Ndërlidhjet

Justina Shiroka Pula.
Justina Shiroka Pula.

Justina Shiroka Pula zgjidhet presidente e Kosovës

  • Justina Shiroka Pula u zgjodh presidente e Kosovës.
  • Paraprakisht, Kuvendi miratoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
  • Seanca e jashtëzakonshme nisi pasi PDK-ja pranoi propozimin e LVV-së që Justina Shiroka Pula të ishte kandidate për presidente. Votimi përfundoi pas skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
17:00 6.10.2026

Murati lë të kuptohet se Sejdiu s’është kthyer në garën për president

Hekruan Murati, deputeti i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, ka lënë të kuptohet se juristi dhe diplomati Bekim Sejdiu, nuk është rikthyer në garën për president të Kosovës.

Në një reagim në Facebook ndaj raportimeve të mediave se Sejdiu ka rikonfirmuar tërheqjen nga gara, Murati tha se “lë të thotë Bedri Hamza PO, dhe sigurisht që me Prof. Bekim Sejdiun mund të shkojnë e flasin Kurti e Abdixhiku për ta bindur që të mos shkojë vendi në zgjedhje të reja”.

Sejdiu ishte kandidat i një marrëveshjeje mes Vetëvendosjes së kryeministrit Albin Kurti dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe u tërhoq muajin e kaluar, pasi gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtuan garimin e tij.

Hekuran Murati.
Hekuran Murati.

Sipas raportimeve në mediat vendase, Sejdiu ka thënë se nuk është rikthyer në garë.

Radio Evropa e Lirë po bën përpjekje për ta kontaktuar Sejdiun për koment.

Kurti tha të martën se, nëse PDK-ja zotohet se jep të paktën gjysmën e votave për zgjedhjen e Sejdiut, partia e tij do t’ia kalojë ndryshimet e propozuara në ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Kurti kishte thënë edhe ditë më parë se Sejdiu vazhdonte të mbetej kandidat për president.

17:08 6.10.2026

Hamza i përgjigjet Kurtit: Qëndrimi i PDK-së nuk ndryshon

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se partia e tij vazhdon të mbajë qëndrim të njëjtë se së pari duhet të kalojnë edhe në lexim të dytë ndryshimet e propozuara në ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Duke folur në një konferencë për media pas ofertës së Kurtit për votimin e Bekim Sejdiut për president fillimisht, para kalimit të ndryshimeve në ligjin në fjalë, Hamza tha se kërkesa e tyre nuk mund të lidhet me zgjedhjen e presidentit të ri.

“Për ne, radha e gjërave është e qartë. Kemi thënë: së pari ligji në dy leximet”, tha Hamza.

Bedri Hamza.
Bedri Hamza.

Ai e ka cilësuar ofertën e Kurtit si “detyrim”.

“Nuk ishte ofertë, por një lloj detyrimi. Pa marrëveshje, pa bisedime, ‘ejani votojeni këtë kandidat, ky është kandidati, m’i sillni votat’”, tha Hamza kur u pyet për ofertën.

Ai tha se “për shkak të projektit politik të Vetëvendosjes vendi po shkon në zgjedhje”.

“Do të jetë kosto për qytetarët e Kosovës dhe Kosovën. E keqja është se kanë bërë veprime të qëllimshme dhe planifikuara, pa dashur rezultat. Nuk kanë pasur qëllim t’i kalojnë ndryshimet në ligj në dy lexime”, theksoi Hamza.

17:32 6.10.2026

Hamza: Kurti nuk ka marrëveshje me PDK-në për presidentin

Hamza iu përgjigj më pyetjeve lidhur me kërkesën e Kurtit për zgjedhjen e Bekim Sejdiut president të ri të Kosovës.

Ai tha se, megjithëse nuk ka “vërejtje” për Sejdiun, kandidatura e tij vjen nga një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

“Nuk është marrëveshje me PDK-në, është marrëveshje me një subjekt tjetër politik”, tha Hamza.

Ai e kritikoi Kurtin se dëshiron të shkaktojë “hutim” me ofertat e tij.

“Dhe i patë lajmet, që veç është hajt të flasim, të shesim mjegull. As nuk kam vërejtje personale, e as politike në raport me Sejdiun. Po, është marrëveshje jashtë tavoline me PDK-në. Nëse keni marrëveshje me LDK-në, bëjeni”, shtoi ai.

17:44 6.10.2026

Haradinaj: Kurti po e çon vendin në zgjedhje

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, e ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti se gjoja ai po e dërgon vendin përsëri në zgjedhje duke mos arritur marrëveshje për ligjin për Gjykatën Speciale dhe presidentin.

“Kjo është herë e katërt që po e çon vendin në zgjedhje i njëjti person, i njëjti vendimmarrës”, tha Haradinaj për Kurtin.

Ramush Haradinaj.
Ramush Haradinaj.

Në një konferencë për media, Haradinaj tha se është “shumë e pandershme” që të lihet në gjysmë miratimi i ligjit në një moment kritik “për mbrojtjen” e ish-krerëve të UÇK-së.

“Kurti e kurthoi edhe ligjin edhe vendin...i dha një goditje të rëndë ligjit për Dhomat e Specializuara”, tha Haradinaj.

Ai e akuzoi edhe më tutje kryeministrin duke thënë se po punon “ta zhbëjë Kosovën”, por, sipas tij, “ai nuk do t’ia arrijë, pasi Kosova është më e madhe se sa ky keqbërës patologjik”.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG