SHBA-ja përdori bombardues B-2 për sulmet në Iran
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara - Centcom njoftoi se bombarduesit amerikanë, B-2, goditën objektet iraniane të raketave balistike, mbrëmjen e kaluar.
Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale thuhet se avionët ishin bombardues të padukshëm B-2, të armatosur me bomba prej 2.000 paundësh (907 kg).
“Asnjë shtet nuk duhet të dyshojë kurrë në vendosmërinë e Amerikës”, shkroi Komanda Qendrore e SHBA-së në X.
Edhe verën e kaluar, Shtetet e Bashkuara përdorën bombardues B-2 për të goditur objektet bërthamore iraniane.
Emiratet e Bashkuara Arabe mbyllin ambasadën në Teheran
Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi se ka mbyllur ambasadën e saj në Teheran dhe se ka tërhequr ambasadorin dhe të gjithë stafin diplomatik nga Irani, si përgjigje ndaj sulmeve iraniane në territorin e saj.
Kjo ministri i cilësoi veprimet “agresive” të Republikës Islamike kundër objektivave civile - përfshirë zonat e banimit, aeroportet, portet dhe objektet e shërbimeve - si një “përshkallëzim i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm i tensioneve”.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se sulmet iraniane po e shtyjnë rajonin drejt “rrugëve shumë të rrezikshme”.
Në përgjigje të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Garda Revolucionare e këtij vendi goditi Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera të Gjirit Persik me raketa dhe dronë.
BE-ja paralajmëron pasoja të paparashikueshme nga përshkallëzimi i situatës në Iran
Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian thanë se ngjarjet në Iran, nuk duhet të çojnë në një përshkallëzim që mund të rrezikojë Lindjen e Mesme, Evropën dhe më gjerë me pasoja të paparashikueshme, përfshirë edhe në sferën ekonomike.
Në një deklaratë të nënshkruar në emër të të gjithë BE-së nga shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, thuhet se ministrat zhvilluan një takim të jashtëzakonshëm nëpërmjet video-lidhjes, për të diskutuar situatën në Iran dhe në të gjithë Lindjen e Mesme, pas aksionit ushtarak të SHBA-së.
"BE-ja shpreh solidaritetin e saj me partnerët që janë sulmuar ose prekur. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në të gjitha përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, për të penguar Iranin që të pajiset me armë bërthamore", shkroi mes tjerash Kallas në X.
Kallas kujtoi se BE-ja ka miratuar tashmë sanksione të gjera, në përgjigje të veprimeve të autoriteteve iraniane, dhe se është e gatshme të mbrojë sigurinë dhe interesat e bllokut, përfshirë edhe përmes sanksioneve shtesë.
Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së bënë thirrje për përmbajtje maksimale, mbrojtje të civilëve dhe respekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
"Lindja e Mesme do të humbasë shumë nga çdo luftë e zgjatur. Sulmet dhe shkeljet e sovranitetit të shumë vendeve në rajon nga ana e Iranit janë të pafalshme", thuhet në deklaratën e lëshuar në fund të takimit ministror.
Me rëndësi të madhe, sipas ministrave të Jashtëm evropianë, është ruajtja e sigurisë detare dhe respektimi i lirisë së lundrimit.
Ata nënvizuan nevojën për të shmangur mbylljen e rrugëve të rëndësishme ujore, siç është Ngushtica e Hormuzit.
Ministrat diskutuan edhe për evakuimin e qytetarëve evropianë në Iran dhe në territoret e vendeve të prekura nga sulmet iraniane.
Mijëra qytetarë evropianë mbeten të bllokuar në Iran dhe në të gjithë rajonin, për shkak të anulimeve të shumta të fluturimeve në aeroportet kryesore rajonale.
Zelensky: Ukraina, gati të ndajë përvojën e saj kundër raketave dhe dronëve iranianë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina është e gatshme të ndajë përvojën e saj në mbrojtjen kundër raketave balistike iraniane dhe dronëve Shahed, me vendet që e ndihmuan atë të mbrohej nga pushtimi rus.
“Situata në Lindjen e Mesme tregon se sa e vështirë është të ofrosh mbrojtje 100 për qind ndaj raketave dhe dronëve Shahed”, tha ai përmes një video-mesazhi më 1 mars.
Gjatë ditës, Irani sulmoi nga ajri Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera.
“Tani, të gjithë mund të shohin se përvoja jonë në mbrojtje është, në shumë aspekte, e pazëvendësueshme. Jemi të gatshëm ta ndajmë këtë përvojë dhe t’i ndihmojmë ato vende që e ndihmuan Ukrainën”, shtoi Zelensky.
Teherani ka qenë prej kohësh aleat i Rusisë, duke e furnizuar atë me pajisje dhe teknologji ushtarake.
Zelensky ka thënë më herët se ushtria ruse ka përdorur së paku 57.000 dronë Shahed në sulme kundër vendit të tij.