Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitorojnë procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) e ka kundërshtuar vendimin e presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ajo iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për sqarim lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas DnV-së, ky veprim i Osmanit “vonon kompletimin e institucionit në një moment kur funksionaliteti i tij është thelbësor për integritetin e proceseve zgjedhore”.
Një ditë më parë, Presidenca tha se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë për anëtarë të KQZ-së seç parashihet në Kushtetutë dhe Osmani do t’i emërojë ata sapo “të marrë përgjigje” nga Kushtetuesja.
DnV-ja në reagimin e saj tha se mënyra e përbërjes së KQZ-së është e përcaktuar qartë në kuadrin kushtetues dhe ligjor përmes modelit të përfaqësimit.
“Ky model nuk lidhet drejtpërdrejtë me rezultatin zgjedhor apo peshën politike të subjekteve në kuptim të numrave, por me parimin e balancës ndërmjet grupeve parlamentare që kanë të drejtë propozimi. Si i tillë, ai zbatohet në mënyrë të njëjtë edhe në rrethanat aktuale politike, pa u riformuluar në bazë të rezultateve apo konfigurimeve tjera”, u tha në reagim.
Më herët gjatë ditës, presidentja Osmani tha për mediat se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar tre anëtarë dhe janë emëruar vetëm dy, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës – subjekti më i madh opozitar – ka kërkuar dy dhe është emëruar vetëm një, duke argumentuar se partitë kanë kërkuar më shumë anëtarë sesa parasheh Kushtetuta.
“Dhe, meqenëse kjo çështje deri tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar që ta sqarojë atë. Mirëpo, ky rast është mbi një është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore, jo mbi të njëjtën që është ngritur në rastet e mëparshme, qoftë nga ish-presidenti [Hashim] Thaçi, qoftë nga ana ime. Se kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin president në fakt. Dhe shpresoj që më në fund gjykatat ta sqarojnë. Momentin që sqarohet, vijohet me emërimet”, u shpreh Osmani.
DnV tha se edhe në vendimimin e mëparshëm të Kushtetueses, pas zgjedhjeve të vitit 2021, përbërja e KQZ-së është bazuar mbi modelin strikt të përfaqësimit, duke “kufizuar përfaqësimin e subjektit më të madh në dy anëtarë, pavarësisht rezultatit zgjedhor”.
“Në këtë kontekst, trajtimi i kësaj çështjeje si dilemë kushtetuese dhe referimi i saj në Gjykatën Kushtetuese nuk kontribuon në qartësi shtesë, por prodhon vonesa në një proces që kërkon vendimmarrje të drejtpërdrejtë. Mosplotësimi i përbërjes së plotë të KQZ-së cenon konfigurimin e saj kushtetues prej 11 anëtarëve, duke ndikuar njëkohësisht në funksionimin dhe vendimmarrjen e saj”, tha DnV-ja.
Më 2021, LVV-ja kishte fituar mbi 50 për qind të votave, dhe ky subjekt kishte të drejtë të propozonte vetëm dy anëtarë në KQZ.
DnV-ja bëri thirrje që emërimi i anëtarit të mbetur të KQZ-së të përmbyllet pa vonesa, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në mënyrë që “të ruhet funksionaliteti dhe besueshmëria e këtij institucioni”.
Si emërohen anëtarët e KQZ-së?
KQZ-ja është një organ i përhershëm i pavarur dhe është përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë. KQZ-ja ka kryetarin dhe dhjetë anëtarë të tjerë.
Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin serb, dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë.
Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.
Derisa LVV i ka propozuar tre, partia kryesore opozitare, nga PDK i kanë thënë REL-it se i kanë propozuar dy kandidatë, ndërsa partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tregoi se e ka propozuar një kandidat.
Presidentja Osmani u kishte kërkuar partive parlamentare më 9 mars t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së.
Ato kishin kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së saj, duke i dhënë presidentes pesë ditë kohë për t’i emëruar apo jo të propozuarit.
Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.
Rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit u certifikuan më 9 shkurt.