Ndërlidhjet

Edhe Franca e bojkoton konferencën e OKB-së mbi racizmin


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Franca njoftoi se do ta bojkotojë një konferencë mbi racizmit të organizuar nga Kombet e Bashkuara.

Të njëjtin vendim, më herët, e kishin marrë edhe disa vende tjera perëndimore dhe Izraeli.

Problemi qëndron në faktin se këto vende vlerësojnë se në konferencën e parë mbi racizmin të mbajtur më 2001 në Durban të Afrikës së Jugut ishin bërë deklarata antisemitike.

"I shqetësuar nga historia e vërejtjeve antisemitike të bëra në konferencën e OKB-së mbi racizmin, e njohur si konferenca Durban, presidenti i Republikës ka vendosur që të mos marrë pjesë në konferencën pasuese që do të mbahet këtë vit", tha presidenca franceze.

Konferenca është paraparë të mbahet muajin e ardhshëm në Nju Jork.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Australia, Izraeli dhe disa vende të tjera evropiane kanë njoftuar tashmë se do ta bojkotojnë takimin e këtij viti për shkak të shqetësimeve rreth antisemitizmit.

Konferenca e Durbanit më 2001 ishte dominuar nga përplasjet mbi Izraelin dhe palestinezët, si dhe trashëgiminë e skllavërisë.

Takimin e patën lëshuar Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Izraeli pasi në diskutimet për një projekt -rezolutë kritikohej Izraeli dhe bëhej ndërlidhja me racizmin.

Në dokumentet përfundimtare të konferencës nuk u përfshi një gjuhë e tillë ndaj Izraelit, por në ato u bë thirrje për çrrënjosjen e racizmit, diskriminimit racor, ksenofobisë dhe intolerancës.

Dokumentet gjithashtu shprehën keqardhje për vuajtjet njerëzore të shkaktuara nga skllavëria.

Disa vende perëndimore besojnë se kritikat ndaj Izraelit dhe pushtimit të territoreve palestineze shpesh kalojnë në antisemitizëm.

Palestinezët, shtetet arabe dhe vendet e tjera thonë se kritikat për okupimin e territoreve palestineze nga Izraeli nuk përbëjnë antisemitizëm.

Antisemitizmi është një perceptim i caktuar ndaj hebrenjve, i cili mund të shprehet si urrejtje ndaj tyre dhe konsiderohet të jetë një formë racizmi.

XS
SM
MD
LG