Ndërlidhjet

Gjermania prezanton politikën e jashtme feministe



Statuja “Nëna e feminizmit” në Londër të Britani. Fotografi ilustruese.
Statuja “Nëna e feminizmit” në Londër të Britani. Fotografi ilustruese.

Ministret e Jashtme dhe të Zhvillimit të Gjermanisë prezantuan më 1 mars udhëzime të reja për politikën e jashtme feministe që supozohet të sigurojnë që të gjithë njerëzit “të kenë të drejta të barabarta në përfaqësim dhe qasje në burime”.

Politika e Qeverisë përqendrohet në marrjen në konsideratë dhe në mbështetjen e nevojave të grave dhe vajzave në vendimet e çështjeve të jashtme, me synimin që të zhduket diskriminimi dhe të promovohen shoqëri më stabile, thanë ministret gjermane.

“Ne nuk po bëjmë thirrje për revolucion, por ne po bëjmë diçka që është e dukshme”, tha për gazetarët në Berlin ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

“Politika e jashtme feministe është në të gjitha fushat e veprimit të politikës sonë të jashtme, nga ndihma humanitare deri te masat e stabilizimit, misionet e paqes dhe po ashtu në kulturën e jashtme dhe politikën e edukimit”, shtoi Baerbock.

“Ne duam t’i bëjmë shoqëritë më të drejta. Kjo nuk mund të bëhet pa gjysmën e potencialisht, kryesisht gratë, ato duhet të merren parasysh”, tha ministrja gjermane për Zhvillim, Svenja Schulze.

Udhëzimet për politikën e zhvillimit feministe përcaktojnë që në të ardhmen mbi 90 për qind e fondeve për projekte duhet të dërgohen në projektet botërore që avancojnë barazinë gjinore. Më 2021, kjo shifër ishte rreth 64 për qind, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, Dpa.

Baerbock theksoi se udhëzimet e reja të Qeverisë për politikën e jashtme po ashtu përfshijnë arritjen e barazisë gjinore brenda shtetit, veçmas në zyrën e jashtme gjermane, ku aktualisht vetëm 26 për qind e ambasadorëve janë gra.

“Ne e shohim se mund të mësojmë shumë nga shtetet e tjera”, tha kryediplomatja gjermane, duke shtuar se rreth 30 shtete “nga Kili në Spanjë, e në Mongoli” janë zotuar se do të zbatojnë politikë të jashtme feministe.

Schulze tha se shoqëritë që janë më të barabarta përballen me më pak varfëri dhe uri dhe në përgjithësi janë më stabile.

Organizata joqeveritare gjermane, Welthungerhilfe, që mbështet projekte në mbarë Afrikën, Amerikën Latine dhe Azi, mirëpriti nisëm e Ministrisë së Zhvillimit, por ishte kritike pasi tha se nuk ishte e qartë se si udhëzimet feministe do të zbatohen konkretisht dhe si do të financohen.

XS
SM
MD
LG