Ndërlidhjet

Gjendet trupi i pestë i pajetë nën rrënojat e ndërtesës në Florida


Pamje nga ndërtesa e shembur në Florida.
Pamje nga ndërtesa e shembur në Florida.

Autoritetet amerikane, kanë raportuar se ka arritur në pesë, numri i viktimave, pas rrëzimit të një ndërtese banimi në Florida.

Kryetarja e qarkut Majami- Dade, Daniella Levine Cava, ka thënë se numri i personave të pagjetur ka rënë në 156, pas gjetjes së tre trupave tjerë.

“Prioritet yni mbetet kërkimi, shpëtimi dhe ruajtja e secilës jetë”, u ka thënë ajo gazetarëve.

Një pjesë e ndërtesës është shembur në mëngjesin e hershëm të së enjtes, teksa shumica e banorëve kanë qenë në gjumë.

Shkaku i rrëzimit ende mbetet i paqartë.

Mirëpo një raport i inxhinierëve, i vitit 2018, që është bërë publik të shtunën, ka vënë në pah “gabimin e madh” në dizajnin origjinal të ndërtesës në bregdet.

Aty është thënë se gabimet kanë parandaluar tharjen e ujit nga themelet e ndërtesës.

Presidenti amerikan Joe Biden, ka thënë përmes një postimi në Twitter se ka ofruar “ndihmën e nevojshme” për Guvernatorin e Floridas Ron DeSantis.

“Zemra ime është me pjesëtarët e komunitetit në Sursfide që mërziten për më të dashurit e tyre dhe presin në ankth vazhdimin e përpjekjeve për kërkim-shpëtim”, ka thënë ai.

Ekipet janë duke përdorur makineri, dronë dhe qen të trajnuar, teksa tentojnë të gjejnë të mbijetuarit.

Përpjekjet për shpëtim janë penguar të shtunën, pas një zjarri që ka nisur nën rrënoja.

XS
SM
MD
LG