Ndërlidhjet

Shërbime të mangëta shëndetësore për të rinjtë që abuzojnë me narkotikë


QKUK

Bazuar në të dhënat e prezantuara nga organizatat joqeveritare që merren me monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, në Kosovë konsiderohet se janë rreth 25 mijë përdorues të substancave narkotike.

Për kah mosha, thuhet se përdorues të narkotikëve ka edhe fëmijë 12 vjeç, ndonëse në raste të rralla, kurse numri më i madh i tyre u takon moshave nga 16 deri në 18 -vjeçare.

Shërbimet shëndetësore që u ofrohen personave që abuzojnë me substanca narkotike, thuhet se janë të mangëta.

Sipas Klevis Vaqarit, nga Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, është nevojë urgjente për të sponsorizuar shërbime qoftë nga shteti apo edhe nga sektori joqeveritar për këto kategori.

“Mungesa e shërbimeve është evidente. I vetmi mjedis ku trajtohen këta fëmijë, është klinika psikiatrike e që është një pavijon për të rritur ku trajton varësinë nga drogat, ku trajtohen edhe fëmijët”, thotëVaqari për Radion Evropa e Lirë.

“Pastaj ngritja e kapaciteteve të profesionistëve është shumë e nevojshme, pasi është evidentuar që mjekët as llojet e drogave nuk i njohin të gjitha, e lëre më qasjen e fëmijëve se si të trajtojnë abuzuesit. Pra, ka nevojë për trajnime të vazhdueshme dhe të jenë të informuar për çdo substancë narkotike të re në treg, në mënyrë që të dinë se si të qasen dhe t'i trajtojnë fëmijët’’, shton ai.

Por, ndryshe mendon Samire Gashi, neuropsikiatre, e cila ofron shërbime në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën neuropsikiatrike. Ajo thotë se gjithë fëmijët dhe të rriturit që kërkojnë ndihmë mjekësore e që përdorin substanca narkotike, trajtohen sipas protokolleve. Ajo thotë se përpos ndihmës, fëmijëve iu ofrohen edhe këshilla psikologjike.

“Stafi në klinikë është shumë i përgatitur profesionalisht për t’u marrë me këto raste. Mund të them se të gjitha llojet e drogave i njohin dhe e dinë se si duhet të merren me abuzuesit. Normalisht që kemi nevojë për trajnime pasi që në treg çdo herë ka lloje të drogave të reja. Dhe, sigurisht se trajnimet janë të mirëseardhura, por stafi tash për tash janë të informuar dhe i përgatitur mirë, si dhe punojnë në mënyrë të përkushtuar", thotë Gashi.

Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, qendër kjo që merret me rehabilitimin e personave që abuzojnë me substanca narkotike, thotë se shërbimet shëndetësore për fëmijët që kërkojnë ndihmë, e që përdorin substanca narkotike janë të mangëta. Ai potencon faktin se sidomos në spitalet rajonale, nuk ofrohen shërbime psikologjike, që, sipas tij, janë shumë të nevojshme për fëmijët.

“Shërbimet shëndetësore te fëmijët që përdorin substance narkotike janë të mangëta, si për nga cilësia, po ashtu edhe për nga shtrirja gjeografike. Spitalet regjionale mund të marrin shërbime si konsulenca psikiatrike, por mungojnë këshillime psikologjike. Në Klinikën psikiatrike në QKUK mund t’i marrin të dyja”, thotë ai.

Blakaj thotë senë shumë qendra profesionale shëndetësore, është i mangët niveli i ngritjes profesionale të stafit, duke theksuar se profesionistët shëndetësorë nuk dëshirojnë të punojnë me të rinjtë që kanë probleme me përdorimin e substancave narkotike. Sipas tij, në përgjithësi mungon qasja e mirëfilltë për trajtimin e fëmijëve.

Në qendrën rehabilituese ‘’Labirint’’ brenda këtij vitikanë kërkuar ndihmë 52 persona të rinj, nën moshën 18 vjeç.

Derisa sipas autoriteteve të rendit, përkatësisht Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotikë, në funksion të zbatimit të strategjive për luftimin e krimit të organizuar, e posaçërisht realizimin e objektivave të saj në luftën kundër trafikimit me narkotikë, është ndërmarrë një numër i operacioneve policore në nivel vendi, organizatat joqeveritare konsiderojnë se qasja deri te shitësit e drogave nuk është shumë e vështirë, gjë që është shqetësuese.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG