Ndërlidhjet

Shkupjanët nuk e dinë se sa do të paguajnë për ngrohje


Fotografi ilustruese.

Më 15 tetor do të nisë sezoni i ngrohjes, por ende nuk janë zgjidhur dilemat se si do të faturohen qytetarët e Shkupit të Maqedonisë së Veriut lidhur me energjinë termike që do të harxhojnë.

Qytetarët po kërkojnë që të vendosen pajisje matëse për energjinë termike, me qëllim që ta dinë saktë se kush sa energji termike harxhon dhe në bazë të energjisë së shpenzuar të paguajnë faturat për ngrohjen qendrore.

Nëse kjo kërkesë e tyre nuk realizohet, qytetarët e Shkupit kanë paralajmëruar shkyçjen nga sistemi qendror i ngrohjes, me qëllim që të ulin koston e jetesës, teksa po përballen me krizën energjetike.

Aktualisht, energjia e shpenzuar termike përpjesëtohet me numrin e banesave që janë të kyçura në sistemin e ngrohjes si një objekt i vetëm banimi. Por, ky model për qytetarët është i papranueshëm pasi ata argumentojnë se paguajnë edhe për banesat që janë të shkyçura nga sistemi i ngrohjes, por të cilat shfrytëzojnë energjinë termike përmes gypave që kalojnë nëpër këto banesa.

Qytetarët e Shkupit thonë se pajisje matëse për energjinë termike, apo kalorimetër, ka në çdo objekt banimi dhe energjia e konsumuar përpjesëtohet vetëm për ato banesa që janë të kyçura në sistemin qendror të ngrohjes.

“Ne nuk mund të flasim për politika të kursimit të energjisë, aq më pak për masa të efikasitetit energjetik në kushte të krizës energjetike e cila, sipas të gjitha gjasave, duket se do të zgjasë. Ndërkohë, të gjithë paguajnë njëjtë pavarësisht se kush sa harxhon energji termike për të ngrohur banesën”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Marjan Nenov, ekspert për energjetikë, i cili njëherësh udhëheq dhe iniciativën qytetare e cila kërkon vendosjen e kalorimetrave.

Ai shton se duhet të definohet qartë se kush sa harxhon energji termike dhe të paguajë për aq sa harxhon.

Ndërkaq, sipas Ligjit për energjetikë, matësit individual për shpenzimin e energjisë elektrike duhet të ketë në çdo objekt të ri.

Sipas këtij ligji, qytetarët që jetojnë në banesat e ndërtuara më herët, mund të vendosin vetë nëse duan të instalojnë një kalorimetër në mënyrë që të matet konsumi vetanak i çdo banese.

Komisioni rregullator për energjetikë para dy vjetësh i kishte propozuar kompanisë që atëbotë menaxhonte sistemin e ngrohjes qendrore, që t’i furnizojë me kalorimetër të gjitha amvisëritë, në mënyrë që qytetarët të paguanin për energjinë e shpenzuar. Në propozim përfshihej edhe ideja që qytetarët që duan të kursejnë energjinë, duke ngrohur vetëm hapësira të caktuara, të mos shkyçeshin nga sistemi i ngrohjes.

Kryetari i këtij komisioni, Marko Bislimoski, thotë për Radion Evropa e Lirë se ende mbetet në këtë qëndrim.

“Pajisja e vetme matëse për konsumin e energjisë termike është vetëm ajo që figuron në çdo ndërtesë që ka dhjetëra banesave dhe në bazë të të dhënave që merren nga matës të tillë, bëhet edhe shpërndarja në mënyrë të barabartë e kostos që duhet paguar për ngrohje. Pra, paguajnë njësojë edhe ata që kanë investuar në efikasitetin e energjisë edhe ata që nuk kanë investuar”, thotë ai.

Marjan Nenov thotë se nuk është investim i madh vendosja e kalorimetrave, por sipas tij, vendosja e tyre nuk u konvenon kompanive që menaxhojnë furnizimin e energjisë elektrike, pasi qytetarët do të ulnin konsumin dhe me këtë edhe përfitimin e këtyre kompanive.

Ndryshe, kompania shtetërore Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) ka marrë përsipër menaxhimin e ngrohtores së Shkupit, pasi gjatë vitit të kaluar, Komisioni rregullator për energjetikë ia mori licencën kompanisë “Balkan Energy Group” (BEG), e cila ishte përgjegjëse për furnizimin me ngrohje për kryeqendrën maqedonase.

Për këtë zgjedhje vendosi Qeveria e Maqedonisë së Veriut, pasi BEG nuk arriti të respektojë kontratën për furnizimin e qytetarëve me energji termike për shkak të harxhimeve të larta si pasojë e rritjes së çmimit të energjensëve gjatë sezonit të ngrohjes pa ndihmën e Qeverisë.

Në gushtin e këtij viti, qytetarët u përballën me fatura më të shtrenjta për ngrohje deri në 40 për qind krahasuar me çmimet e përcaktuara nga Komisioni rregullator për energjetikë, pasi në fatura nuk ishin njehsuar me subvencionimin për energjinë termike nga ana e ekzekutivit maqedonas.

Ministria e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut ka kërkuar që kompania BEG të anulojë faturat dhe qytetarëve t’u dërgojë fatura të reja.

Por, kjo kompani ka argumentuar se ende nuk ka marrë 99.6 milionë euro nga Qeveria si masë për të subvencionuar energjinë termike.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka kërkuar që BEK të shlyejë të gjitha obligimet që ka ndaj EMV-së, në mënyrë që Qeveria të ketë më të qartë situatën sa i përket ndihmës që ka ndarë për kompaninë që do të menaxhojë furnizimin me energji termike për qytetarët e Shkupit.

XS
SM
MD
LG