Pas Khameneit, pasiguri për pasardhësin e tij
Njeriu që do ta pasojë Ali Khamenein si udhëheqës suprem i Iranit, do ta marrë drejtimin e shtetit në kohën kur zyrtarët amerikanë kanë bërë thirrje për rrëzimin e Qeverisë teokratike, që ka sunduar Iranin që nga viti 1979.
Netanyahu: Fushata kundër Iranit vazhdon
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se “ka dhënë udhëzime për vazhdimin e fushatës” kundër Iranit.
Ai i bëri këto komente pas një takimi me ministrin e Mbrojtjes, shefin e stafit dhe kreun e shërbimit të sigurisë, Mossad.
“Forcat tona po godasin tani zemrën e Teheranit, me fuqi gjithnjë e më të madhe. Kjo do të rritet edhe më shumë në ditët në vijim”, tha Netanyahu.
“Këto, megjithatë, janë ditë të dhimbshme. Dje këtu, në Tel Aviv, dhe tani në Beit Shemesh, humbëm njerëz të dashur. Unë lutem me familjet e tyre, dhe në emër të të gjithë juve, qytetarëve të Izraelit, u uroj shërim të shpejtë të plagosurve”, shtoi Netanyahu.
Trump konfirmon vrasjen e 48 udhëheqësve iranianë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të dielën se 48 udhëheqës të Republikës Islamike u vranë gjatë sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit.
“Nuk mund ta besojë askush suksesin që kemi pasur; 48 udhëheqës u vranë me një goditje dhe gjërat po lëvizin shumë shpejt”, tha Trump për Fox News.
Në një intervistë tjetër për CNBC, Trump tha se operacioni amerikan në Iran po shkon “shumë mirë” dhe “përpara afatit të planifikuar”.
“Ky është një regjim shumë i dhunshëm, një nga regjimet më të dhunshme në histori. Nuk po e bëjmë këtë vetëm për veten tonë, po e bëjmë për botën. Dhe, gjithçka po shkon përpara afatit”, tha presidenti amerikan.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli filluan sulmet e tyre të përbashkëta kundër Iranit të shtunën në mëngjes, dhe deri tani, përveç vrasjes së Ali Khameneit, u konfirmuan edhe vdekjet e disa komandantëve të lartë të forcave të armatosura të Republikës Islamike.
Dronët iranianë godasin bazën detare në Abu Dabi
Një sulm me dronë nga Irani ndaj bazës detare Al Salam në Abu Dabi shkaktoi zjarr, por pa viktima, tha Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Irani vazhdon të sulmojë rajonin në ditën e dytë me radhë, pas një vale fillestare sulmesh nga SHBA-ja dhe Izraeli.