Ndërlidhjet

Ekipet mobile për vaksinim nuk arrijnë aty ku duhet


Një qytetare duke u vaksinuar kundër koronavirusit në sallën "1 Tetori". Prishtinë, 13 prill, 2021.
Një qytetare duke u vaksinuar kundër koronavirusit në sallën "1 Tetori". Prishtinë, 13 prill, 2021.

Liridon Hoti e ka të pamundur ta dërgojë nënën në qendrën e imunizimit kundër koronavirusit. Nëna e tij nuk mund të lëvizë dhe rrjedhimisht nuk mund të shkojë deri te qendra e imunizimit.

“Ajo ka një dëmtim të trurit që nga viti 2008 dhe bën pjesë në kategorinë e personave me aftësi të kufizuar, paraplegjik dhe tetraplegjik. Kjo sëmundje i ka pamundësuar lëvizjen e përhershme dhe e ka të pamundur të shkojë deri aty ku jepet vaksina”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë personat të cilët si shkak i sëmundjes apo dëmtimit, kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme apo të sipërme.

Qytetarët kanë kërkuar ndihmë për vaksinim të të moshuarve që nuk mund të shkojnë në qendrat e vaksinimit edhe përmes rrjeteve sociale.

Në një llogari në Facebook, në emër të grupit "Hajvalia", fshat ky afër Prishtinës, një grup qyetarësh kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të krijojë ekipe mobile të vaksinimit për disa persona mbi 80 vjeç, të cilët nuk po kanë mundësi që të shkojnë për vaksinim në qendrën “1 Tetori” apo në qendrat e mjekësisë familjare.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Qëndresë Ukën, administratoren e kësaj faqeje. Ajo i ka thënë REL-it se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga autoritetet në lidhje me vaksinimin e këtyre personave.

“Sipas informatave të vet banorëve, janë edhe disa familje në kushte jo të mira ekonomike, të cilat jo vetëm që nuk kanë ditur të aplikojnë, por e kanë të pamundur edhe të shkojnë të vaksinohen. Besojmë, e njëjta situatë është nëpër shumë qytete e fshatra. Uroj që të hartohet një plan, përmes së cilit do të identifikoheshin këta persona, në veçanti ata të cilët jetojnë vetëm, dhe të vaksinohen”, thotë Uka.

Si të regjistroheni për të marrë vaksinën kundër COVID-19?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Autoritet shëndetësore ende nuk e konfirmojnë se si do të bëhet vaksinimi i personave që nuk mund të lëvizin deri te qendrat e imunizimit. Nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur me krijimin e ekipeve mobile për qytetarët që e kanë të pamundur lëvizjen.

Autoritetet shëndetësore më 14 prill patën shfrytëzuar ekipet mobile për vaksinimin e të moshuarve që janë nëpër shtëpi të kujdesit dhe të punëtorëve socialë, të cilët kujdesen për ta.

Familjarët pa përgjigje rreth ekipeve mobile të vaksinimit

Në Kosovë, aktualisht imunizimi kundër sëmundjes COVID-19 është duke u bërë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, si dhe në qendrat e mjekësisë familjare në disa komuna.

Liridoni thotë se janë interesuar të marrin ndonjë informacion nga autoritetet shëndetësorë se si do të bëhet vaksinimi i këtyre personave, por që u është thënë se do të informohen me kohë.

“Ne mbesim me shpresë se organet kompetente shtetërore që po e menaxhojnë situatën, që këtë kategori ta kenë parasysh që ta vaksinojnë sa më shpejtë që është e mundur me ekipe mobile, sepse çdo vonesë e vaksinimit do të jetë fatale, duke pasur parasysh që kjo kategori çdo ditë ballafaqohet me vdekjen dhe me dhimbjen”, thotë Liridon Hoti.

Në familjen Hoti jetojnë shtatë anëtarë të familjes dhe nëna e tyre rrezikohet nga infektimi, pasi që shumica e familjes punon dhe ka rrezik që virusin ta bartin në shtëpi, aty ku qëndron nëna e tyre e shtrirë që nga viti 2008.

“Ne punojmë dhe ne kemi kontakte me më së paku dhjetë persona në ditë dhe ajo është shumë e rrezikuar që të infektohet nga ne, dhe për këtë vaksinimi është shumë i nevojshëm”, thotë ai.

Edhe drejtuesi i shoqatës Handikos, Afrim Maliqi thotë për Radion Evropa e Lirë, pohon se ekipet mobile janë të domosdoshme...

“Në momentin që personat me aftësi të kufizuara fillojnë të vaksinohen, do t’i kisha inkurajuar familjarët që të gjejnë formë që t'i drejtojnë kta persona deri te vendi ku jepen vaksinat. Arsyeja është që personi të dalë dhe të shohë ambientin dhe të mos jetë vetëm brenda. Por, në rastet kur është e pamundur, atëherë duhet të krijohen ekipet mobile, ashtu siç ekziston kjo praktikë edhe në vendet perëndimore”, thotë Maliqi.

Ai thotë se nuk kanë një numër të saktë se sa persona me aftësi të kufizuara nuk mund të shkojnë deri te qendrat e vaksinimit, por që ka të tillë. Për këtë, Maliqi shton se do të diskutojnë me Ministrinë e Shëndetësisë për të parë se si do të organizohet ky vaksinim.

Në Kosovë deri më datën 21 prill, në nivel vendi janë vaksinuar rreth 20 mijë persona ka bërë të ditur koordinatori për vaksinim në sallën '1 Tetori' në Prishtinë, Niman Bardhi.

Në këtë numër përfshihen punonjësit shëndetësorë, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG