"Operacioni SHBA–Izrael synon çmontimin e udhëheqjes iraniane"
Gjenerali Jack Keane, një gjeneral me katër yje, tashmë në pension, dhe ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, thotë se fushata ushtarake amerikano-izraelite e nisur kundër Iranit më 28 shkurt është një përpjekje e kalkuluar për të çmontuar arkitekturën politike dhe ushtarake të Republikës Islamike.
Gjenerali Keane, i cili tani shërben si kryetar i Institutit për Studimin e Luftës, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se sulmet dhe lajmi se udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, është vrarë gjatë operacionit, e kanë bërë këtë një “ditë historike me rëndësi të jashtëzakonshme”.
Më shumë këtu:
Figurat e larta iraniane që u vranë në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit
Një numër figurash të larta në Iran dihet se janë vrarë në sulmet e së shtunës. Aty përfshihen:
- Ayatollah Ali Khamenei, lideri suprem i Iranit, i vrarë të shtunën në mëngjes në zyrën e tij.
- Sipas raportimeve televizive iraniane në sulme është vrarë edhe shefi i shtabit të forcave të armatosura të vendit, Abdolrahim Mousavi.
- Teherani e ka konfirmuar edhe vdekjen e komandantit të Gardë Revolucionare, Mohammad Pakpour.
- Sipas mediave iraniane, edhe vajza, dhëndri dhe nipi i Khameneit janë vrarë në sulme.
- Mediat perëndimore raportojnë, duke u bazuar në burimet e tyre, se rreth 40 zyrtarë iranianë janë vrarë prej kur nisën sulmet më 28 shkurt.
Shtatë të vdekur në Pakistan pas sulmeve në konsullatën amerikane
Të paktën shtatë persona janë vrarë teksa është sulmuar konsullata amerikane në Karaçi të Pakistanit.
Një korrespondent i Radios Evropa e Lirë afër zonës së sulmit e ka konfirmuar se ka të vdekur pas përleshjeve me armë mes forcave të rendit dhe anëtarëve të Organizatës Studentore Imamia, të cilët po tentonin të hynin në objektin e konsullatës.
Protestat e studentëve ishin organizuar nga grupet shiite pro-iraniane. Myslimanët shiitë përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë së Pakistanit.
Për protesta të studentëve të këtij fraksioni është paralajmëruar edhe në qytetet tjera, teksa është rritur maksimalisht niveli i sigurisë në konsullatën amerikane në Peshavar dhe Ambasadën amerikane në Islamabad.
Izraeli thotë se po sulmon shënjestra të regjimit iranian në Teheran
Ushtria izraelite ka bërë të ditur të dielën se ka nisur një valë sulmesh kundër shënjestrave të lidhura me regjimin iranian në Teheran.
“Një ditë më parë, forca ajrore izraelite ka kryer sulme të shkallës së gjerë për të krijuar superioritet ajror dhe për të hapur rrugën për në Teheran”, është thënë në deklaratë.
Mediat iraniane janë duke raportuar se po dëgjohen shpërthime në kryeqytet.