Gjatë një operacioni në Prizren është arrestuar një person, ndërkaq katër të tjerë janë në kërkim nën dyshime për fajde, njoftoi Policia e Kosovës më 16 mars.
I arrestuari dhe katër personat në arrati, dyshohen se një viktime i kanë shkaktuar dëm afër 700.000 euro.
B.K., GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R., përveç për veprën penale të fajdesë, dyshohen edhe për veprën e detyrimit dhe privimit të kundërligjshëm të lirisë.
Autoritetet thanë se pesë të dyshuarit vazhdimisht e kanë detyruar viktimën që të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur “forma të ndryshme presioni dhe dhune”.
Po ashtu, sipas njoftimit, ata dyshohen se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën nga liria, me qëllim që ta detyrojnë që të paguajë kamata të larta të fajdesë.
“Dëmi i shkaktuar ndaj viktimës, sipas vlerësimeve fillestare, arrin shumën rreth 700.000 euro, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar edhe rreth 450.000 euro shtesë në emër të interesit të fajdesë”, u tha në njoftim.
Autoritetet thanë se gjatë operacionit të zhvilluar në Prizren u kontrolluan pesë lokacione.
Të arrestuarit i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Së voni, autoritetet kanë ndërmarrë disa operacioneve kundër fajdeve.
Vitin e kaluar, Prokuroria Themelore në Prizren po ashtu ngriti një aktakuzë ndaj gjashtë personave që dyshoheshin se kishin përfituar, përmes fajdeve, 1.4 milion euro dhe 21 banesa e lokale afariste.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që gjendet fajtor për fajde mund të dënohet me gjobë dhe burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Nëse kjo vepër penal shkakton humbje financiare për të dëmtuarin në shumë prej mbi 10 mijë eurosh dhe nëse kryesi ka përfituar pasuri po kaq, ai mund të dënohet me gjobë dhe burgim nga një deri në tetë vjet burgim.