërisht i rëndësishëm. Publiku ka nevojë për informacion të saktë, të verifikuar dhe të kontekstualizuar, e jo për raportime që mund të shkaktojnë konfuzion, tensione të panevojshme apo polarizim të mëtejshëm të shoqërisë”, thuhet në njoftim.
Kurti pritet të mbajë konferencë së shpejti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta mbajë një konferencë të re për media në orën 19:45, njoftoi zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka.
Kjo do të jetë konferenca e dytë për media e Kurtit sot, dhe vjen vetëm rreth katër orë para se të mbarojë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin deri në mesnatë, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.