Ndërlidhjet

Bashkësia Politike Evropiane "nuk është alternativë" e BE-së


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Vetëm dy ditë para se Komisioni Evropian të publikojë mendimin për t'u dhënë ose jo statusin e kandidatit Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, në Bashkimin Evropian po diskutohet edhe për planin e Francës për krijimin e një Bashkësie Politike Evropiane.

Franca ka prezantuar te vendet anëtare një "non-paper", në të cilin ka pasur qasje edhe Radio Evropa e Lirë. Në gjuhën e institucioneve evropiane, "non-paper" është një dokument joformal, i cili prezantohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, në përpjekje për të gjetur marrëveshje për ndonjë çështje të kontestuar.

Dokumenti lidhur me Bashkësinë Politike Evropiane është dërguar në prag të një takimi të liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në Bruksel javën e ardhshme, më saktësisht më 23 qershor. Të njëjtën ditë takohet edhe Këshilli Evropian, i cili do të ketë si temë zgjerimin e BE-së.

“Këshilli Evropian më 23 dhe 24 qershor do të ketë përpara kërkesën për të vendosur për aplikacionin e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, në bazë të mendimit të Komisionit Evropian. Çfarëdo që të arrihet në këtë fazë në këtë Këshill [Evropian], politika e zgjerimit, për shkak të kërkesave për reforma të domosdoshme që duhet plotësuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe kohëzgjatja që pason për shkak të kësaj, nuk ofron sot kornizë të nevojshme politike për t’u përgjigjur ndaj nevojave historike dhe gjeopolitike që dalin nga lufta kundër Ukrainës dhe për të ndërtuar strukturimin politik të kontinentit tonë evropian”, shkruan në këtë "non- paper" të Francës.

“Për këtë shkak, ne propozojmë që këtë vit të krijohet Bashkësia Politike Evropiane mes të gjitha vendeve të evropiane që dëshirojnë së bashku të kontribuojnë për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit tonë”, thuhet më tej në këtë dokument.

Aty po ashtu nënvizohet se “Bashkësia Politike Evropiane do të jetë e hapur për shtete evropiane që ndajnë vlerat demokratike, pa marrë parasysh a janë apo jo anëtare të Bashkimit Evropian dhe pa marrë parasysh natyrën e raporteve të tyre me Bashkimin Evropian”.

Franca argumenton se një Bashkësi Politike Evropiane nuk do ta zëvendësonte Këshillin e Evropës apo Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), apo raportet transatlantike.

“Por, sot ne nuk kemi një forum evropian të paspecializuar që do t’i bashkonte të gjithë anëtarët e familjes evropiane në mënyrë të barabartë dhe në frymën e unitetit të kontinentit tonë”, thuhet në "non-paperin" e Francës.

Sipas Francës, të gjitha kornizat multilaterale do të mbeten, por duhet të krijohet një sens i unitetit.

Franca e mendon Bashkësinë Politike Evropiane si një bashkësi, e cila do të forconte lidhjet politike, ekonomike, kulturore dhe të sigurisë mes anëtarëve të saj.


“Do të ofrojë një forum për koordinim, vendimmarrje dhe projekte bashkëpunuese për t’u përgjigjur në mënyrë konkrete ndaj sfidave, me të cilat përballen të gjitha shtetet në kontinentin evropian; politika e jashtme dhe e sigurisë, zhvillimi i infrastrukturës dhe interkoneksionit, mobilitetit, migrimit, luftës kundër krimit të organizuar dhe raporteve me aktorët tjerë gjeopolitikë”, thuhet në letrën që Franca e ka shpërndarë për të sqaruar idenë e presidentit Emanuel Macron për Bashkësinë Politike Evropiane.

Me këtë letër Franca ka bërë përpjekje për t’i heshtur zërat që kanë tërhequr vërejtjen se kjo ide mund të ketë për qëllim që ta dëmtojë procesin e zgjerimit duke krijuar alternativë.

“Bashkësia Politike Evropiane nuk do të jetë alternativë e anëtarësimit në BE dhe nuk do të jetë zëvendësim për procesin e zgjerimit. Për shtetet evropiane që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian do të jetë, për më tepër, mundësi për forcimin e lidhjeve me vendet e BE-së para se të bëhen anëtare, si në aspektin politik, ashtu edhe në pjesëmarrjen në disa politika të BE-së, dhe, aty ku është e duhur, të integrohen gradualisht në tregun e brendshëm të BE-së”, thuhet në këtë dokument.

Sipas planit të Francës, Bashkësia Politike Evropiane do ta kishte një formë të “strukturës së lehtë legale”, me kapacitetet të marrjes së vendimeve, duke respektuar autonominë vendimmarrëse të Bashkimit Evropian dhe secilit vend anëtarë që përbën bashkësinë. Takimet në kuadër të Bashkësisë Politike Evropiane do të zhvilloheshin disa herë në vit, në nivele të shefave të shteteve apo të ministrave.

Krahas Francës, edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kishte propozuar një ide të ngjashme, por ai e kishte emërtuar atë si “Bashkësi Gjeopolitike Evropiane”.

Franca në fund të këtij muaji përfundon kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian, ndërsa nga 1 korriku deri në fund të vitit këtë rol do ta ketë Çekia.

Facebook Forum

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG