Komisioni për Legjislacion nis procedurat për ligjin
Deputetët janë mbledhur në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Komisioni për Legjislacion është duke kryer procedurat për t’i hapur rrugë votimit në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Projektligji ishte miratuar në lexim të parë më 5 tetor, por votimi përfundimtar kishte mbetur pezull mes mospajtimeve politike.
Si zgjidhet presidenti i Kosovës?
Presidenti zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë. Për t’u kandiduar, nevojiten nënshkrimet e së paku 30 deputetëve.
Në dy raundet e para, kandidatit i duhen të paktën 80 vota. Nëse askush nuk i siguron, në raundin e tretë garojnë dy kandidatët me më së shumti vota nga raundi i dytë. Në këtë raund, për t’u zgjedhur nevojiten të paktën 61 vota.
Nëse as në raundin e tretë nuk zgjidhet presidenti, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Presidenti e fillon mandatin pasi jep betimin para Kuvendit. Mandati zgjat pesë vjet, me mundësi rizgjedhjeje vetëm edhe një herë.
Nis seanca
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, me pikë të parë të rendit të ditës votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Komisioni për Legjislacion i ka rekomanduar Kuvendit miratimin e projektligjit në lexim të dytë.
Miratohen në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Specialen
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Pas votimit të amendamenteve, projektligji mori 88 vota për.
Me këtë votim, Kuvendi përmbylli shqyrtimin e projektligjit, i cili ishte miratuar në lexim të parë më 5 tetor.