Ndërlidhjet

Demokratët sfidojnë fuqinë e Bidenit në garën për president


Debati i kandidatëve demokratë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020
Debati i kandidatëve demokratë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020

Ndasitë ideologjike në Partinë Demokratike në Shtetet e Bashkuara, janë thelluar të mërkurën, pasi kandidatët presidencialë janë përballur me njëri-tjetrin për kujdes shëndetësor, imigrim dhe çështje racore, duke testuar kështu kandidaturën e ish nën-presidentit amerikan, Joe Biden, që konsiderohet favorit nga radhët e demokratëve.

Biden është detyruar vazhdimisht që të mbrojë qasjen e tij disa dekadëshe në politikë, pasi rivalët e tij më të rinj në moshë, kanë pretenduar se bashkëpunimi i tij tetëvjeçar me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, nuk është arsye e mjaftueshme që ai të fitojë nominimin e demokratëve, transmeton agjencia e lajmeve, Associated Press.

Sulmet ndaj Bidenit në debatin e dytë presidencial kanë qenë më të shprehura nga senatorja e Kalifornisë, Kamala Harris, e cila ka thënë se gatishmëria e ish-nën presidentit amerikan për të punuar gjatë viteve 1970 me disa ithtarë të ndasive racore, mund të ketë pasoja të mëdha.

Sipas saj, nëse ndasi të tilla do të ekzistonin ende mes racave, ajo dhe kandidati tjetër presidencial me ngjyrë, Cory Booker do ta kishin të pamundur për të fituar pozitën e senatorit.

Mirëpo, Biden ka përsëritur lidhjen e tij me Obaman.

“Ne jemi duke folur për këto gjëra që kanë ndodhur shumë kohë më parë. Secili po flet se sa i tmerrshëm jam unë në këto çështje. Barack Obama e ka ditur kush isha unë”, ka thënë ai.

Këto diskutime kanë shpërfaqur sfidat, me të cilat përballet Biden dhe partia e tij, teksa demokratët synojnë të rindërtojnë një koalicion të shumë kulturave dhe racave, që i ka ndihmuar Obamas të fitojë dy palë zgjedhje presidenciale.

Këto dallime janë diskutuar në një varg çështjesh, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, imigrimin dhe të drejtat e grave për riprodhim.

Mirëpo, ka qenë debati për raca që ka shënuar një moment përshkallëzues mes kandidatëve demokratë.

Ndërkohë, sondazhet kanë treguar se Biden ka mbështetje më të madhe nga votat e minoriteteve për dallim nga konkurrentët e tij, sidomos në Karolinën Jugore.

Demokratëve iu duhen vota edhe për Detroit, pasi kanë nevojë për mbështetjen e minoriteteve për të mposhtur vitin e ardhshëm presidentin aktual, Donald Trump, është thënë në shkrimin e AP-së.

Megjithatë, ata janë duke vazhduar luftën e brendshme mes partisë, situatë të cilën shumë persona do ta anashkalonin, në mënyrë që fokusi të bie në mposhtjen e Trumpit.

Strategjitë për kujdes shëndetësor

Biden ka konsideruar se plani për kujdes shëndetësor i kandidates Harris do t’iu kushtonte taksapaguesve amerikanë 3 trilionë dollarë pas dy mandateve presidenciale dhe se, sipas tij, një gjë e tillë nuk do të vendoste demokratët në pozitë të mirë për dallim nga Trumpi.

“Ju nuk mund të mposhtni presidentin Trump me një plan të tillë”, ka thënë ai.

Mirëpo, Harris ka thënë se Biden nuk ka të drejtë.

“Çmimi i të mos bërit asgjë është shumë i shtrenjtë. Plani juaj nuk i mbulon të gjithë në Amerikë”, ka thënë Harris.

Diskutimet e së mërkurës kanë qenë të parat, kur Harris është përballur me sulme rreth planit të saj universal për kujdes shëndetësor. Ndaj saj janë nisur kritika nga të gjitha palët pasi ka prezantuar planin që parasheh sigurim shëndetësor të drejtuar nga kompani private nën monitorim të rreptë të Qeverisë, ndonëse kërkon që brenda 10 vjetëve të jetë vetëm Qeveria ajo që do të paguajë për këtë sistem.

Gjatë kësaj nate ka pasur shkëmbime të ashpra edhe për çështjen e imigrimit, të cilat kanë përballur kandidatin Biden me sekretarin e Brendshëm amerikan gjatë udhëheqësisë së Obamas, Julian Castro, i cili është kandidati i parë ameriko-latin në këtë garë.

Biden ka sugjeruar se disa prej rivalëve të tij favorizojnë disa ligje që janë shumë tolerante. Castro për shembull, ka thënë se do nuk do t’i konsideronte kriminale kalimet e paligjshme kufitare.

Tendenca për t’u dalluar

Teksa procesi fillestar i votimeve është larg edhe gjashtë muaj tjerë, në mesin e kandidatëve ekziston një tendencë për t’u dalluar. Kjo pasi më shumë se gjysma e tyre mund të bllokohen për fazat tjera të garës, nëse nuk arrijnë pragjet e ardhshme dhe nuk mbledhin fonde të mjaftueshme siç kërkon Komiteti Demokratik Kombëtar.

Prandaj, kjo garë ka shtyrë demokratët që të kthehen kundër njëri-tjetrit në javët e fundit. Përveç kësaj, në debatin e mbrëmshëm zgjedhor ata kanë përmendur shumë edhe ndikimin e Trumpit në jetën amerikane.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG