Ndërlidhjet

Si do të financohen projektet infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Serbinë?


Pamje nga droni e një autostrade në Kosovë. Fotografi ilustruese.
Pamje nga droni e një autostrade në Kosovë. Fotografi ilustruese.

Afër 400 milionë euro do t’i duhen Kosovës për të realizuar dy nga projektet infrastrukturore që bëjnë lidhjen mes Prishtinës dhe Beogradit.

Autostrada e Paqes 'Prishtinë – Merdare', si dhe linja hekurudhore e relacionit po të njëjtë, janë dy projektet për të cilat në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova është zotuar se do t’i përmbushë.

Financimi i këtyre dy projekteve është thënë se do të bëhet nga Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së (DFC) dhe EXIM (Export-Import) Banka, por që zyrtarë të institucioneve të Kosovës nuk kanë dhënë detaje për mënyrën e financimit të tyre përmes granteve, kredive apo mënyrave të tjera.

Këtë javë, Kosovën dhe Serbinë e vizitoi një delegacion amerikan, në krye me Adam Boehler, kryeshefin e DFC-së. Temë e bisedimeve me zyrtarë në Kosovë dhe Serbi ishte zbatimi i marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Kredi apo grante?

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) do të ndihmojë Qeverinë e Kosovës për të zbatuar projektet e marrëveshjes si dhe do të ofrojë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, tha për Radion Evropa e Lirë se në takimet që kanë pasur në Serbi me delegacionin nga Uashingtoni, modalitetet e financimit të projekteve që dalin nga marrëveshja e Uashingtonit janë diskutuar, por nuk është se janë sqaruar.

Ai thotë se është duke u folur për disa mundësi të cilat, siç thotë ai, janë shumë të favorshme për financimin e këtyre projekteve.

“Sigurisht që do të jenë në formë të kombinuar, prej kredive afatgjate me norma të favorshme të interesit dhe në disa raste ka mundësi edhe për grante për shpenzime të ndryshme operative që mund të jenë në projekte të caktuara. Ka disa modalitete që i ka Korporata Financiare Amerikane dhe EXIM Banka, që është bankë amerikane, e që e financon eksportin e kompanive amerikane dhe e cila i ka përmendur edhe disa opsione të granteve për shpenzime operative të kompanive që mund të përfitojnë nga këto”, thotë ai.

Kush janë financuesit e projekteve infrastrukturore?

Korporata Ndërkombëtare për Zhvillim Financiar e SHBA-së (DFC), është bankë e zhvillimit të Amerikës e cila bashkëpunon me sektorin privat duke financuar zgjidhjet e sfidave më kritike me të cilat përballet bota në zhvillim.

DFC investon në sektorë duke përfshirë energjinë, kujdesin shëndetësor, infrastrukturën kritike dhe teknologjinë. DFC po ashtu siguron financim për bizneset e vogla dhe gratë sipërmarrëse, me qëllim krijimin e vendeve të punës në tregjet në zhvillim.

Ndërkaq, Banka EXIM u ofron bizneseve amerikane zgjidhje për t’u mbrojtur nga mospagimi i blerësve të huaj dhe i mbështet ato në eksportin e mallrave dhe shërbimeve amerikane.

Kosova dhe SHBA-ja zotohen për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:37 0:00

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ende nuk dihet se kush do t’i financojë projektet që dalin nga marrëveshja, por ka shtuar se DFC-ja është duke parë mundësitë për ta pasur një prezencë të madhe në rajon, duke përfshirë edhe Kosovën, si dhe do të jetë e përfshirë “Banka jonë EXIM, Banka Eksport-Import”.

"Ne shpresojmë po ashtu se do të ketë investime dhe nga sektori privat. Dhe sigurisht investimet evropiane...Unë mendoj se kjo do të jetë një çështje për bisedime intensive në muajt e ardhshëm, por asgjë nuk është vendosur ende", ka deklaruar ambasadori Kosnett.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se duke parë se kush do t’i financojë këto projekte infrastrukturore, nënkuptohet që këto financime do të jenë kredi.

“Çdo marrëveshje që lidhet me financim të infrastrukturës është e mirëseardhur. Financimi do të jetë me kredi, për të cilat nuk e dimë se çfarë kredi janë në çfarë kushte po jepen, sa është afati i kthimit dhe norma e interesit. Sidoqoftë, janë kredi që jepen për investime në infrastrukturë, që është jetësore për ekonomi dhe integrim”, thotë ai.

Krijimi i vendeve pune

Investimi në këto projekte infrastrukturore, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, do të krijojë një infrastrukturë strategjike, e cila më pas do të tërheqë një numër të madh të kompanive ndërkombëtare, ku edhe mundësia për krijimin e vendeve të reja të punës rritet.

