Ndërlidhjet

Ende pa zgjidhje për lajmet e rreme


Ilustrim
Ilustrim

Një video, e cila u bë virale në disa media online e rrjete sociale, ku ndër të tjera thuhet se presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, ka shitur avionin presidencial, ka përgjysmuar pagën e saj, atë të ministrave dhe ambasadorëve e konsujve, është vetëm një prej shumë lajmeve të rreme, që kanë marrë vëmendje dhe shpërndarje masive në Kosovë dhe Shqipëri.

Vetëm në njërën prej faqeve në rrjetin social Facebook, videoja me këtë përmbajtje, për 6 muaj, është shpërndarë nga afro 16 mijë profile dhe është shikuar më shumë se një milionë e treqind mijë herë.

Me një kërkim të thjeshtë në Google, ose platformën për verifikimin e fakteve të agjencisë franceze të lajmeve, “AFP Fact Check”, lajmi për presidenten kroate, del të jetë i rremë.

“Fake news” apo lajmet e rreme, po konsiderohen fenomen shqetësues, në rritje në Kosovë, nga Komisioni i Pavarur i Mediave, Këshilli për Mediat e Shkruara të Kosovës, por edhe nga vetë gazetarët.

Verifikimi i informatave, është problemi kryesor me të cilin përballen mediat online, sipas gazetares Arta Berisha, e cila në projektin e saj “E vërteta online”, ka monitoruar përmbajtjet e publikuara nga mediat online dhe faqet e ndryshme në rrjetet sociale.

Ajo vlerëson se mediat që janë pjesë e Këshillit të Mediave të Shkruara problem e kanë verifikimin e informatave dhe pasaktësinë. Ndërsa, sipas saj, lajmet tërësisht të rreme, janë kryesisht “instant articles” (artikuj çasti) që prodhohen, kryesisht, nga disa faqe anonime në rrjetet sociale.

“Për këtë pjesë nuk mendoj se mund të ndërhyjnë mediat ose gazetarët, sepse kryesisht prapa këtyre faqeve qëndrojnë të rinj që publikojnë shkrime ose artikuj për klikime ose sponsor, agjentë politikë, të cilët duan të çojnë një agjendë përpara, por në këtë pikë presim të reagojë Facebooku, duke hedhur poshtë, ashtu siç po bën në shumë vende të tjera, pra duke larguar faqet që publikojnë përmbajtje të rreme,” thotë Berisha, teksa shpjegon rezultatet nga monitorimi i saj.

*Video nga arkivi: Fakescape, platforma që lufton "lajmet e rreme"

Fakescape, platforma që lufton "lajmet e rreme"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:31 0:00

Në Këshillin e Mediave të Shkruara thonë se mediat në Kosovë vetërregullohen dhe se anëtarësimi në Këshill bëhet në mënyrë vullnetare.

Kryetari i Bordit të këtij këshilli, Imer Mushkolaj, thotë se pjesë e këtij organizmi vetërregullues janë 30 media, gazeta, agjenci lajmesh e portale. Por, ai thotë se ky organ nuk ka kompetenca për t’i gjobitur anëtarët e saj, në rast shkeljesh apo publikimi të lajmeve të rreme.

“Këshilli i Mediave, në këtë rast, nuk ka mekanizma të tillë që mund t’i gjobisë mediat, qoftë në formë financiare apo forma të tjera. Në fakt, vendimet që merren te Këshilli, janë vendime që kanë të bëjnë me etikën, me mënyrën se si raportojnë mediat. Përndryshe, po qe se ka ankesa ndaj mediave dhe kërkohet që ato të gjobiten, ekzistojnë rregulla të tjera ligjore, ligje të tjera, në bazë të së cilave mund të shkohet në gjykatë dhe mund të paditen media ose gazetarë të caktuar,” shpjegon Mushkolaj.

Mushkolaj thotë se Këshilli merret vetëm me mediat e regjistruara, të cilat i kanë elementet bazë për të funksionuar si biznese dhe media, që janë të regjistruara, kanë adresë dhe dihen emrat e njerëzve që bëjnë politikat redaktoriale.

Me “portalet fantazmë” ose “të ashtuquajturat media”, të cilat nuk i kanë këto elemente, sipas tij, duhet të merren organet e rendit dhe drejtësisë.

“Duhet të sqaroj që jo gjithçka që publikohet online është media. Edhe këtë duhet ta kemi të qartë, sepse nuk mund të jetë media një përmbajtje online, e cila nuk ka adresë, e cila nuk ka emra të njerëzve që bëjnë politikat redaktuese, e cila nuk është e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, e kështu me radhë. Pra, ato janë përmbajtje online me të cilat duhet të merret policia kriminale, duhet t’i zbulojë dhe asgjësojë, do të thotë t’ua ndalë aktivitetin”, shton Mushkolaj.

Zgjidhjen e problemit për lajmet e rreme, Mushkolaj e sheh më shumë nëpërmjet vetëdijesimit të mediave dhe qytetarëve, sesa rregullimit ligjor, pasi sipas tij, Qeveria do të donte, menjëherë, të bënte një Ligj për Mediat.

Mediat online mbesin ende jashtë Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media, organ i cili ka nën kontroll vetëm mediat audiovizive tradicionale, radiot dhe televizionet.

Megjithatë, sipas zyrtarit për informim në KPM, Arsim Dreshaj, pos Ligjit Civil Kundër Shpifjes, edhe Kodi Etik i Komisionit parasheh masa ndëshkuese që nisin nga tërheqja e vërejtjes, gjobitja me të holla e deri te heqja e licencës për mediat e licencuara, në rast të publikimit të lajmeve të rreme ose pavërteta.

“Rregullimi i çështjes së lajmeve të rreme ka qenë i parashikuar edhe më herët, me legjislacion, lidhur me këtë KPM-ja ka nxjerrë Kodin e Etikës, i cili parasheh rregullimin e paanshmërisë dhe saktësisë së lajmit. Neni 6 i kodit e përcakton se mediat duhet të raportojnë lajme me saktësi dhe paanshmëri, ato nuk duhet të transmetojnë materiale të cilat e dinë ose duhet të dinë se janë të pavërteta ose mashtruese”, thekson Dreshaj.

Sipas tij, Komisioni i Pavarur për Media tashmë ka nisur punën për jetësimin e projektit për Edukimin Medial, për të gjithë qytetarët, si masë edukuese dhe mbrojtëse nga lajmet e rreme.

“Edukimi medial është një proces, i cili u referohet aftësive dhe njohurisë së të kuptuarit që u mundëson qytetarëve të përdorin mediat në mënyrë efektive dhe të sigurt, si dhe të kenë qasje në informatat duke i përdorur ato në mënyrë kritike dhe përmbajtjen e tyre mediale, të kenë një përgjegjësi dhe siguri. Edukimi medial duhet të synojë t’i pajisë qytetarët me aftësitë e të menduarit kritik, për të gjykuar, për të analizuar realitetet komplekse dhe për të njohur dallimin mes opinionin dhe faktit”, shpjegon Dreshaj.

Idenë e edukimit medial e mbështet edhe gazetarja Arta Berisha, e cila një pjesë të zgjidhjes së problemit për lajmet e rreme, e sheh në forcimin e kompetencave të Këshillit të Mediave.

“Sa i përket zgjidhjes për 'fake news', unë mendoj që forcimi i Këshillit për Mediat e Shkruara në Kosovë, në mënyrë që të monitorojë përmbajtjen e mediave online, duke iniciuar edhe vetë ankesa dhe pastaj t’i trajtojë ato, është një metodë pune që do t’i ndihmonte gazetarisë në mediat online në Kosovë”, shprehet Berisha.

Ajo shton se, për të ruajtur besueshmërinë te qytetarët dhe për një zgjidhje që do të minimalizonte lajmet e rreme, është i nevojshëm një debat i hapur, i pronarëve të mediave, gazetarëve dhe shoqërisë civile. Vetëm pas një debati të tillë, sipas saj, mund të flitet për një zgjidhje konkrete, çfarëdo qoftë ajo.

XS
SM
MD
LG