Ndërlidhjet

Familjarët e ndëshkuar të militantëve të IS-it


Dy gra irakiane duke qëndruar në një kamp në Mosul, foto nga arkivi.

Gratë dhe fëmijët që dyshohet se kishin pasur lidhje me pjesëtarë të grupit militant, Shteti Islamik (IS) janë duke qëndruar nëpër kampe të ndryshme në Irak. Ata janë shndërruar në viktima të shfrytëzimit seksual dhe të shkeljes së të drejtave njerëzore.

Amnesty International ka publikuar një hulumtim përmes së cilit nxjerr në pah faktin se në kampe të personave të zhvendosur përgjatë Irakut, grave dhe fëmijëve iu mohohet ushqimi, uji dhe kujdesi shëndetësor. Po ashtu ato janë subjekt i ngacmimeve seksuale, dhunimit dhe shfrytëzimit seksual si dhe u mohohet e drejta për t'u kthyer në shtëpitë e tyre, thuhet në raportin e fundit të Amnesty International: “Të dënuarit - Gra dhe fëmijë të izoluar, bllokuar dhe të shfrytëzuar në Irak”.

Ekipet e Amnesty International kanë vizituar kampe të ndryshme në Irak ku kanë mbledhur dëshmi të shumta të grave që dyshohet se kishin qenë në lidhje me pjesëtarë të IS-it dhe që tani janë duke u frikësuar se kundërshtimi për të mos u shfrytëzuar seksualisht do të mund t'iu kushtojë me jetë.

​Shumë nga gratë që u intervistuan nga Amnesty International në kampet për persona të zhvendosur brenda vendit thanë se kanë frikë për sigurinë e tyre.

"Gratë po u nënshtrohen trajtimit jonjerëzor dhe diskriminues nga burrat e armatosur që veprojnë në kampe për lidhjet e tyre të dyshuar me IS-in. Shumë njerëz që duhet t’i mbrojnë ata janë kthyer në grabitqarë”, tha drejtori i hulumtimeve për Lindjen e Mesme në Amensty International, Lynn Maalouf.

Njëra nga gratë që është e frikësuar për jetën, është “Dana” e cila rrëfen tmerrin të cilin e përjeton çdo ditë.

“Dana” është një grua 20-vjeçare e cila ka arritur t’i mbijetojë tentimeve të vazhdueshme të dhunimit. Vazhdimisht ajo kishte presion që të hynte në një lidhje seksi me një pjesëtar të sigurimit në kampin ku ndodhej ajo.

“Sepse ata me konsiderojnë mua njëjtë si një luftëtar IS-i, ata do të më dhunojnë mua dhe do të më kthejnë sërish. Ata duan që t’i tregojnë gjithkujt se çfarë mund të më bëjnë mua – për të hequr nderin tim....Nuk mund të ndihem mirë në tendën time. Unë dua vetëm një derë të cilën do të mund ta mbyllja si dhe mure përreth meje... . Çdo natë i them vetes sime, 'Sonte është nata kur unë do të vdes'”, i tha Dana, Amnesty International.

"Maha" i përshkroi Amnesty International dëshpërimin që ndjen gjatë përballjes me një diskriminim të tillë.

"Ndonjëherë unë e pyes veten: Pse nuk kam vdekur në një sulm ajror? Unë u përpoqa të bëj vetëvrasje, por nuk munda. Kam vënë kerozinë mbi veten, por para se ta ndizja, mendova për djalin tim ", thotë ajo.

"Ndjehem se jam afër fundit. Jam këtu në një burg. Unë jam plotësisht e vetme - pa bashkëshortin tim, babanë tim - askush nuk është me mua më", u ka thënë Maha, hulumtuesve të Amnesty International.

"Riman", është një grua 20-vjeçare e cila dëshmoi torturën dhe faktin se si mbijetoi një përdhunim në selinë e forcave të sigurisë në kampin e saj.

“Në nëntor 2017, forcat e sigurisë erdhën në tendë rreth orës 20:00. Ishin tre persona dhe ata më morën mua dhe kunatën time në zyrën e administratës së kampit. Ata u përpoqën të na përdhunojnë. Kur refuzuam, ata ia lidhën duart kunatës sime dhe përdorën kabllot elektrike në trupin e saj. Ata do të na ndanin dhe do të na dhunonin. Por, më pas një anëtar i Njësisë Popullore të Mobilizimit erdhi dhe u tha se babai im kishte punuar si shefi i policisë lokale në fshatin tim”.

“Pas kësaj na thanë kthehu në tendë. Ishte më vonë atë natë, rreth orës 23:00. Ne nuk kishim këpucët tona - ata i kishin marrë ato. Ne u kthyem te tenda, por ajo nuk ishte. E kishin marrë atë. Ajo ishte zhdukur. Asnjë nga fqinjët tanë nuk do të na merrte brenda. Ata ishin të frikësuar se çfarë do t'u ndodhte nëse do të na lejonin brenda. Ne u desh të grumbullohemi afër gjeneratorit deri në mëngjes”, i tha Riman, Amnesty International.

Situata për gratë si "Riman" ka gjasa të përkeqësohet edhe më shumë, pasi financimi ndërkombëtar për krizën humanitare në Irak parashikohet të ulet ndjeshëm.

Ndonëse nuk ka një shifër të saktë në mesin e personave që gjenden nëpër këto kampe janë më shumë se 1500 gra dhe fëmijë të pjesëtarëve të IS-it.

Nga fillimi i luftës nga Kosova në Siri kishin shkuar 48 gra të cilat iu kishin bashkuar burrave të tyre që u bënë pjesë e grupit militant IS.

Rrugëtimi i kosovarëve në Siri dhe Irak
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:10 0:00

Sipas autoriteteve kosovare të sigurisë në Siri mbesin 96 fëmijë nga Kosova. Prej tyre 40 kishin ardhur në jetë pasi prindërit e tyre kishin shkuar në Siri.

*Gratë e intervistuara kanë kërkuar që të mos u publikohen emrat e vërtetë në raportin e Amnesty International. Andaj të gjithë emrat që ju gjeni në këtë shkrim janë emra fiktiv të vendosur nga organizata.

Përgatiti: Shkëlqim Hysenaj
XS
SM
MD
LG