Ndërlidhjet

“Qyteti dhe Dashuria”, libri që pasqyron Kosovën e viteve të 90-ta


Eliza Hoxha.

“Qyteti dhe Dashuria” është libri i autores Eliza Hoxha që pasqyron Kosovën e viteve të 90-ta. Në libër përfshihet pjesëmarrja e artistes Hoxha si kuratore e pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut vitin e kaluar. Me disa anë të antenave satelitore, tepihut dhe pasqyrave, kuratorja dhe artistja Eliza Hoxha në bashkëpunim me ekipin, kanë përmbledhur një pamje të Kosovës së asaj kohe.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Eliza Hoxha tha se pjesëmarrja e saj në këtë ngjarje të madhe ishte nderë, e sidomos pasi kjo mundësi i është besuar asaj nga institucionet e vendit, në mënyrë që ajo dhe ekipi i saj të përfaqësojnë kulturën kosovare në arenën ndërkombëtare.

“Nëse flas në kuptim emocional, e para ka qenë nderë. Dhe besimin që ta jep komplet institucioni do të thotë që përfaqëson kulturën në nivelin ndërkombëtar, që ta besojnë një përfaqësim të tillë, të nivelit çfarë është Bienalja e Arkitekturës në Venedik. E dyta, për shembull ndalesh dhe mendon, ke lexuar për arkitektë dhe për pjesëmarrjen e tyre në Bienale, ke qenë vet në Bienale, normalisht këto kanë ndodhë të gjitha pas luftës,sepse para luftës nuk kemi pasur qasje, por ndoshta me krejt dëshirën dhe ëndrrën që e ke pasur brenda nuk ke mundur që kurrë ta thuash me zë, sepse nuk ke mundur që të besosh se ndoshta mund të ndodhë e njëjta gjë edhe për ty”, thotë Hoxha.

Sipas, Hoxhës ky libër është dashur të botohet për shkak se në pavijonin e Kosovës, nuk ka pasur rrëfime të njerëzve në mënyrë që vizitorët të kuptojnë, pasi që pavijoni ishte metaforik.

“Ne nuk kemi pasur dokumentim, nuk kemi dërguar rrëfime që njerëzit sapo t’i shohin ose t’i lexojnë ose i perceptojnë në një formë ose tjetër i kuptojnë. Do të thotë, pavijoni ishte metaforik dhe konceptual dhe si i të tillë njerëzit kanë mundur ta përbrendësojnë në forma të ndryshme. Dikush ka mundur që ta lidhë me idenë e paralelizmit që e kemi sot të aspektit virtual dhe aspektit fizik, ku ne jetojmë në një hapësirë, por në fakt komunikojmë me tërë botën dhe ky është një realitet që na prekë të gjithëve. Pse e kemi pasur të rëndësishme që pavijoni të mos ketë katalog që zakonisht e tregon. Pse është pavijon kështu do të thotë i dedikohet pavijonit. Ne kemi vendosur që të jetë e kundërta, do të thotë të mos jetë katalog për pavijonin, por me qenë një libër i cili i sjell të 90-at dhe mbetet si njëfarë baze për hulumtuesit e tjerë”.

Në Pavijonin e Kosovës ka pasur antena satelitore, pasqyra dhe tepih. Sipas artistes Hoxha, tepihu është ai që pasqyron rrëfimin e drejtë të Kosovës.

“I vetmi element që e ka përbrendësuar ose e ka kontekstualizuar rrëfimin e Kosovës ka qenë harta e viteve të 90-ta që është tepihu. Tash pse në tepih? Sepse kemi menduar që ka qenë element i rëndësishëm qysh është element i rëndësishëm nëpër shtëpitë tona”, tregon Hoxha.

Artistja Hoxha ka shfaqur një instalacion edhe në oborrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me emrin “Plisi Informativ” në të cilin janë disa antena satelitore ngjitur me njëra-tjetrën. Për të, ky instalacion paraqet ndalesën e studentëve shqiptarë gjatë viteve të 90-ta për të hyrë në Bibliotekën Kombëtare.

“Unë zgjodha ta përdori idenë e plisit sepse ne kemi diskutuar me kolegët e mi disa koncepte. Pse plisi edhe pse i vendosur në hapësirë publike? E para, për mua ka qenë e rëndësishme që të diskutohet sërish për hapësirën universitare e cila në kohën kur është dashtë ne që ta shfrytëzojmë ka qenë e paqasshme për ne, në kuptim përmbajtësor sepse fizikisht ke mundur të kalosh andej, por nuk ke pasur qasje, do të thotë në asnjë bibliotekë as në ato kupolat e dijës dhe unë Bibliotekën Kombëtare e kam parë pas luftës”, thotë Hoxha.

Gjithashtu, Hoxha thotë se ajo ka në plan që të vazhdojë të merret me krijimtari të reja të artit dhe kurim të ekspozitave të ndryshme.

Festivali i Bienales është ngjarje që ndodh çdo dy vjet dhe përshkruan ekspozita ndërkombëtare të artit bashkëkohor. Ndërsa, për këtë vit është përzgjedhur artisti Alban Muja që të përfaqësojë Kosovën në këtë ngjarje ndërkombëtare të madhe.

XS
SM
MD
LG