Ndërlidhjet

Futet në përdorim fjalori digjital shqip-serbisht dhe anasjelltas


Promovimi i fjalorit shqip- serbisht dhe anasjelltas
Promovimi i fjalorit shqip- serbisht dhe anasjelltas

Nëse jetoni në Kosovë dhe flisni në gjuhën shqipe dhe atë serbe, atëherë kjo është rastësi dhe jo rezultat i punës së sistemit arsimor ose institucioneve. Kështu është thënë të enjten gjatë lansimit për përdorim të fjalorit të parë digjital shqip-serbisht dhe serbisht shqip, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.

Gjuha shqipe dhe ajo serbe janë gjuhët zyrtare në Kosovë. Në raportin e Qendrës për nisma sociale në Kosovë, në vjeshtë të vitit 2018, është konstatuar se bashkësia serbe në Kosovë mezi që ka ndonjë njohuri të gjuhës shqipe. Sipas hulumtimeve, 5 për qind e pjesëtarëve të kësaj bashkësie dinë të flasin në gjuhën shqipe, ndërkaq që rreth 18 për qind e shqiptarëve dinë të flasin në gjuhën serbe. Hulumtimi, gjithashtu, tregon që kjo përqindje është duke rënë gjithnjë e më shumë te popullata e re.

Problemet, të cilat shfaqen gjatë zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Kosovë, kanë të bëjnë kryesisht me mospërgatitjen e kuadrove që punojnë për këtë çështje, tha komisionari për gjuhë pranë Qeverisë së Kosovës, Slavisha Mladenoviq, zyra e të cilit, gjithashtu ka qenë e përfshirë në projektin e hartimit të fjalorëve digjitalë.

“Zgjidhja për këtë problem është përfshirja e gjuhës së rrethit në sistemin e arsimit, por fatkeqësisht këtë nuk e vërejti askush. Tash e tri dekada nuk kemi shkolla, në të cilat të rinjtë mësojnë gjuhën e fqinjëve të tyre”, theksoi Mladenoviq.

Me problemin e mosnjohjes së gjuhës shqipe ballafaqohet Milena Todoroviq nga Graçanica, gazetare e shërbimit në gjuhën serbe në transmetuesin publik të Kosovës në Prishtinë. Ajo tha se gjatë komunikimit të përditshëm në qytet ose me kolegët,nuk ka probleme, por ato shfaqen gjatë punës.

“Marrë parasysh që raportojmë në gjuhën serbe, ndërkaq që të gjitha ngjarjet në Prishtinë janë kryesisht në gjuhën shqipe, atëherë ballafaqohemi me problemin e vonesës, sepse procesi i përkthimit është i gjatë. Kemi fatin që në kolektivin tonë kemi kolegë që i njohin mirë të dy gjuhët dhe na ndihmojnë. Por, konsideroj që, në rast se punoni dhe jetoni në Kosovë, është vërtet e domosdoshme që ta njihni gjuhën shqipe”, theksoi Todoroviq.

Një nga autoret e këtij fjalori, Ana Sivaçki, tha që qëllimi i fjalorit ‘online’, në të cilin që nga viti 2018 kanë punuar ekspertët nga Prishtina dhe Beogradi, është pikërisht fakti që t’iu ndihmohet të punësuarve në degë të ndryshme të administratës shtetërore, përkthyesve dhe të tjerëve.

“Prandaj, ndonëse bëhet fjalë për një fjalor klasik dhe standard dygjuhësor, ai përmban edhe terminologjinë nga fusha të ndryshme profesionale, sikurse janë ato: administrative, juridike, llogaritëse, e sidomos ajo e medicinës”.

“Vetë fjalori është i organizuar që para së gjithash të përmbajë udhëzime në gjuhën shqipe, me shtesa e duhura, e më pas përkthimet në gjuhën serbe. Veçanërisht janë të rëndësishëm shembujt në formë të frazave dhe shprehjeve të ndryshme dhe jemi përpjekur që të ilustrojmë përdorimin e atyre frazave, të cilat i kemi renditur në fjalor”, u shpreh Sivaçki.

Fjalori aktualisht përmban 20 mijë fjalë, ndërkaq planifikohet që deri në qershor të vitit 2021, të ketë 50 mijë deri në 60 mijë fjalë në të dyja gjuhët.

Autori tjetër i fjalorit, Qemal Murati, tha se nevoja për hartimin e këtij fjalori, ka qenë e madhe për shkak se fjalorët e mëhershëm në biblioteka, të para 30 vjetëve e më shumë, nuk i kanë përmbushur kërkesat e përdoruesve, ndërkaq që në anën tjetër ka qenë e nevojshme që edhe fondi i leksikut të atyre fjalëve “të krihet”.

“Fjalori serbisht-shqip dhe shqip-serbisht, jo vetëm që ka munguar në zonat folëse të serbëve dhe shqiptarëve, por që në shumë pika edhe janë të tejkaluara, si për fondin e fjalëve ashtu edhe për përshkrimin e zërave dhe frazeologjisë. Ata kanë pasur mungesa të mëdha drejtshkrimore dhe terminologjike dhe nuk kanë ofruar përmbledhje të plotë të gjuhëve shqipe dhe serbe”, theksoi Murati.

Zana Haruni, studente nga Presheva, e cila jeton në Prishtinë, konsideron që është mjaft mirë që të njihen gjuhët e huaja, pavarësisht për cilën gjuhë bëhet fjalë.

“Megjithatë, këtu në Kosovë nuk është edhe e domosdoshme njohja e gjuhës serbe aq sa është, për shembull, e domosdoshme për bashkësinë serbe që ta njohë gjuhën shqipe, në rast se ata punojnë në Prishtinë dhe të ngjashme”, tha Haruni.

Fjalori ‘online’ është krijuar me mbështetjen e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Organizatës ndërkombëtare të Migrimit (IOM) dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë.

Përgatiti: Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG