Ndërlidhjet

Emocionet dhe leksionet nga “Euro 2020” 


Fotografi nga ndeshja Itali-Turqi, që hapi kampionatin "Euro 2020". Romë, 11 qershor, 2021.
Fotografi nga ndeshja Itali-Turqi, që hapi kampionatin "Euro 2020". Romë, 11 qershor, 2021.

Kampionati Evropian i Futbollit “Euro 2020”, i cili për shkak të pandemisë së koronavirusit, është shtyrë të mbahet këtë vit, ka nisur më 11 qershor dhe tashmë ai po përcillet me mjaft interesim nga dashamirët e futbollit edhe në Kosovë.

Tribunat në stadiumet ku po luhen ndeshjet në kuadër të këtij kampionati, të cilat gjatë vitit të kaluar kanë qenë të zbrazëta për shkak të pandemisë, tashmë janë të plota me tifozë që përkrahin kombëtaret që po zhvillojnë ndeshjet në kuadër të garës së “Euro 2020”.

Qytetarët: Kampionat me emocione dhe zhvillime interesante

Disa qytetarë në Prishtinë, të cilët thonë se po i ndjekin takimet ndërmjet kombëtareve në kuadër të kampionati “Euro 2020”, vlerësojnë se kthimi i tifozëve në tribunat e stadiumeve po i shton emocionet edhe tek ata që i shikojnë takimet nga ekranet televizive.

Vanesa Nuredini, studente, thotë se kryesisht i shikon takimet që zhvillohen në orët e mbrëmjes, e sidomos të ekipeve, për të cilat ajo bën tifo.

“Po më duket shumë më emocionuese tash. Mbase për shkak se gjatë pandemisë nuk kemi pasur rastin të shohim ndeshje të tilla dhe tash po na duket më interesante. Kur i shoh tifozët nëpër stadiume, po më duket që gjithçka po shkon me rregull. Portugalia më ka pëlqyer se si ka luajtur. Por, Zvicrën e kam pasur gjithmonë ekipin më të preferuar edhe në kampionatet tjera, por edhe tash”, tha Vanesa Nuredini.

Nis muaji i futbollit në Evropë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:17 0:00

Endi Bytyqi, nxënës i shkollë së mesme, thotë që e përcjellë kampionatin “Euro 2020”, i cili, fillimisht, sipas tij, është karakterizuar me lojë agresive të kundërshtarëve në takime. Por, siç thotë ai, ky kampionat ka sjellë mjaft gjëra interesante, ndërkaq që favoriti i tij është Italia.

“Ka treguar rezultate të mira dhe kam pa diçka të re, që ka bërë lojë shumë më intensive. Më duket se e kanë pritur me shumë dëshirë mundësinë në vitin 2021, pas pandemisë, që të na japin një shfaqje shumë të mirë të futbollit. Në përgjithësi, ka qenë interesante angazhimi i të gjitha ekipeve dhe ekipeve të reja sikurse Finlanda apo Maqedonia (e Veriut), që kanë treguar lojë shumë të mirë”, tha Bytyqi.

Artan Deliu thotë që kryesisht i përcjellë ndeshjet e “Euro 2020” që zhvillohen në mbrëmje, për shkak se gjatë ditës është i zënë me punë.

“Po duket që ka shumë interesim. Unë i kam parë disa ndeshje dhe më kanë pëlqyer shumica prej tyre. Më ka pëlqyer gjithmonë Italia dhe unë kam mbetur tifoz i Italisë”, tha Deliu.

Inovacionet e kampionatit

Arbnor Morina, trajner i futbollit i licencuar nga UEFA, thotë për Radion Evropa e Lirë se në kampionatin “Euro 2020” po e karakterizojnë kombëtaret me ekipe të kompletuara dhe me një larushi të koncepteve të formacioneve të angazhuara në takimet që zhvillojnë.

Sipas tij, në bazë të takimeve të zhvilluara deri më tash në kuadër të “Euro 2020”, numri i favoritëve që janë potencialë për të arritur deri te finalja e këtij evropiani, është rritur. Sipas tij, ekipet, sikurse të Francës, Holandës, Italisë, Gjermanisë, por edhe të tjera, tashmë po tregojnë se janë të përgatitura për t’i shkuar deri në fund garës.

Madje sipas Morinës, edhe kombëtaret e disa shteteve, të cilat, siç thotë ai, “janë zvarritur deri sa kanë hyrë në kampionatin evropian”, tashmë po i tregojnë forcat e veta reale.

Morina thotë që tashmë edhe nga analizat dhe debatet televizive të ekspertëve të futbollit në Kosovë, të cilat po bëhen lidhur me takimet që zhvillohen në “Euro 2020”, po tregojnë që ky kampionat po reflekton edhe në Kosovë, në mënyrë që të përfitohen përvojat për të ardhmen e kombëtares së Kosovës, e cila nuk ka arritur të kualifikohet për “Euro 2020”.

“Unë e di që edhe trajnerët dhe përzgjedhësit janë duke i përcjellë dhe pastaj do të shohim se si do t’i zbatojnë këto inovacione të kampionatit evropian në kombëtaren e Kosovës, pra, në përfaqësuesen e saj. Mirëpo, për t’i zbatuar të gjitha ato, përveç kushteve infrastrukturore, nevojiten edhe futbollistë, të cilët do të mund t’i aplikojnë këtë përvoja në realitet. Mendoj që kemi futbollist, por duhet pak kohë, duhet durim dhe duhet të jemi real”, tha Morina.

Morina: Politikanët të mësojnë nga “Euro 2020”

Morina thekson që “Euro 2020” do të duhej të shërbente si përvojë për motivim dhe shtysë edhe të politikanëve dhe faktorëve vendimmarrës në Kosovë, për krijimin e mundësive infrastrukturore për zhvillimin e futbollit në Kosovë.

“Do të duhej të kishte një ndikim të madh edhe te njerëzit e politikës, të cilët vendosin për shumë gjëra në shtetin tonë. Po i shohim stadiumet (në ‘Euro 2020’), po i shohim terrenet me bari natyral dhe jo me sintetikë sikurse te ne. Po i shohim stadiumet se si janë, se çfarë qasjesh kanë njerëzit aty dhe shumë elemente të tjera, të cilat, nga jashtë nuk i duken askujt interesant. Por, për aktorët brenda, ato janë shumë domethënëse. Nëse e them që te ne një stadiumi i ndërrohen tribunat për katër apo pesë vjet, atëherë mendoj që dikush duhet t’ia vë gishtin kokës dhe të mendojë se a meritojnë futbollistët e Kosovës diçka më mirë dhe më shpejtë”, theksoi Morina.

Ndryshe nga kampionatet e kaluara evropiane, ku takimet garuese zhvilloheshin brenda një ose dy shteteve që organizonin kampionatin, “Euro 2020” është duke u zhvilluar në stadiumet e 12 shteteve evropiane.

Ndeshja e parë në “Euro 2020” është zhvilluar më 11 qershor, ndërmjet Turqisë dhe Italisë, në Romë. Me këtë ndeshje ka nisur edhe faza e kualifikimeve në grupe brenda këtij kampionati, e cila fazë do të përfundojë më 23 qershor. Në fazën tjetër do të kalojnë 16 kombëtare fituese, të cilat do të garojnë për çerekfinale më 2 dhe 3 korrik. Gjysmëfinalet do të luhen më 6 dhe 7 korrik, ndërkaq që takimi final i cili do ta përcaktojë fituesin e “Euro 2020” do të luhet më 11 korrik në Londër.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG