Dy burra të arrestuar në qershor pranë kufirit të Serbisë me Hungarinë do të qëndrojnë në paraburgim të paktën deri më 9 dhjetor, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Gjykata e Lartë në Suboticë.
Sipas mediave gjermane, hetuesit në Gjermani janë duke analizuar, po ashtu, nëse ata mund të kenë lidhje me persona të përfshirë në hetimin për tentativën për sulm në Aeroportin Lajpcih/Halle.
Danillo B. dhe Sllobodan Gj. u arrestuan më 11 qershor pranë Suboticës, teksa udhëtonin drejt kufirit me Hungarinë.
Mediat gjermane i përshkruan si agjentë rusë “njëpërdorimësh”, të dyshuar se po planifikonin një akt sabotimi në Gjermani.
Gazeta gjermane “Bild” raportoi në korrik se dy burrat dyshohet se planifikonin të vendosnin eksploziv në Gjermani.
Si objektiv i mundshëm përmendej një kompani e përfshirë në prodhimin ose furnizimin me pajisje ushtarake për Ukrainën.
Më pak se dy muaj pas arrestimit të tyre, më 4 gusht, ndodhi një tentativë për sulm në Aeroportin Lajpcih/Halle. Atje, pranë avionëve ukrainas të transportit, u gjet një dron me një mjet shpërthyes.
Në fillim të shtatorit, “Der Spiegel”, duke u thirrur në burime të përfshira në hetime, raportoi se hetuesit gjermanë janë duke verifikuar nëse dy burrat e arrestuar në Serbi, kishin kontakte me një person që po hetohej në lidhje me tentativën për sulm në Lajpcih.
Autoritetet gjermane nuk e konfirmuan publikisht këtë lidhje.
Prokuroria Federale dhe Policia gjermane nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për fazën në të cilën ndodhet hetimi dhe nëse është duke u shqyrtuar lidhja e mundshme me dy personat e arrestuar në Serbi.
Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) i tha Radios Evropa e Lirë se “nuk komenton publikisht çështje që kanë të bëjnë me informacione ose aktivitete të mundshme të inteligjencës”.
Përgjigje të njëjtë dha edhe Shërbimi Federal i Inteligjencës i Gjermanisë (BND).
Dy muaj para arrestimit të dy burrave, më 5 prill, në Kanjizhë, në veriun e skajshëm të Serbisë, u gjet eksploziv pranë gazsjellësit që lidh Serbinë me Hungarinë.
Atëkohë, shërbimet e sigurisë dhe zyrtarët shtetërorë e lidhën rastin me një sabotim të mundshëm të infrastrukturës së gazit dhe pretenduan se në të mund të ishte përfshirë një person nga një grup migrantësh.
Për rastin u zhvilluan bisedime edhe me autoritetet hungareze.
Pesë muaj më vonë, Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë njoftoi se po heton shtatë persona.
Ata dyshohet se siguronin dhe magazinonin në Serbi eksplozivë, mjete shpërthyese dhe dronë, të cilët më pas i dërgonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Prokuroria nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se në cilën fazë ndodhet hetimi dhe nëse janë të sakta raportimet e mediave gjermane se po hetohen lidhje të mundshme mes dy personave të arrestuar në Serbi dhe të dyshuarve për tentativën për sulm në Gjermani.
Hetimet në Gjermani dhe raportimet e mediave
Pasi më 4 gusht në Aeroportin e Lajpcihut u gjet një dron me një mjet shpërthyes, Qeveria gjermane tha se e konsideron Rusinë përgjegjëse për tentativën për sulm.
Moska i mohoi akuzat.
Hetimin po e zhvillon Prokuroria Federale e Gjermanisë, e cila deri më tani nuk ka bërë publike hollësi dhe nuk ka konfirmuar se hetimi përfshin verifikime edhe në Serbi.
Në fillim të shtatorit, “Der Spiegel”, duke u thirrur në burime të sigurisë, raportoi se hetuesit po verifikojnë kontakte të mundshme mes Danillo B. dhe Sllobodan Gj., të cilët ndodhen në paraburgim në Serbi, dhe një personi që shfaqet edhe në hetimin për tentativën për sulm në Aeroportin e Lajpcihut.
Mediat gjermane raportuan për të dyshuarin Oleg L., duke thënë se hetuesit janë duke shqyrtuar edhe lidhjet e tij të mundshme me shërbimin rus të inteligjencës ushtarake, GRU.
Sipas këtyre raportimeve, pas qëndrimit në Gjermani, Oleg L. udhëtoi drejt Serbisë dhe më pas drejt Rusisë.
Për përfshirje në këtë rast dyshohet edhe një shtetas bjellorus, Andrej K.
Për rastin foli së voni edhe senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, e cila, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se Serbia kishte shërbyer si “stacion i ndërmjetëm” për rusët, gjatë tentativës për sulm në Lajpcih.
Sipas mediave gjermane, hetuesit arritën te të dyshuarit, ndër të tjera, përmes pjesëve të sekuestruara të dronëve, si dhe pajisjeve për eksploziv dhe ndezje. Elemente të tilla janë hasur edhe në operacione të tjera hibride që i janë atribuuar Rusisë.
Gazeta “Welt am Sonntag” raportoi se gjurmët e ADN-së të gjetura në konstruksionin e antenës së njërit prej dronëve, dhanë indicie të rëndësishme që i çuan hetuesit te të dyshuarit.
Gazeta “Bild” raportoi qysh në gusht për ekzistencën e këtyre gjurmëve të ADN-së.
Ato përputhen me një gjurmë të identifikuar më herët në lidhje me zjarrvënien në qendrën logjistike të kompanisë DHL në Lajpcih, më 20 korrik 2024.
Ndaj personave që lidhen me këtë sabotim, janë duke u zhvilluar procese gjyqësore në Poloni dhe në Lituani.
Një prej të akuzuarve është shtetasi rus, Aleksandar Bezrukavji, i cili u ekstradua nga Bosnje dhe Hercegovina.
Kamioni nga Serbia në Gjermani?
Gazeta “Bild” raportoi në fund të shtatorit se shërbimet gjermane po kërkojnë armë që dyshohet se mund të jenë futur në Gjermani përmes Serbisë.
Gazeta thotë se ka pasur qasje në dokumente konfidenciale, sipas të cilave, një ditë pas arrestimit të dy burrave pranë Suboticës, një shërbim i inteligjencës i paralajmëroi autoritetet serbe për një kamion nga Serbia, i cili dyshohej se kishte hapësira të fshehta, të krijuara posaçërisht për kontrabandimin e armëve.
Sipas gazetës “Bild”, kamioni u ndalua më 27 qershor në një autostradë në Bavari, por hapësirat e fshehta u gjetën bosh.
Shërbimet gjermane po verifikojnë nëse ngarkesa ishte shkarkuar më herët dhe ku mund të ndodhet tani.
Sipas informacioneve të gazetës, armët mund të kenë qenë të destinuara për një sulm ndaj një kompanie të industrisë ushtarake në Bavari, e cila luan rol të rëndësishëm në mbështetjen e Ukrainës.
Depo armësh pranë Berlinit
Si përgjigje ndaj incidentit në Lajpcih, Qeveria gjermane, ndër të tjera, mbylli Konsullatën e Përgjithshme të Rusisë në Bon.
Moska u kundërpërgjigj duke mbyllur disa degë të Institutit Goethe në Rusi, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, e cilësoi vendimin e Gjermanisë si një “gabim serioz”, që, sipas tij, ishte “në kundërshtim me interesat e popullit gjerman”.
Rasti në Bavari nuk është i vetmi që ka vënë në gatishmëri të lartë shërbimet gjermane të sigurisë.
Më shumë se një muaj më parë, media si NDR dhe “Suddeutsche Zeitung” raportuan për një depo të fshehtë armësh në periferi të Berlinit.
Në një pyll në kufirin mes Brandenburgut dhe Berlinit u zbulua një strehë nëntokësore e ndërtuar në mënyrë profesionale, brenda së cilës u gjetën armë.
Sipas informacioneve të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, bëhej fjalë për një depo të shërbimeve ruse të inteligjencës.
Pistoletat dyshohet se ishin destinuar për agjentë që do të kryenin atentate në territorin gjerman.
Në lidhje me këtë rast, një i dyshuar u arrestua në Rumani në vjeshtën e vitit 2025, ndërsa Prokuroria Federale gjermane po zhvillon hetime për përgatitjen e një akti të rëndë dhune që rrezikon shtetin.