Ndërlidhjet

Finalja për INTERPOL


Logoja e INTERPOL-it. Foto nga arkivi.

Kosova pret të marrë mbështetjen e dy të tretave të vendeve që po marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, që të behet shtet anëtar i kësaj organizate të policisë ndërkombëtare.

Aktualisht, INTERPOL-i numëron 192 shtete. Në rendin e ditës është pranimi edhe i Kosovës, Kiribatit dhe Ishujve Vanuatu. Pranimi i tyre do ta shtonte numrin në 195 vende anëtare.

Procedura e votimit në Asamblenë e Përgjithshme që po mbahet në Dubai, pritet të zhvillohet nesër (e martë, 20 nëntor).

Plator Avdiu njohës i çështjeve të sigurisë, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova i ka përmbushur kushtet në aspektin teknik për të qenë pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë.

"Për t’u pranuar në INTERPOL duhet vota e dy e tretave të përfaqësueseve të shteteve që janë të pranishme gjatë votimit. Pra, jo dy e treta e gjithë anëtareve të INTERPOL-it. Pra, tani nuk mund ta dimë se sa vota i duhen Kosovës derisa nuk e dimë se sa shtete do të marrin pjesë në votim. Po shpresoj se Kosova këtë herë është shumë më e përgatitur, në kuptimin e saj që ka pasur një koordinim shumë më të mirë nga institucionet qeveritare", tha Avdiu.

Ai thotë se me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ajo do të këtë qasje në data bazën e të dhënave dhe në ketë mënyrë Kosova do të hyjë në bashkëpunim me të gjitha policitë e shteteve të INTERPOL-it.

"Kosova ka dëshmuar se mund t'i luftojë disa prej krimeve trans-kufitare sepse ka qenë pjesë e disa aksioneve evropiane policore. Është dëshmuar se është e aftë për këtë dhe me hyrjen në INTERPOL, Kosova behët pjesë e bashkëpunimit policor ndërkombëtar dhe sigurisht që do të jetë Kosova më e sigurt bashkë me rajonin e Ballkanit Perëndimorm në një bashkëpunim të ri pas anëtarësimit të në INTERPOL", tha Avdiu.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, tha për Radion Evropa e Lirë se pritjet janë që të konfirmohet pranimi i Kosovës në INTERPOL, si anëtare me të drejta të plota.

“Republika e Kosovës i plotëson të gjitha kushtet për të qenë bashkë partnere e vendeve të botës në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizimit", tha Zyberaj.

Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës janë duke punuar dhe duke bërë të gjitha përpjekjet për anëtarësimin e vendit në INTERPOL.

Ai tha po ashtu se Kosova i ka kryer të gjitha përgatitjet e duhura, dhe se sipas tij, mekanizmat dhe institucionet e policisë janë në gjendje të marrin obligimet që dalin nga anëtarësimi.

Zeka konsideron se anëtarësimi në INTERPOL do të jetë një ndihmë jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin dhe Evropën.

"Ne besojmë fuqishëm, besojmë se punimet që është duke i mbajtur Asambleja e Përgjithshme dhe prezenca e shteteve aty, ka një refleksion, që megjithatë, besojmë që do të jemi pjesë e INTERPOL-it. Përfitimet e Kosovës në INTERPOL, respektivisht rreth sigurisë, me një fjalë janë të shumanshme, janë shumëdimensionale".

"Pikë së pari, po marrë disa shembuj, nëse marrim aspektin e kriminalitetit ose terrorizmit, është një komunikim ndërkombëtar dhe mundësia, pastaj, është më e lehtë e kyçjes së Kosovës. Është pjesë e sigurisë globale, nuk është siç kemi qenë deri më tani, që përmes mekanizmave tjerë, ne kemi asistuar në INTERPOL", tha Zeka.

INTERPOL-i është organizata më e madhe ndërkombëtare për bashkëpunim policor. Në bazë të përshkrimit të detyrave, qëllimi i INTERPOL-it është të ofrojë mbështetje sa më të madhe për institucionet policore të vendeve që janë anëtare në pajtim me ligjet e vendeve përkatëse dhe Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut. Ky mekanizëm ka për synim zhvillimin e institucioneve për të parandaluar dhe luftuar në mënyrë efikase veprat penale të shkaktuara nga shkelësit e ligjit.

INTERPOL-i ka katër prioritete strategjike që rrjedhin si rezultat i sfidave të bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Ato përfshijnë: sigurimin e një sistemi të informacionit global policor; mbështetjen e vazhdueshme për institucionet policore të vendeve anëtare në zbatimin e ligjit; ndërtimin e kapaciteteve përmes mbështetjes dhe trajnimeve të ndryshme në fushën e zbatimit të ligjit si dhe mbështetjen në identifikimin e krimeve dhe kriminelëve përmes informacioneve të bazës së të dhënave të INTERPOL-it.

INTERPOL-i ka si qëllim luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit me qenie njerëzore e terrorizmit, por që nuk kufizohet vetëm në luftimin e këtyre fenomeneve.

Anëtarësimi në INTERPOL nuk ka si kusht paraprak të qenurit anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuar. Kjo mundësi, po shfrytëzohet tani edhe nga Kosova për anëtarësim.

Përndryshe, Kosova fillimisht ka aplikuar për t’u anëtarësuar në INTERPOL më 2010 dhe ka përsëritur kërkesën pesë vjet më vonë. Më 2017, Kosova pati hequr dorë nga kërkesa për pranim në këtë organizatë, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

XS
SM
MD
LG