Ndërlidhjet

Trump shpreh mbështetje për protestuesit iranianë

E përditësuar

Presidenti amerikan, Donald Trump. Fotografi nga arkivi.
Presidenti amerikan, Donald Trump. Fotografi nga arkivi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur mbështetje për protestuesit që po përballen me shtypje brutale nga forcat e sigurisë në Iran, pesë ditë pasi nisën protestat për shkak të gjendjes ekonomike dhe që rezultuan me disa vdekje dhe dhjetëra të arrestuar.

Protestat nisën në Teheran më 28 dhjetor, për shkak të kolapsimit të kursit të këmbimit të monedhës kombëtare kundrejt dollarit amerikan dhe inflacioni arriti në 52 për qind. Protestat më pas u përhapën në disa rajone të tjera.

Mediat e kontrolluara nga shteti dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut raportuan më 1 janar për të paktën shtatë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në përleshjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, megjithëse agjencitë e lajmeve të lidhura me Qeverinë fajësuan për dhunën ata që i quajtën “nxitës” të dhunës.

“Vdekje diktatorit”: Protesta e iranianëve në Teheran pas përkeqësimit të gjendjes ekonomike “Vdekje diktatorit”: Protesta e iranianëve në Teheran pas përkeqësimit të gjendjes ekonomike
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:00 0:00

Autoritetet iraniane ende nuk kanë konfirmuar këto raportime dhe Radio Farda e Radios Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.

“Nëse Irani qëllon dhe vranë dhunshëm protestuesit paqësorë, siç e ka zakon, Shtetet e Bashkuara do t’i ndihmojnë”, shkroi Trump në Truth Social më 2 janar.

“Ne jemi të gatshëm për të vepruar”, shtoi ai.

"Blofi i Iranit"

“Trump duhet ta dijë se ndërhyrja amerikane në çështje të brendshme do të nënkuptonte destabilizim të gjithë rajonit dhe shkatërrim të interesave të Amerikës”, shkroi në X, Ali Larijani, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit.

“Populli amerikan duhet ta dijë, Trump e nisi këtë aventurë. Ata duhet të mendojnë për sigurinë e ushtarëve të tyre”, shtoi ai.

Komentet e tij u pasuan nga një postim i Ali Shamkhani, këshilltar i lartë i liderit Suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, i cili shkroi se “iranianët e njohin mirë ‘historinë’ e shpëtimit të SHBA-së, nga Iraku dhe Afganistani deri në Gaza. Çdo dorë që ndërhyn… do të gjymtohet”.

Saeed Bashirtash, një aktivist iranian në mërgim, i tha Radios Farda se kërcënimet e tilla për reagim janë më shumë blof.

“Populli iranian e mirëpret paralajmërimin e Trumpit, sepse do të ndihet më pak i kërcënuar kur të dalë në rrugë. Është shumë pozitive; Republika Islamike do të jetë shumë e kujdesshme për të mos vrarë njerëz”, u shpreh ai.

Retorika e ashpër vjen vetëm gjashtë muaj pas një lufte 12-ditore në qershor të vitit 2025, kur avionët izraelitë dhe amerikanë sulmuan objektet bërthamore dhe ushtarake iraniane.

Kjo pason deklaratat e Trumpit, i cili mirëpriti kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida më 29 dhjetor, duke sugjeruar se do të mbështeste sulme të reja izraelite ndaj programit raketor të Iranit.

Në komentet dërguara Radios Farda po më 2 janar, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se “protestat pasqyrojnë zemërimin e kuptueshëm të popullit iranian ndaj dështimeve dhe justifikimeve të Qeverisë së tij”.

Në përgjigje thuhet se regjimi iranian “vazhdon të shpërdorojë pasurinë e Iranit për të sponsorizuar terrorizmin në mbarë botën dhe për të shtypur popullin iranian, i cili dëshiron dhe meriton një jetë më të mirë”.

“Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presion maksimal mbi regjimin”, tha DASH-i.

Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, që shumë e konsiderojnë si relativisht të moderuar, është përpjekur të ulë tensionet, duke thënë se njihen “kërkesat legjitime” të iranianëve, teksa i bëri thirrje Qeverisë që të ndërmarrë veprime për të lehtësuar problemet ekonomike.

“Nga perspektiva islame… nëse nuk e zgjidhim çështjen e jetesës së njerëzve, do të përfundojmë në ferr”, tha Pezeshkian në televizionin shtetëror.

Megjithatë, forcat e sigurisë të linjës së ashpër u zotuan se do të kishin një qëndrim “të fortë” ndaj protestuesve që “shfrytëzojnë” situatën për të shkaktuar kaos.

Zemërim në varrime

Në mes të revoltës, në internet kanë qarkulluar video më 2 janar që duket se shfaqin funeralet e para të njerëzve të vrarë gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë.

Një prej videove të tilla shfaq një vend në shkretëtirë, që i përngjan terrenit të Kuhdashtit, në provincën Lorestan. Aty shihen revolta dhe përleshje, që thuhet se lidhen me përpjekjet e pjesëmarrësve në këto varrime për të larguar forcat e sigurisë.

Një video tjetër shfaqi atë që u tha se ishte një varrim në Marvdasht, në provincën Fars, ku turmat brohorisnin: : “Do ta vras atë që ma vrau vëllain” dhe “Vdekje Khameneit”.

Agjencia e lajmeve Fars, e afërt me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit raportoi për protesta në qytetin Lordegan në jugperëndim, duke thënë se kishin ndodhur përleshje me forcat e sigurisë. Agjencia citonte “një burim të informuar” që tha se “dy persona kishin humbur jetën”.

Grupi me seli në Norvegji për të drejtat e njeriut, Hengaw gjithashtu raportoi për të vdekur në Lordegan, duke thënë se forcat e sigurisë kishin hapur zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë dy dhe plagosur disa të tjerë. Grupi gjithashtu tha se një protestues u vra në provincën Isfahan më 31 dhjetor.

“Protesta u zhvilluan në disa zona të Lordeganit, përfshirë Sheshin e Komunës dhe përpara ndërtesës së Qeverisë. Demonstratat u përballën me shtypje të dhunshme, përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës dhe armëve të zjarrit të vërtetë nga forcat e rendit”, tha grupi.

Fars më pas raportoi edhe për tre të vrarë dhe 17 të plagosur në përleshjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në Azna, qytet në provincën perëndimore të Lorestanit. Në këto raportime të pakonfirmuara thuhet se protestuesit sulmuan një stacion policor.

Garda Revolucionare, ndërkaq, tha më 1 janar se një nga anëtarët e saj të njësitit Basij, që përbëhet nga paramilitarë vullnetarë, u vra një ditë më parë në Kuhdasht, që gjendet po ashtu në Lorestan.

Agjencia e lajmeve Tasnim njoftoi se të paktën 30 persona janë arrestuar në kryeqytet, Teheran, për “pritje të rendit publik”. Arrestime po ashtu janë raportuar edhe në zona të tjera, përfshirë në Malard dhe në provincat Alborz, Lorestan dhe Çaharmahal dhe Bakhtiari.

Në Malard, agjencia Fars citoi zëvendësguvernatorin duke thënë: “Hetimet tregojnë se një numër i të arrestuarve kishte ardhur në Malard nga qytetet fqinje, të cilat tani janë nën kontrollin e agjencive të sigurisë”.

Protestat duket se janë sfida më serioze për Qeverinë teokratike të Iranit që nga i protestave “Gratë, Jeta, Liria” pas vdekjes së studentes iraniano-kurde 22-vjeçares, Mahsa Amini, në shtator të vitit 2022, ndërsa ishte në paraburgim nga policia për shkelje të kodit të veshjes.

Më parë, Pezeshkian u kishte bërë thirrje qytetarëve të tregojnë solidaritet në vend që të bashkohen me protestat. Ai gjithashtu premtoi se Qeveria do të merrte “vendime të reja” që do të përmirësonin situatën ekonomike.

Megjithatë, këto thirrje bën pak për të qetësuar iranianët e zemëruar, të cilët janë përballur me një inflacion mbi 50 për qind dhe me valutën, rial, vlera e të cilit po bie.

“Protestat e fundit shfaqin një realitet të qartë: shumë iranianë kanë vendosur se duhet t’i jepet fund establishmentit aktual – me çdo kusht dhe sa më shpejt që të jetë e mundur – para se vendi që ata duan të shkatërrohet edhe më shumë”, tha për Radion Farda më 1 janar Shirin Ebadi, e cila u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në 2003 për përpjekjet e saj për të sjellë demokracinë dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Iran.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG