Ndërlidhjet

Dorëheqja e të dërguarit të OKB-së vë në pah ndarjet mes ndërkombëtarëve mbi të ardhmen e Bosnjës

E përditësuar
Christian Schmidt.
Christian Schmidt.

Dorëheqja e përfaqësuesit të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Bosnje e Hercegovinën, Christian Schmidt, ka nxjerrë në sipërface përçarje të thella midis aktorëve kryesorë ndërkombëtarë lidhur me të ardhmen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Bosnjës, mbi tri dekada pas përfundimit të luftës së viteve 1990.

Roli i Schmidtit u krijua si pjesë e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund konfliktit trevjeçar gjatë të cilit humbën jetën dhjetëra mijëra njerëz.

Ky rol përfshin autoritetin për të imponuar ligje dhe për të shkarkuar zyrtarë.

Schmidt konfirmoi më 11 maj se do të japë dorëheqje pas pothuajse pesë vjetësh në detyrë, duke përmendur “arsye personale”.

Megjithatë, vendimi i tij vjen në një kohë presionesh politike në rritje dhe ka rihapur debatin mbi mënyrën se si mund të sigurohen paqja dhe stabiliteti në Bosnje.

Një ushtar rumun i EUFOR-it (Forcat e Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë) qëndron roje në Sarajevë, në prill 2025.
Një ushtar rumun i EUFOR-it (Forcat e Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë) qëndron roje në Sarajevë, në prill 2025.

Toby Vogel, analist në Këshillin për Politikat e Demokratizimit (DPC) me seli në Bruksel, tha se kjo pasqyron pasigurinë në rritje mbi qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj vendit.

“Kjo është shumë më tepër sesa një çështje e thjeshtë personeli. Tregon se nuk ekziston një strategji e unifikuar midis Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit për Zbatimin e Paqes”, tha Vogel për Shërbimin e Ballkanik të Radios Evropa e Lirë.

Ai po i referohej një organi të aktorëve kryesorë ndërkombëtarë që mbikëqyrin strukturën e pasluftës në Bosnje, ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Britania, Bashkimi Evropian, Turqia dhe Japonia.

“Një mandat më i kufizuar”

Debati mbi të ardhmen e mbikëqyrjes ndërkombëtare në Bosnje u intensifikua gjatë një seance të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 12 maj, ku fuqitë e mëdha paraqitën vizione të ndryshme për të ardhmen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR).

Zëvendësambasadorja amerikane Tammy Bruce tha se OHR-ja “nuk ishte menduar kurrë të ishte e përhershme” dhe se suksesi i saj duhet të matet duke lënë pas një mandat më të kufizuar.

“Përfaqësuesi i ardhshëm i lartë duhet ta fillojë bartjen e përgjegjësive tek udhëheqësit vendas”, tha Bruce.

Më 14 maj, një zyrtar i Departamentit të Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi i Schmidtit “vjen në momentin e duhur, ndërsa bashkësia ndërkombëtare po punon së bashku për të hapur një faqe të re dhe për të ulur tensionet në Bosnje”.

Britania dhe Franca mbështetën vazhdimin e rolit të OHR-së, ndërsa përfaqësuesi britanik James Kariuki argumentoi se ndërhyrja ndërkombëtare mbetet thelbësore kur institucionet demokratike sulmohen.

Në fjalimin e tij të fundit para Këshillit të Sigurimit, Schmidt paralajmëroi se institucionet shtetërore të Bosnjës po përballen me pengesa të qëllimshme.

Ai po largohet pas vitesh tensionesh politike në Bosnje, përfshirë sfidat e përsëritura ndaj legjitimitetit të tij nga autoritetet e entitetit me shumicë serbe, Republika Sërpska.

Lideri veteran serb i Bosnjës, Millorad Dodik, karriera politike e të cilit është karakterizuar nga përplasje të vazhdueshme me OHR-në, e mirëpriti dorëheqjen dhe përsëriti thirrjet për mbylljen e kësaj zyre.

Edhe Rusia ka kërkuar mbylljen e saj.

Mbështetja evropiane

Ministri i Jashtëm i Bosnjës, Elmedin Konakoviq, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të mbështesë aktivisht OHR-në dhe të përfshihet në procesin e emërimit të pasardhësit të Schmidtit, duke paralajmëruar se tensionet e tanishme gjeopolitike dhe zgjedhjet parlamentare të Bosnjës në tetor e bëjnë veçanërisht të rëndësishëm unitetin ndërkombëtar.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i BE-së riafirmoi mbështetjen për OHR-në.

“Çdo kandidat për këtë zyrë duhet të jetë në gjendje të mbështesë stabilitetin, funksionalitetin dhe rrugën evropiane të Bosnjës”, tha zëdhënësi.

Sidoqoftë, debati mbi të ardhmen e këtij roli nuk duket të jetë thjesht një zgjedhje midis mbylljes apo ruajtjes së tij.

Vedran Dzihiq, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Vjenës, tha për Radion Evropa e Lirë se çështjet tjera përfshijnë “nëse kompetencat e OHR-së duhet të ruhen, të zvogëlohen apo të transferohen gradualisht tek institucionet vendore”.

Ndërkohë, Vogel tha se roli i OHR-së nuk duhet të paraqitet si pengesë për politikanët boshnjakë që të marrin përgjegjësi.

“Përfaqësuesi i lartë nuk e qeveris Bosnjën. Ai ndërhyn kur ekziston një kërcënim ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe”, tha ai. “Për sa kohë ekziston Dejtoni, nevojitet përfaqësuesi i lartë. Ai është pjesë integrale e strukturës së Dejtonit”.

Schmidt tha se do të mbetet në detyrë derisa të emërohet një pasardhës. Por, kurdo që të ndodhë kjo, përfaqësuesi i ri i lartë mund të ketë një përshkrim tjetër të detyrës krahasuar me paraardhësit e mëparshëm.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG