Mirëmëngjesi të gjithëve,
Po e nisim një tjetër ditë me zhvillime të jashtëzakonshme në Lindjen e Mesme.
Në orët e hershme të mëngjesit u bë e ditur se lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei është vrarë në sulmet amerikane dhe izraelite që nisën më 28 shkurt.
SHBA-ja bëri të ditur se sulmet i nisi pasi arriti në përfundim se Teherani po përgatitej të përdorte arsenalin e tij të raketave kundër forcave amerikane dhe aleatëve, dhe nuk kishte ndërmend të pranonte kufizime për programin e tij bërthamor.
Është politikë e kamotshme e SHBA-së që Irani nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore.
Irani është kundërpërgjigjur në ditën e nisjes së sulmeve, duke synuar bazat ushtarake amerikane në vendet e rajonit, por duket se raketat dhe dronët e tij janë rrëzuar.
Qëndroni me ne për t'u informuar në kohë reale për gjithçka që ndodh gjatë orëve në vijim.
Kush ishte Khamenei, lideri suprem dhe shpirtëror i Iranit?
Rubio do t’i telefonojë liderët e G7-s
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio do të zhvillojë një thirrje telefonike me liderët e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7) lidhur me zhvillimet në Iran.
Ky është vetëm një prej shumë diskutimeve që pritet t’i ketë administrata e presidentit amerikan, Donald Trmp me liderë globalë dhe ligjvënës amerikanë në ditët në vijim.
Trump: Do të përdoret forcë e paparë më herët nëse Irani sulmon SHBA-në ose Izraelin
Presidenti amerikan, Donald Trump e ka paralajmëruar Iranin që të mos i sulmojë Shtetet e Bashkuara apo Izraelin.
Duke shkruar në rrjetin social Truth Social, ai ka thënë se “Irani sapo tha se do të godasë fuqishëm, më shumë sesa secilën herë më parë. MË MIRË NËSE NUK VEPROJNË ASHTU, SEPSE NËSE E BËJNË KËTË, NE DO T’I GODASIM ME FORCË QË NUK E KANË PARË KURRË MË PARË”.
Deklarata e tij vjen pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka paralajmëruar se do t’i godasë bazat amerikane dhe Izraelin, si shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Khameneit.