Trump: SHBA-ja do të hakmerret për vdekjet e ushtarëve amerikanë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, postoi një video-deklaratë në rrjetin Truth Social, ku tha se SHBA-ja do të hakmerret për vdekjet e ushtarëve të saj dhe se do t’i japë goditjen më të ashpër regjimit iranian.
Ai tha se SHBA-ja po ndërmerr një operacion masiv, “jo vetëm për të sigurinë vendin tonë, por edhe fëmijët tanë dhe pasardhësit e tyre”.
“Ky është detyrimi dhe përgjegjësia e një populli të lirë”, tha Trump.
“Veprimet e tilla janë të drejta dhe të nevojshme për të siguruar që amerikanët nuk do të përballen kurrë me një regjim terrorist radikal dhe të etur për gjak, të armatosur me armë bërthamore”, tha presidenti amerikan.
Trump shtoi se operacionet luftarake po vazhdojnë me “forcë të plotë” dhe se do të vazhdojnë “derisa të arrihen të gjitha objektivat tona”.
Sipas tij, ka të ngjarë që të ketë edhe më shumë viktima amerikane.
“Amerika do të hakmerret për vdekjet e tyre dhe do t’u japë goditjen më ndëshkuese terroristëve që kanë zhvilluar luftë kundër qytetërimit”, tha Trump.
“Unë edhe një herë i bëj thirrje Gardës Revolucionare, policisë ushtarake iraniane, t’i ulin armët dhe të marrin imunitet të plotë, ose do të përballen me vdekje të sigurt. Do të jetë vdekje e sigurt, nuk do të jetë e bukur”, tha presidenti amerikan.
Mbretëria e Bashkuar i lejon SHBA-së t’i shfrytëzojë bazat e saj ushtarake
Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se Mbretëria e Bashkuar do t’i lejojë SHBA-së të ndërmarrë veprime mbrojtëse kundër Iranit nga bazat ushtarake britanike.
"SHBA-ja ka kërkuar leje për të përdorur bazat britanike për atë qëllim specifik dhe të kufizuar mbrojtës", tha Starmer përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale.
"Ne kemi vendosur ta pranojmë këtë kërkesë, për ta penguar Iranin që të lëshojë raketa nëpër rajon, duke vrarë civilë të pafajshëm, duke vënë në rrezik jetën e britanikëve dhe duke goditur vende që nuk janë të përfshira", shtoi Starmer.
Ai tha se Mbretëria e Bashkuar nuk do t’u bashkohet këtyre sulmeve, por se do të vazhdojë me "veprimet e saj mbrojtëse në rajon".
Trump: Sulmet ushtarake ndaj Iranit mund të zgjasin deri në katër javë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha në një intervistë për gazetën britanike Daily Mail se operacioni ushtarak kundër Iranit, i cili ka nisur me pjesëmarrjen e Izraelit, mund të zgjasë deri në katër javë.
"Gjithmonë ka qenë një proces katërjavor. Mendojmë se do të zgjasë rreth katër javë", tha ai në një intervistë telefonike nga rezidenca e tij në Floridë.
Duke vënë në dukje se Irani është një vend i madh, ai shtoi se sulmet ushtarake do të "zgjasin katër javë - ose më pak".
Ashtu si në një intervistë tjetër të dielën, ai iu referua edhe vrasjes së 48 zyrtarëve të lartë iranianë në sulmet e së shtunës nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Trump përsëriti se mbetet i hapur për bisedime të mëtejshme me iranianët, por nuk tha nëse këto bisedime do të zhvillohen "së shpejti".
Zelensky: Ukraina, gati të ndajë përvojën e saj kundër raketave dhe dronëve iranianë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina është e gatshme të ndajë përvojën e saj në mbrojtjen kundër raketave balistike iraniane dhe dronëve Shahed, me vendet që e ndihmuan atë të mbrohej nga pushtimi rus.
“Situata në Lindjen e Mesme tregon se sa e vështirë është të ofrosh mbrojtje 100 për qind ndaj raketave dhe dronëve Shahed”, tha ai përmes një video-mesazhi më 1 mars.
Gjatë ditës, Irani sulmoi nga ajri Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera.
“Tani, të gjithë mund të shohin se përvoja jonë në mbrojtje është, në shumë aspekte, e pazëvendësueshme. Jemi të gatshëm ta ndajmë këtë përvojë dhe t’i ndihmojmë ato vende që e ndihmuan Ukrainën”, shtoi Zelensky.
Teherani ka qenë prej kohësh aleat i Rusisë, duke e furnizuar atë me pajisje dhe teknologji ushtarake.
Zelensky ka thënë më herët se ushtria ruse ka përdorur së paku 57.000 dronë Shahed në sulme kundër vendit të tij.