Trump e fillon fjalimin në Davos
Presidenti amerikan, Donald Trump, po mban fjalim tani para liderëve botërorë në forumin e Davosit në Zvicër.
Ai e nisi fjalimin me Amerikën, me saktë, me ekonominë amerikane, duke e lavdëruar atë.
"Ekonomia po lulëzon", tha ai.
Starmer: Britania nuk do të dorëzohet para trysnisë së Trumpit për Grenlandën
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka thënë se nuk do t’i nënshtrohet presidentit amerikan, Donald Trumpit, dhe se do të vazhdojë ta kundërshtojë përvetësimin e Grenlandës nga Shtetet e Bashkuara.
Starmer ka synuar të mbajë marrëdhënie të ngushta me Trumpin për t’i ruajtur lidhjet tregtare dhe të sigurisë, por në disa nga kritikat e tij më të ashpra ndaj liderit amerikan, ai tha se nuk do të frikësohet për ta ndryshuar qëndrimin e tij se e ardhmja e Grenlandës duhet të vendoset nga populli i saj dhe nga Danimarka.
“Nuk do të zbythem, Britania nuk do të zbythet, nga parimet dhe vlerat tona për të ardhmen e Grenlandës nën kërcënimin e tarifave, dhe ky është qëndrimi im i qartë”, u tha Starmer ligjvënësve, duke shtuar se kryeministrja daneze do të vizitojë Londrën të enjten.
Trump arrin në Davos
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka arritur në Davos, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik.
Aeroplani presidencial amerikan ateroi pak pas mesditës në aeroportin e Cyrihut dhe që atje, Trump u nis drejt Davosit.
Trump ishte paraparë që të arrinte më herët në Zvicër, por për shkak të një problemi elektrik iu desh të kthehej në SHBA pak pas nisjes dhe të ndërronte aeroplan.
Shefi i NATO-s: Prioriteti i SHBA-së dhe BE-së duhet të jetë Ukraina
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha më 21 janar, pak orë para fjalimit të udhëheqësit amerikan në Davos, tha se aleatët e aleancës ushtarake perëndimore nuk duhet të lejojnë që tensionet për Grenlandën t’i shpërqendrojnë ata nga nevoja për të mbrojtur Ukrainën.
“Përqendrimi në Ukrainë duhet të jetë prioriteti ynë kryesor, është thelbësor për sigurinë evropiane dhe të SHBA-së”, tha ai gjatë një paneli në Davos.
Rutte po ashtu foli për një deklaratë të bërë nga Trumpi se aleatët evropianë nuk do të ndihmonin në mbrojtjen e SHBA-së nëse një gjë e tillë do t’iu kërkohej.
“Ai mbrëmë tha se ka dyshime nëse evropianët do ta ndihmonin nëse Neni 5 do të aktivizohej. I them presidentit Trump se po, ata do ta ndihmojnë”, tha Rutte.
“Nuk kam asnjë dyshim që SHBA-ja do të na dalë në ndihmë, dhe ne do t’i dalim në ndihmë asaj”, shtoi ai.
Shefi i NATO-s tha po ashtu se po punon “në prapaskenë” që mospajtimet për Grenlandën të zgjidhen përmes diplomacisë.
Ai është i vetmi udhëheqës që deri tani ka konfirmuar se do të takohet me Trumpit gjatë qëndrimit në Davos.
Për më shumë, lexoni lajmin: