Ndërlidhjet

"Kushdo që vret gazetarët kryen xhihad"


Protestë pas vrasjes së një gazetare në Afganistan, foto nga arkivi.

Afganistani konsiderohet si një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët, si pasojë e luftërave dhe ekstremizmit fetar.

Mirëpo për disa gazetarë afganë rreziqet janë shtuar, pasi një klerik në qytetin perëndimor, Herat ka deklaruar xhihad, luftë të shenjtë kundër disa mediave në këtë shtet.

Ky hap është kundërshtuar nga autoritetet fetare dhe mediat e pavaruara në Afganistan, të cilat janë përballur me sulme të shtuara nga militantët, dhe ndonjëherë edhe nga vetë Qeveria.

(Video nga arkivi: Nga një sulm në Kabul të Afganistanit, ishin vrarë edhe dy gazetarë të Radios Evropa e Lirë. 30 prill, 2018)

Dhjetëra të vrarë në Kabul
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:39 0:00

Klerikët e linjës së ashpër në të kaluarën kanë nisur fatwa apo urdhër fetar kundër kanaleve që transmetojnë program që ata e kanë cilësuar jo-islamik dhe të modelit perëndimor, ndonëse ende është e paqartë pse kleriku në Herat ka nisur një dekret të tillë fetar kundër mediave më 15 korrik.

“Kryerja e Xhihadit”

Gjatë lutjeve të së premtes, predikuesi, Fazlur Rahman Ansari, ka nisur një urdhër fetar, duke thënë se xhihadi kundër mediave është i “obligueshëm”.

Ende nuk është konfirmuar nëse Ansari është klerik zyrtar.

“Secili që eliminon ata është duke kryer xhihad”, ka thënë kleriku para publikut.

“Kushdo që i vret ata është martir”.

NAI, vëzhgues afgan i pavarur i mediave ka kundërshtuar urdhrin fetar duke thënë se një hap i tillë i “papërgjegjshëm” mund të dëmtojë gazetarët.

“Dekrete të tilla fetare do të shfrytëzohen nga grupe ekstremiste”, ka thënë Hamed Momen, që udhëheq zyrën e këtij vëzhguesi në Herat.

Talibanët dhe grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS) kanë kërcënuar dhe shënjestruar stafin e radiove dhe televizioneve për vite në Afganistan, duke kryer sulme të përgjakshme që kanë rezultuar me dhjetëra gazetarë të vdekur.

Dekrete të paligjshme

Zëdhënësi i provincës, Jilani Farhad ka thënë se ka nisur hetim për këtë çështje dhe do të adresojë atë.

Departamenti i provincës për Çështje Fetare dhe Haxh, ka thënë se dekreti fetar i predikuesit është joligjor dhe vetëm Këshilli i Afganistanit mund të marrë vendime të tilla.

Udhëheqësi i këtij Departamenti, Sayed Mohammad Shirzadi, ka thënë se qindra xhami private janë ndërtuar në vjetët e fundit në Provicën Herat dhe autoritetet fetare nuk i njohin ato apo predikuesit e tyre, mirëpo nuk dihet nëse Ansari është në këtë mes.

“Dekreti i një individi nuk përfaqëson pikëpamjet e Këshillit të Ulema-s dhe ne nuk do të njohim kurrë dekrete fetare individuale”, ka thënë Shirzadi.

Kushtetuta e Afganistanit përcakton se “asnjë ligj nuk mund të jetë në kundërshtimet me besimet e Islamit”, dhe ndonjëherë shfaqet kundër disa elementeve më liberale dhe demokratike që gjenden në të.

Mediat afgane, cak i sulmit

11 gazetarë të vrarë, nëntë prej tyre gjatë një sulmi vetëvrasës të kryer nga IS-i në muajin prill, gjashtë muajt e parë të vitit 2018 përbëjnë “periudhën më të përgjakshme” për gazetarët në Afganistan, ka njoftuar Komiteti Afgan për Sigurinë e Gazetarëve (AJSC), në një raport të publikuar më 18 korrik.

Nëntë gazetarët, duke përfshirë dy gazetarë të Radios Evropa e Lirë dhe një bashkëpunëtore, janë vrarë në një sulm në kryeqytetin afgan, Kabul më 30 prill.

Duke pretenduar se është gazetar, sulmuesi vetëvrasës ka shpërthyer bombën në mesin e gazetarëve, të cilët ishin mbledhur për të mbuluar një tjetër sulm vetëvrasës.

Vëzhguesi afgan (AJSC), ka thënë se sulmi ka qenë “pikë kthese për natyrën e kërcënimeve kundër punëtorëve të mediave” dhe se “intensiteti i dhunës është i pashembullt”.

Sipas këtij Komiteti, 10 gazetarë janë vrarë në periudhën e njëjtë në vitin 2017, derisa gjatë tërë vitit të kaluar kanë humbur jetën 20 punëtorë të mediave.

Organizata, Reporterët pa Kufij ka listuar Afganistanin në vendin e 118-të nga 180 sa janë në total, sa i përket Indeksit të Lirisë së Shtypit.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG