Ndërlidhjet

Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë fjalimit në Davos.
Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë fjalimit në Davos.

Trump: S’do të ketë tarifa, kemi pajtueshmëri për kornizën e marrëveshjes për Grenlandën

  • Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 21 janar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se nuk do të vendosë tarifa, pasi është arritur pajtueshmëri për kornizën e marrëveshjes për Grenlandën.
  • Paraprakisht, gjatë fjalimit para udhëheqësve botërorë në Davos, ai kishte thënë se donte bisedime të menjëhershme për ta blerë Grenlandën.
  • Trump kishte përjashtuar përdorimin e forcës, duke theksuar: “Ndoshta s’do të marrim asgjë, përveç nëse vendos të përdor forcë dhe fuqi të tepruar, por nuk do ta bëj këtë”.
  • SHBA-ja thotë se dëshiron ta ketë kontrollin mbi territorin autonom të Danimarkës, për arsye të sigurisë kombëtare.
  • Ministri danez, Lars Lokke Rasmussen, tha se është shenjë "pozitive" që Trump e përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për Grenlandën.
15:52 21.1.2026

Trump e përfundon fjalimin

Trump sapo e mbaroi fjalimin e tij që zgjati rreth një orë.

Ai tani do t’iu përgjigjet pyetjeve në forum.

16:24 21.1.2026

Trump: Jemi afër një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Duke iu përgjigjur pyetjeve Trump thotë se “jemi afër” një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ai tregon se do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, më vonë gjatë ditës.

“Besoj se jemi në një pikë ku ata mund të bashkohen dhe ta bëjnë marrëveshjen. Dhe, nëse nuk e bëjnë, janë budallenj”, thekson Trump, duke iu referuar liderëve të Rusisë dhe Ukrainës.

Presidenti amerikan, Donald Trump, duke iu përgjigjur pyetjeve në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Presidenti amerikan, Donald Trump, duke iu përgjigjur pyetjeve në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
16:53 21.1.2026

Çfarë tha Trumpi në fjalimin e tij?

Për ju që sapo na jeni bashkuar: Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e mbajti një fjalim të gjatë para udhëheqësve botërorë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Trump iu tha atyre se nuk e ka ndër mend ta përdorë forcën për Grenlandën, por gjithashtu dha një sërë arsyesh se pse Shtetet e Bashkuara duhet ta zotërojnë këtë ishullin gjysmautonom të Danimarkës.

Ai tha se po kërkon “bisedime të menjëhershme” për ta blerë Grenlandën nga Danimarka.

“Janë vetëm Shtetet e Bashkuara ato që mund ta mbrojnë këtë copë gjigante akulli”.

Por, duke e quajtur këtë si deklaratën e tij më të madhe, Trump tha se nuk do ta përdorte forcën.

“Nuk kam nevojë të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë”.

Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë fjalimit në Davos.
Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë fjalimit në Davos.

Ai i hodhi poshtë pretendimet se duke e përvetësuar Grenlandën do ta dëmtonte NATO-n, duke shtuar:
“Ne japim aq shumë dhe marrim shumë pak në këmbim”.

Trump theksoi se SHBA-ja do të jetë 100% përkrah NATO-s, por nuk është i sigurt nëse aleatët do t’ia kthejnë favorin.

Në fillim të fjalimit të tij, Trump e kritikoi Evropën se “nuk po shkon në drejtimin e duhur”, për shkak të “rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve qeveritare, migrimit masiv të pakontrolluar dhe importeve të pafundme të huaja”.

Duke thënë se Evropa po pranon “popullsi krejtësisht të ndryshme nga toka të largëta”, Trump shtoi:
“Disa vende në Evropë, sinqerisht, nuk mund t’i njohësh më”.

Ndërkohë, lidhur me Ukrainën, Trump tha se “jemi afër një marrëveshjeje”.

“Po merrem me presidentin Putin dhe besoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. Po merrem me presidentin Zelensky dhe mendoj se edhe ai dëshiron të bëjë një marrëveshje”.

“Besoj se jemi në një pikë ku ata mund të bashkohen dhe ta bëjnë marrëveshjen. Dhe, nëse nuk e bëjnë, janë budallenj”.

Ai tregoi se do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Davos.

Trump foli gjithashtu edhe për ekonominë amerikane, duke thënë se ajo po “lulëzon”.

SHBA-ja po përjeton një “mrekulli ekonomike” nën presidencën e tij, pretendoi Trump, duke thënë se inflacioni ka rënë, me rritje ekonomike që “ndoshta asnjë vend nuk e ka përjetuar ndonjëherë më parë”.

18:29 21.1.2026

Ministri danez: Është pozitive që Trump e përjashtoi përdorimin e forcës për Grenlandën

Ministri i jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, tha se është shenjë “pozitive” që Donald Trump dëshiron ta shmangte përdorimin e forcës ushtarake në Grenlandë.

Por, ai theksoi se presidenti amerikan nuk ka hequr dorë nga kërcënimi për të marrë këtë ishull në Arktik.

“Çfarë është mjaft e qartë pas këtij fjalimi është se synimi i presidentit mbetet i pandryshuar”, tha Rasmussen për gazetarët në Kopenhagë, duke iu referuar fjalimit të Trumpit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

“Natyrisht, është pozitive në mënyrë të veçantë që presidenti tha këtë për ushtrinë, por kjo nuk e zgjidh problemin”, shtoi ai.

Rasmussen e përsëriti se Grenlanda nuk është në shitje.

“Nuk do të negociojmë kurrë duke hequr dorë nga parimet themelore. Ne po jetojmë në vitin 2026, në një rend ndërkombëtar të bazuar në ligj, sovranitet shtetëror dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje. Një rend që vetë Shtetet e Bashkuara ndihmuan të ndërtohej pas Luftës së Dytë Botërore”, tha ministri.

Lars Lokke Rasmussen.
Lars Lokke Rasmussen.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG