Ndërlidhjet

Fyerjet si “standard” në fjalorin e politikanëve


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Fjalori fyes dhe gjuha denigruese që përdorin qoftë udhëheqësit e lartë shtetërorë apo edhe zyrtarët tjerë, sidomos disa nga deputetët, nuk është një fenomen i ri në Kosovë.

Por, ky fjalor zakonisht degradon kur në Kosovë ka zhvillime më dramatike në skenën politike, siç është aktualisht çështja e listës së veteranëve të luftës.

Përdorimi i fjalorit të papërshtatshëm politik nga përfaqësuesit e institucioneve të shtetit, nga profesorë e analistë politikë në Prishtinë, po shihet jo vetëm si papjekuri politike, por edhe mungesë e kulturës së komunikimit normal në diskursin publik.

Ata iu referohen konflikteve të fundit verbale që nisi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kur në një intervistë në një televizion lokal, Kohavision, e ka quajtur “hajn” dhe “pishpirik” prokurorin Elez Blakaj, i cili kishte dhënë dorëheqje pas, siç kishte thënë, presioneve që ishin ushtruar ndaj tij për rastin nën hetime të veteranëve “mashtrues” që po përfitojnë paga e benificione nga buxheti i Kosovës.

Kurse, të enjten, prapë kryeministri Haradinaj, në RTV 21 e ka quajtur “hajn ordiner” liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Por, edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e kishte quajtur kryeministrin Haradinaj, “mashtrues përveçse kërcënues”.

Një komunikim edhe më i ashpër politik vërehet edhe nëpër rrjetet sociale, ku shpesh protagonistë të debateve fyese janë vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës nga parti të ndryshme politike.

Profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin Filologjik, në Universitetin e Prishtinës, Bardh Rugova thekson se në përgjithësi në komunikimin publik ekziston një mungesë e kulturës, e cila ka të bëjë me mosdallimin, se çka quajmë fakt dhe çka quajmë mendim të lirë.

Ai thotë se asnjë individ apo zyrtar i lartë nuk është kompetent për të vlerësuar psikologjinë as inteligjencën e dikujt tjetër.

“Si mendim i lirë një individ mund të shprehë mendimin e tij, dhe askush nuk do ta pengojë, është e drejtë e secilit prej nesh që të ketë një mendim. Mirëpo, në qoftë se ne e ngatërrojmë faktin dhe e quajmë dikë, po e zëmë, më herët e kemi pasur një rast dikush e quante dikë ‘i çmendur’ ose ‘budalla’, atëherë jemi duke bërë një gabim faktik”, thotë Rugova.

Edhe sociologu Ismail Hasani, për Radion Evropa e Lirë, thotë se përdorimi i gjuhës përjashtuese, përdoret pothuajse nga të gjithë zyrtarët e lartë shtetërorë dhe ky fakt, sipas tij, është i dëmshëm për shoqërinë në përgjithësi.

“Para së gjithash, gjuha denigruese, fyese dhe aspak e artikuluar është rezultat i nivelit të edukimit të tyre dhe të një fitimi të një kuraje të rreme, në emër të përfitimit të votave dhe kinse ata janë përfaqësuesit e popullit”.

“Edhe me marrjen e përgjegjësive që u takojnë, ata mendojnë se komunikimi me publikun mund të bëhet edhe përmes fyerjes apo denigrimeve, siç ishte rasti me përdorimin e fjalës ‘pishpirik’ nga kryeministri i Kosovës, ndaj ish-prokurorit Blakaj, fjalë e cila edhe në rrugë nëse dëgjohet, njeriu ndihet keq”, thotë Hasani.

Ndërkaq, profesori Bardh Rugova shpreh shqetësimin se përdorimi i fjalëve fyese apo denigruese po krijon një kulturë komunikimi, në të cilën etiketimi i njerëzve përpiqet të paraqitet si legjitim, e që në fakt nuk është.

“Gjithë kjo që vjen nga zyrtarët e lartë, nga njerëzit që janë pjesë e elitave politike, gjithçka që vjen përmes mediumeve, ka rrezik të shërbejë si model. Dhe, unë nuk kam ndonjë problem të edukimit, se a është fjalë e ndytë apo jo. Për mua problematike është se po e krijon kulturën, me të cilën po e zëvendëson mendimin e lirë me etiketim. Po krijon një kulturë komunikimi, me të cilën etiketimi i njerëzve qenka legjitim, e që nuk është ashtu”, sqaron Rugova për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, profesori Ismail Hasani, thotë se opinioni dita-ditës po irritohet nga paraqitje të tilla publike të përfaqësuesve politikë.

“Kjo që po ndodh, vërtet, është brengosëse dhe po irriton popullin. Unë gjykoj që populli t’i kalkulojë këto dhe normalisht që do të duhet t’i ndëshkojë”, vlerëson Hasani.

Ndryshe, analistët tërheqin vërejtjen se ashpërsimi i fjalorit te liderët politikë, nuk mund të sjellë ndonjë klimë pozitive, aq më pak, në situatën politike në të cilën gjendet Kosova.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG