Ndërlidhjet

MEK-u dyshohet për “provokim të luftës” dhe “sulme kibernetike”


Kampi i Manzës i Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, 21 qershor 2023.
Kampi i Manzës i Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, 21 qershor 2023.

Autoritetet në Shqipëri dyshojnë se anëtarët e Organizatës së Muhaxhedinëve të Popullit të Iranit (MEK) që strehohen në këtë shtet, kanë kryer disa vepra penale, ndër to edhe “provokim të luftës” dhe krime kibernetike.

Kështu thuhet në vendimin "për lejimin e kontrollit" të Gjykatës së posaçme të shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Policia shqiptare kreu kontrolle më 20 qershor në kampin në Manzës, afër Durrësit, ku strehohen iranianët.

Prokuroria e posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, thuhet në vendim, ka regjistruar procedimin penal për veprat penale: provokim lufte, përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, ndërhyrje në të dhënat kompjuterike, ndërhyrje në sistemet kompjuterike, keqpërdorim i pajisjeve dhe grup i strukturuar kriminal.

Prokuroria dyshon se MEK ka kryer sulme kibernetike ndaj Iranit, duke hakuar të dhënat nga disa institucione iraniane.

Sulmet kibernetike ndaj Iranit

Në vendimin e gjykatës përmenden edhe disa të dhëna të tjera.

Hetimet ndaj MEK kanë nisur më 18 maj 2023 nga njësia policore për krime kompjuterike. Hetimet nisën pas raportimeve nga agjencia e lajmeve, Anadolu dhe Iran International, ku pretendohej se nga iranianët e strehuar në Manzë kishin kryer një sulm kibernetik ndaj Iranit më 8 maj.

Në mesin e dokumenteve që janë hakuar dhe publikuar në Telegram nga grupi i hakerëve “Kryengritje deri në përmbysje” është edhe korrespondenca mes Iranit dhe Belgjikës për shkëmbimin e dy të burgosurve, diplomatit iranian, Assadollah Assadi me punonjësin humanitar belg, Oliver Vandecasteele.

Në vendimin e gjykatës thuhet se në qershor të vitit 2022 janë hakuar mbi 5.000 kamera sigurie të organeve shtetërore iraniane dhe 150 faqe të internetit të bashkisë së Teheranit, duke shfaqur në to slogane sikurse “Vdekje [liderit suprem iranian, Ayatollah Ali] Khamenieti dhe “Të fala Rajavit”. Massoud Rajavi ka qenë udhëheqës i MEK-ut nga viti 1979. Më 2003 ai është zhdukur dhe fytyra e organizatës është bërë gruaja e tij, Maryam Rajavi.

Irani pretendon se sulmi ndaj bashkisë së Teheranit ka ndodhur në qershor të vitit 2022.

Po ashtu, dyshohet se janë hakuar të dhënat e 11.000 punonjësve të Ministrisë së Jashtme iraniane.

Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin pasi e fajësoi atë se qëndron prapa një sulmi kibernetik që ndodhi në korrik të vitit 2022.

Në vendimin e gjykatës thuhet se pas shkëputjes së raporteve diplomatike mes Tiranës dhe Teheranit, në rrjetet sociale ka pasur një retorikë të shtuar kërcënuese nga Republika Islamike e Iranit për të kryer sulme të mundshme, përfshirë edhe sulme me dronë ndaj organizatës MEK.

Gjithashtu theksohet se Ministria e Jashtme iraniane ka dërguar një notë verbale, në të cilën theksohet se “tre skuadra terroriste të arrestuara së fundi është zbuluar se janë stërvitur në kampin në Shqipëri”.

Autoritetet shqiptare po ashtu thanë se “nga të dhënat e siguruara nga policia gjyqësore rezulton se MEK dhe pjesëtarë të kësaj organizate të akomoduar në Shqipëri paraqiten objektiv i rëndësishëm për Iranin”.

Gjithashtu thuhet se pas zhvendosjes së iranianëve në Manzë, 450 prej tyre kanë preferuar të largohen nga kampi. Prej tyre, 100 kanë ikur në mënyrë legale ndërsa 300 të tjerë janë larguar ilegalisht jashtë Shqipërisë, 50 janë të akomoduar në vendodhje të ndryshme në Shqipëri.

Policia e Shqipërisë: Gjashtë drejtues të MEK-ut nën hetime

Më herët gjatë 21 qershorit, Policia e Shqipërisë bëri të ditur se gjashtë drejtues të MEK-ut në Shqipëri, janë nën hetim në gjendje të lirë nga policia e Durrësit.

Policia e Shqipërisë bëri të ditur se rasti me gjashtë iranianët (të moshave nga 61-73 vjeç) është proceduar dhe ata dyshohen për veprat penale “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.

"Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale konform ligjit, shërbimet e Policisë janë ndeshur me kundërshtimin e dhunshëm dhe të vazhdueshëm të shtetasve që strehohen në rezidencë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Aty shtohet se shtetasit iranianë “tentuan të pengonin shërbimet e Policisë për të vazhduar kontrollet dhe për të sekuestruar provat materiale - objekt i vendimit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

Policia sqaroi, gjithashtu, se po vazhdojnë hetimet e detajuara për të dokumentuar me prova ligjore veprimet e kundërligjshme të kryera nga shtetasit rezidentë në kampin e Manzës, gjatë zhvillimit të operacionit të kryer nga Policia e Shtetit për kontrollin në ambientet e brendshme të kampit.

Në kampin e Manzës së Durrësit, Policia e Shqipërisë më 20 qershor kreu një aksion, gjatë të cilit mbetën të lënduar 15 zyrtarë policorë dhe 21 anëtarë të MEK-ut. Policia tha se kontrolli u krye sipas urdhrit të Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).

Më 2013, autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e ka përkrahur aksionin policor.

Situatë e qetë në kampin e Manzës

Të mërkurën situata në kampin iranian në Manzë ishte e qetë. Nuk ka pasur prani të policisë së shtetit dhe as protesta apo ndonjë reagim nga pjesëtarët e këtij komuniteti.

I gjithë perimetri jashtë kampit mbikëqyret nga një kompani private e sigurisë (Arb Security), e cila nuk lejon futjen e personave të paautorizuar nga drejtuesit e MEK-ut.

Në hyrje të kampit janë vendosur tabela paralajmëruese se ndalohen fotografimet dhe filmimet brenda ambienteve. Nga ky urdhër pati përjashtim vetëm ditën e martë pas aksionit të Policisë së Shtetit, kur përfaqësues të MEK-ut ftuan të gjithë gazetarët të hynin në ambientet e brendshme dhe të filmonin gjithçka për të provuar, sipas tyre, pretendimet se ka pasur dhunë gjatë operacionit. Ata thanë për mediat se ka pasur edhe një viktimë.

Gjatë ditës së mërkurë, derisa media të ndryshme raportonin para kampit, punonjësit e sigurisë kërkuan të dhëna për çdo punonjës të mediave.

Çfarë u sekuestrua?

Një ditë më parë, më 20 qershor, rreth një mijë forca të Policisë së Shqipërisë ndërhynë në kampin e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit për të kryer një kontroll në 127 objektet që shtrihen në një sipërfaqe prej 40 hektarësh.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, bënë të ditur se rezistenca e pjesëtarëve të kampit të Manzës nisi kur u konstatuan 17 ambiente ku ishin instaluar serverë dhe pajisje kompjuterike.

Si pasojë e rezistencës dhe protestave, mbetën të plagosur 36 persona, në mesin e të cilëve 15 efektivë policie dhe 21 anëtarë të MEK-ut. Policia hodhi poshtë pretendimet e organizatës MEK se një prej pjesëtarëve të tij, banor i kampit, humbi jetën si pasojë e dhunës nga ana e policisë.

"Asnjë person nuk është lënduar nga policia dhe as prekur me dorë prej efektivëve të policisë. Përkundrazi, Policia mbeti viktimë e dhunës së tyre. Nga ana jonë është përdorur thjesht sprej individual, i cili nuk ka sjellë asnjë lloj pasoje jetësore për rezidentët", tha Rrumbullaku një ditë më parë në një konferencë për mediat pas aksionit në Manzë të Durrësit.

Gjatë kontrollit u sekuestruan 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, 2 tabletë, 3 karta memorie dhe materiale shkencore të shumta, të cilat anëtarët e MEK-ut tentuan t’i asgjësojnë me djegie.

Policia publikoi edhe video të realizuara me dron të momentit kur disa anëtarë të MEK po tentonin të digjnin materiale të ndryshme, ndërsa të tjera pamje treguan iranianët që u dolën para makinave të policisë duke tentuar t'i pengojnë ato për të hyrë brenda kampit.

Më 2013, autoritetet shqiptare ishin dakorduar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).

Por, zëdhënësi i DASH-it ka theksuar se SHBA-ja nuk ofron mbështetje apo trajnime për MEK-un dhe nuk kontribuon në financimin e kësaj organizate.

Irani i konsideron si terroristë pjesëtarët e kësaj organizate.

XS
SM
MD
LG