“Ka një orientim që kompanitë amerikane që janë në Azi të vendosen në këtë pjesë dhe infrastruktura e modernizuar e ndihmon këtë. Kosova mund të shndërrohet në një epiqendër të logjistikës dhe transportit ndërkombëtar. Ndoshta ky efekt nuk shihet menjëherë, por në një periudhë afatmesme do të kthehet në shumë efekte pozitive”, thotë ai.

27 kilometra autostradë, 240 milionë euro

Autostrada Durrës – Morinë – Prishtinë – Merdare – Nish

Autostrada Durrës – Morinë – Prishtinë – Merdare – Nish është pjesë e rrjetit Bazik të Transportit në kuadër të Rrjetit Trans – Evropian të Transportit.

Kjo rrugë kalon përmes Kosovës, nga Vërmica në kufirin me Shqipërinë dhe në Merdare në kufirin me Serbinë, me një gjatësi totale prej 128 km dhe siguron qasjen e vendit në Detin Adriatik dhe në Detin e Zi, duke përmirësuar lidhjet me vendet e tjera të Ballkanit dhe Korridoret Evropiane të Transportit IV dhe X.

Projekti i Autostradës në pjesën e Kosovës, nga Morina në Prishtinë, ka përfunduar dhe është lëshuar në qarkullim.

E ashtuquajtur në marrëveshje Autostrada e Paqes, kjo autostradë, në territorin e Kosovës, është vazhdimësi në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, që ka përfunduar deri në Besi, fshat ky që gjendet rreth magjistrales Prishtinë – Podujevë. Mbesin edhe rreth 24 kilometra tjera deri në Merdare.

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se këto kilometra të mbetura kanë një kosto prej përafërsisht 240 milionë euro.

BE: Autostrada e Paqes është një lidhje me prioritet

Bashkimi Evropian ndërkohë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shumë prej projekteve të përfshira në marrëveshjen e Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, janë duke u zhvilluar në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Projekti për autostradën që lidh Kosovën me Serbinë është një projekt i nisur me herët dhe si i tillë ishte përkrahur edhe nga Bashkimi Evropian.

Ky projekt është i përfshirë edhe në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian. Në këtë kornizë ky projekt figuron se është në përgatitje.

“Rreth 223 milionë euro përfshijnë 5 milionë donacione nga Bashkimi Evropian në asistencë teknike për pjesën Prishtinë-Merdare dhe 230 milionë për pjesën në mes të Nishit dhe Ploçnikut, duke përfshirë 50 milionë euro donacionet për asistencë teknike dhe punime. Derisa Autostrada e Paqes është një lidhje me prioritet, ne presim edhe investime të tjera nga BE-ja”, thotë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ana Pisonero, zëdhënëse e BE-së për Partneritete Ndërkombëtare, Fqinjësi dhe Zgjerim.

Ndërkaq në rastin e hekurudhave, BE-ja ka aprovuar 1.4 milion euro donacione për studimit e para-fizibilitetit për sektorë të ndryshëm.

“Disa nga projektet e nënvizuara në Uashington janë të reja dhe duhet të vlerësohen në pjesën e fizibilitetit dhe përputhshmërisë, ashtu sikurse BE-ja planifikon për rajonin. Ne jemi të gatshëm të punojmë me partnerët tanë nga SHBA-ja dhe po shikojmë nga e ardhmja për detaje të tjera rreth kontributit të tyre financiar”, thuhet në përgjigje.

Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë qysh nga vitin 2011.

45 kilometra hekurudhë, 150 milionë euro

Përveç autostradës, në marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, është edhe ndërtimi i linjës hekurudhore, Prishtinë - Merdarë. Vlera e këtij segmenti hekurudhor me gjatësi prej 45 kilometra arrin në 150 milionë euro, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 9 shtator, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi.

“Këtu e kemi lënë të hapur mundësinë, nëse traseja ekzistuese do të jetë apo do të bëhet trase tjetër, pasi që dihet që në pjesën që kalon nëpër Prishtinë, ky rrjet apo kjo rrugë ka pasur ndërhyrje të mëdha. Po ashtu edhe tuneli që është i dëmtuar, merr një kosto të madhe të rehabilitimit. Pra, varësisht nëse është kjo trase apo tjetër, ndryshon edhe kostoja”, ka thënë ministri Abrashi.

Kompania “Infrakos” merret me infrastrukturën hekurudhore në Kosovë. Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë kompani, Xhevat Ramosaj, nuk ka pranuar të prononcohet për Radion Evropa e Lirë lidhur investimet në këtë hekurudhë.

Por, në një raport të publikuar nga “Infrakos” lidhur me projektet zhvillimore dhe Linjën e 10-të hekurudhore për periudhën korrik – gusht 2020, thuhet se “ka filluar hartimi i projekt-dizajnit preliminar për rehabilitimin gjeneral dhe modernizimin e linjën së 7-të hekurudhore (kufiri me Serbinë – Podujevë – Prishtinë - Fushë Kosovë). Ky projekt-dizajn është në përfundim e sipër, ndërsa afati i përfundimit varet nga situata në terren për shkak të pandemisë me COVID 19”.

Ndryshe, transporti hekurudhor në Kosovë është një nga sistemet më të dobëta në rajon, edhe pse viteve të fundit ka filluar modernizimi i tyre, të financuara me kredi dhe subvencione nga Bashkimi Evropian.

Në fillim të vitit 2019, ka filluar rehabilitimi i segmentit të parë hekurudhor në relacionin, Prishtinë – Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë e Veriut dhe pritet të përfundojë në fillim të vitit tjetër. Në ndërkohë është paralajmëruar që së shpejti do të fillojë edhe linja e dytë, që përfshin rrjetin hekurudhor Prishtinë –Leshak, në kufirin me Serbinë.

Kjo linjë, që ndryshe njihet si “Korridori i 10-të”, përkatësisht hekurudha që shkon nga kufiri më Maqedoninë e Veriut, përshkon Kosovën dhe kalon në Serbi dhe lidh Kosovën me vendet e Evropës Perëndimore. Kjo linjë është e gjatë 148 kilometra.

Në kohën kur ka filluar ky projekt, kryeshef ekzekutiv në “Infrakos” ka qenë Agron Thaçi. Ai në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thekson se i gjithë projekti do të kushtojë rreth 208 milionë euro dhe pritet të përfundojë në vitin 2024.

Linja hekurudhore e Kosovës

Trenat e Kosovës sot nuk lidhen me asnjë linjë ndërkombëtare, ndërkohë që gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, qytetarët e Kosovës e kanë pasur mundësinë që të udhëtojnë duke shfrytëzuar hekurudhat e Kosovës për në shumë vende perëndimore, pasi trenat e Kosovës kanë qenë të lidhur me linjat ndërkombëtare.

“Nga këto mjete, gjysma e tyre janë grante, janë mjete pa kthim falas, kurse gjysma tjetër janë kredi nga dy banka, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH) si dhe Banka Evropiane për Investime, me interesa jashtëzakonisht të ulëta”, është shprehur Thaçi.

Aktualisht, në qarkullim janë vetëm dy linja, nëpër të cilat kalojnë trenat e Kosovës. Linja Prishtinë – Hani i Elezit, si dhe linja që qarkullon dy herë në ditë në relacionin Prishtinë – Pejë.

A mund Kosova të futet në borxh publik

Ndryshe, nëse Kosova futet në kredi për realizmin e projekteve infrastrukturore, atëherë do të rritej borxhi publik.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Kosova ka shkallën më të ulët të borxhit publik, krahasuar me vendet e rajonit. Borxhi publik, sipas këtyre të dhënave, në vitin 2019 ka arritur në 1.2 miliard euro.

Në Ligjin për borxhet publike në Kosovë thuhet se në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Haki Shatri, ekspert i ekonomisë, thotë se Kosova ka hapësirë për të hyrë në borxh publik.

“Nëse marrim kredi për këto projekte do të rritet borxhi publik i Kosovës, por nuk e dimë se sa janë. Sipas ligjeve tona në fuqi, Kosova ka hapësirë për të hyrë në borxhe publike deri në 40 për qind të BPV-së. Ne tani jemi 17 për qind të ngarkuar me borxhe, kështu që kemi një hapësirë të madhe”, thotë ai.

Kosova shpenzoi 1.4 miliard euro nga buxheti për autostrada

Viteve të fundit infrastruktura ka mbizotëruar investimet në Kosovë. Përveç ndërtimit të rrugëve lokale e magjistrale, janë ndërtuar edhe autostrada që lidhin Kosovën me vendet e rajonit dhe të Evropës. Përqindja më e madhe e buxhetit të Kosovës, zakonisht është ndarë pikërisht për ndërtimin e autostradave.

Autostrada ‘Ibrahim Rugova’, e cila ishte lëshuar në qarkullim në fund të vitit 2013, ka kushtuar mbi 820 milionë në euro. Mjetet për këtë autostradë ishin të buxhetit të Kosovës.

Vetëm një vit më vonë, më 2014, patën nisur punimet e autostradës e cila shtrihet nga Prishtina në Han të Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut. Inaugurimi i kësaj autostrada ishte bërë në maj të vitit 2019 dhe buxhetit të Kosovës i ka kushtuar mbi 600 milionë euro.

Konsorciumi turko-amerikan 'Bechtel-Enka' i kanë ndërtuar të dy autostradat në Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG