Ndërlidhjet

Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, vendimi më 21 prill

Naim Murseli gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Naim Murseli gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që më 21 prill, në orën 13:30 të shpallë aktgjykimin ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, pasi palët paraqitën sot fjalët përfundimtare.

Në seancën e 17 prillit, Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkoi burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë këtë rast.

Prokurorja Javorka Perlinqeviq gjatë fjalës së saj, tha se Murseli, bashkëshorti i Ademajt, ka vepruar për përfitim financiar dhe moral, duke e simuluar një grabitje në të cilën viktima është trajtuar si “dëm kolateral”, teksa sipas aktakuzës, ai ka marrë pjesë në organizimin dhe planifikimin e vrasjes.

Liridona Ademj u vra në nëntor të vitit 2023. Murseli akuzohet për planifikimin e vrasjes. Granit Plava akuzohet se e ka kryer vrasjen, ndërkaq Kushtrim Kokalla akuzohet se e ka njoftuar dorasin e dyshuar me Murselin.

Perlinqeviq i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të shpallë fajtorë të akuzuarit dhe të dënohen me burgim të përjetshëm, duke argumentuar se veprimi, mënyra e kryerjes, sjellja pas ngjarjes dhe tentativat për manipulim publik rëndojnë pozitën e tyre, ndërsa sipas saj nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese, raporton Betimi për Drejtësi.

Prokurorja theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë paraqitur tri versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit, të cilat, sipas saj, paraqesin përpjekje për shmangie të përgjegjësisë penale dhe bartje të fajit te të tjerët, duke e quajtur këtë “tre skenarë të ndryshëm të një ngjarjeje”.

Ajo shtoi se, sipas provave të administruara, i akuzuari Naim Murseli ka kaluar pasditen e ditës kritike me të akuzuarin Granit Plava, me të cilin dyshohet se ka blerë armën e përdorur në kryerjen e veprës, si dhe ka përdorur veturë të huazuar në atë periudhë. Sipas saj, këto rrethana nuk përputhen me deklarimet e mbrojtjes dhe analizat e video-incizimeve tregojnë lëvizje të koordinuara të automjeteve.

Prokurorja Perlinqeviq tha se gjatë gjykimit janë paraqitur prova materiale, janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët që kishin njohuri për rrethanat e rastit, por janë paraqitur edhe prova nga mbrojtja.

Ajo e cilësoi si “makabër” vrasjen e Ademajt para dy fëmijëve të saj, që atëbotë ishin katër dhe gjashtë vjeç.

Sipas saj, djali i madh, në prani të psikologut, ka deklaruar: “hajni e futi dorën dhe ia bëri mamit bam”. Gjithashtu, ajo përmendi dëshminë e vëllait të viktimës, sipas së cilës fëmijët e kanë sqaruar qartë ngjarjen dhe nuk dëshirojnë të komunikojnë me babanë e tyre, të akuzuarin Murseli, duke refuzuar edhe thirrjet telefonike të mundësuara përmes Qendrës për Punë Sociale në Suedi.

Prokurorja e rastit përmendi po ashtu se qershorin e vitit 2022, familja Murseli në Suedi kishte paguar një policë sigurimi në emër të viktimës Liridona Ademaj, dhe se sipas saj, pas kësaj, i akuzuari Naim Murseli i kishte kërkuar të akuzuarit Kushtrim Kokalla të gjejë mënyrën për vrasjen e saj.

Si ndodhi vrasja?

Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Aktakuza e ngarkon Murselin se e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në shumë prej rreth 260 mijë eurosh.

Sipas Prokurorisë, Murseli e ka planifikuar vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke u premtuar atyre një shpërblim prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin.

Vrasja e Liridona Ademajt shkaktoi zemërim publik, veçanërisht pasi bashkëshorti i saj mori pjesë në varrim.

Familja kërkoi zhvarrosjen e trupit të saj për ta varrosur në varrezat e familjes Ademaj.

Që nga viti 2010, në Kosovë u vranë rreth 60 gra - shumica nga bashkëshortët e tyre.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kritikojnë sistemin e drejtësisë për dënime të lehta të autorëve - gjë që, sipas tyre, i trimëron dorasit.

XS
SM
MD
LG