Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë për t'i diskutuar zhvillimet në Lindje të Mesme
Qeveria e Kosovës ka mbajtur të shtunën vonë një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
Mbledhja është mbajtur me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Kryeministri Kurti ka ritheksuar qëndrimin e qartë të institucioneve të Republikës së Kosovës se qëndrojnë të palëkundura përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, është thënë në një komunikatë të Kryeministrisë.
Mes tjerash është përmendur se Kosova solidarizohet me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore.
"Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjikë” është theksuar ndër të tjera në komunikatë.
Izraeli thotë se po sulmon shënjestra të regjimit iranian në Teheran
Ushtria izraelite ka bërë të ditur të dielën se ka nisur një valë sulmesh kundër shënjestrave të lidhura me regjimin iranian në Teheran.
“Një ditë më parë, forca ajrore izraelite ka kryer sulme të shkallës së gjerë për të krijuar superioritet ajror dhe për të hapur rrugën për në Teheran”, është thënë në deklaratë.
Mediat iraniane janë duke raportuar se po dëgjohen shpërthime në kryeqytet.
Shtatë të vdekur në Pakistan pas sulmeve në konsullatën amerikane
Të paktën shtatë persona janë vrarë teksa është sulmuar konsullata amerikane në Karaçi të Pakistanit.
Një korrespondent i Radios Evropa e Lirë afër zonës së sulmit e ka konfirmuar se ka të vdekur pas përleshjeve me armë mes forcave të rendit dhe anëtarëve të Organizatës Studentore Imamia, të cilët po tentonin të hynin në objektin e konsullatës.
Protestat e studentëve ishin organizuar nga grupet shiite pro-iraniane. Myslimanët shiitë përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë së Pakistanit.
Për protesta të studentëve të këtij fraksioni është paralajmëruar edhe në qytetet tjera, teksa është rritur maksimalisht niveli i sigurisë në konsullatën amerikane në Peshavar dhe Ambasadën amerikane në Islamabad.
Figurat e larta iraniane që u vranë në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit
Një numër figurash të larta në Iran dihet se janë vrarë në sulmet e së shtunës. Aty përfshihen:
- Ayatollah Ali Khamenei, lideri suprem i Iranit, i vrarë të shtunën në mëngjes në zyrën e tij.
- Sipas raportimeve televizive iraniane në sulme është vrarë edhe shefi i shtabit të forcave të armatosura të vendit, Abdolrahim Mousavi.
- Teherani e ka konfirmuar edhe vdekjen e komandantit të Gardë Revolucionare, Mohammad Pakpour.
- Sipas mediave iraniane, edhe vajza, dhëndri dhe nipi i Khameneit janë vrarë në sulme.
- Mediat perëndimore raportojnë, duke u bazuar në burimet e tyre, se rreth 40 zyrtarë iranianë janë vrarë prej kur nisën sulmet më 28 shkurt.