Ndërlidhjet

Rasti Breonna Taylor: Dy policë plagosen në protestat në Kentaki


Dy policë të plagosur gjatë protestës për Breonna Taylor
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:45 0:00

Dy policë të plagosur gjatë protestës për Breonna Taylor

Dy policë u qëlluan dhe u plagosën në Lluivill të Kentakit në SHBA, gjatë protestave kundër një vendimi, për të mos akuzuar tre policë të bardhë, në lidhje me vrasjen e një gruaje afrikano-amerikane.

Të dy oficerët e policisë janë në gjendje stabile dhe plagët e tyre nuk janë kërcënuese për jetën, tha Robert Schroeder, shef i përkohshëm i Departamentit të Policisë Metropolitane në Lluivill.

Schroeder tha se një i dyshuar është arrestuar, por nuk dha detaje të tjera.

Të mërkurën, një juri gjyqësore akuzoi një nga tre policët në Lluivill, por jo drejtpërdrejt për vrasjen e Breonna Taylorit, gjatë një bastisjeje në shtëpinë e saj, në muajin mars.

Juria vendosi që dy nga policët të mos ndiqen penalisht, sepse, siç u tha, përdorimi i forcës gjatë bastisjes ka qenë i justifikuar. Oficeri i tretë u akuzua për rrezikimin e fqinjëve të Taylorit.

Taylor, 26 vjeçe, punonjëse spitali, është vrarë, pasi tre policët kanë hyrë me forcë në shtëpinë e saj, me një urdhër kërkimi për tregti me drogë.

Policia e ka qëlluar Taylorin përpara të dashurit të saj, i cili ka qëlluar në drejtim të policisë, kur ajo ka hyrë në apartament me atë që njihet si urdhër “pa trokitje”.

Se si ose nëse oficerët e kanë identifikuar veten gjatë thyerjes së apartamentit, mbetet e diskutueshme.

Vdekja e Taylorit dhe e disa afrikano-amerikanëve të tjerë në duart e policisë kanë qenë në qendër të protestave tash e sa muaj në SHBA, që bëjnë thirrje për reformë policore dhe drejtësi racore.

Protesta kundër vendimit në rastin Taylor po ashtu u mbajtën edhe në qytete të tjera të SHBA-së, përfshirë Nju Jorkun, Uashingtonin, Atlantën dhe Çikagon.

Çështja e reformës policore është bërë temë kryesore edhe në fushatën për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në SHBA.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe kandidati demokrat për president, Joe Biden.
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe kandidati demokrat për president, Joe Biden.

Pas vendimit të jurisë në Lluivill, kandidati demokrat për president, Joe Biden, bëri thirrje për reformimin e praktikave policore, duke adresuar përdorimin e forcës së tepruar dhe duke rregulluar urdhrat “pa trokitje”.

Presidenti Donald Trump tha se po lutet për dy oficerët e policisë, që u plagosën.

"Qeveria federale qëndron pas jush dhe është e gatshme të ndihmojë", tha Trump në një postim në Twitter.

Ai shtoi se ka folur me guvernatorin e Kentakit, Andy Beshaear, dhe tha se është i gatshëm të "punonte së bashku" me të, sipas kërkesës.

Përpara vendimit të jurisë, kryebashkiaku i Lluivillit, Greg Fischer, shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe orë policore për 72 orë.

Protestuesit filluan të mblidheshin menjëherë pasi u njoftua vendimi i jurisë dhe qëndruan në rrugë, duke sfiduar orën policore.

Protesta ka qenë kryesisht paqësore, derisa kanë rënë disa të shtëna me armë gjatë një përleshjeje midis protestuesve dhe policisë.

Oficeri i akuzuar në rastin Taylor, Brett Hankison, përballet me tri akuza për rrezikm të të tjerëve. Krimi bart një dënim maksimal deri në pesë vjet burgim.

Prokurori i përgjithshëm i Kentakit, Daniel Cameron, tha se plumbat që ka shkrepur Hankison gati se nuk kanë qëlluar njerëz të tjerë në një aparatament ngjitur me atë të Taylorit.

Cameron tha se juria ka vendosur të mos ngrejë akuza për vrasje kundër oficerëve, sepse ata justifikohen në kthimin e zjarrit, meqë janë qëlluar fillimisht nga i dashuri i Taylorit.

Në muajin maj, Lluivilli e ka ndaluar policinë nga përdorimi i urdhrave “pa trokitje”, që u lejojnë oficerëve të futen me forcë në një pronë, pa paralajmërim.

Në muajin qershor, Departamenti i Policisë në Lluivill e ka pushuar Hankisonin nga puna.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG