Ndërlidhjet

Gjyqësori jep shenjat e para të rimëkëmbjes


Ilustrim

Rreth 400 gjyqtarë dhe 197 prokurorë, aktualisht, janë të angazhuar në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Megjithatë, një numër i madh i lëndëve vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura nëpër gjykata.

Organizatat joqeveritare në Kosovë, që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë, theksojnë se qytetarët edhe më tej ballafaqohen me problemin e zvarritjes së procedurave për shqyrtim të lëndëve, si dhe me drejtësi joefikase.

Ndërkohë që Komisioni Evropian, përmes raporteve të progresit e ka përsëritur çdo vit se pret që Kosova të shënojë përparime të dukshme në kuadër sistemit të drejtësisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në përgjithësi.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë, se me qëllim të rritjes së efikasitetit të punës në sistemin e drejtësisë në proces të amandametimit janë katër ligje, të cilat, sipas tij, do të ndihmojnë pozitivisht në këtë aspekt.

Ministri theksoi se Qeveria e ka përkrahur sistemin e drejtësisë edhe në aspektin e kërkesave buxhetore.

"Kjo është bërë me qëllim që të avancohet edhe më tutje efikasiteti i gjykatave e prokurorive në Kosovë. Ne jemi në proces dhe Qeveria i ka dhënë mbështetje pushtetit gjyqësor dhe prokurorial. Për vitin 2018, kemi plotësuar nevojat buxhetore aq sa kanë kërkuar. Në këtë vit do të shtohen rreth 300 pozita të reja për bashkëpunëtorë profesionalë”.

“Ndryshe, mund të themi se ende është herë të flasim për rezultatet, sepse ata gjyqtarë që janë duke u rekrutuar, nuk e kanë nisur ende punën", bëri të ditur ministri i Drejtësisë.

Ndërkaq, drejtuesit e Këshillit Prokuroria të Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë, se me rritjen e numrit të prokurorëve, është rritur edhe efikasiteti në punë.

Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial, tha se rritja e numrit të prokurorëve nga 130 në 197, ka bërë që të ulet dukshëm numri i lëndëve që prokuroritë kanë pasur në punë.

"Me përgjegjësi mund t'ju them se procesi është duke shkuar mirë. Numri i lëndëve është duke u zvogëluar. Kjo do të krijojë mundësi shumë më të madhe për të pasur një performancë më të mirë të prokurorëve”.

“Ata, në një të ardhme shumë të shkurtër, do të presin lëndë dhe mundësia për të pasur performancë më të madhe dhe për ta studiuar një lëndë dhe për të ngritur një akuzë më cilësore, është shumë më e madhe tash", tha Isufaj.

Edhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, thonë se me rritjen e numrit të gjyqtarëve është rritur edhe shqyrtimi i lëndëve që kanë qenë në pritje.

Aishe Qorraj- Berisha zëdhënëse e Këshillit, tha për Radion Evropa e Lirë se në të gjitha gjykatat është duke u punuar më mirë me rritjen e numrit të gjyqtarëve, por siç tha ajo, Këshilli pret rezultate edhe më të mëdha.

"Ne nuk jemi asnjëherë të kënaqur me të arriturat tona, sepse synojmë edhe pretendojmë ta rrisim edhe më tepër efikasitetin në punë në tërë sistemin e drejtësisë në Kosovë. Gjyqtarët, aq sa kanë pasur mundësi kanë punuar, por megjithatë, gjithmonë ka pasur ngecje, për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve. Meqenëse jemi në rekrutim dhe në rritje e sipër, në presim një efikasitet akoma më të lartë", tha Qorraj - Berisha.

Pavarësisht që një numër i caktuar e i gjyqtarëve është pranuar në muajt e fundit në sistemin e drejtësisë, ata, sipas Ligjit për gjykatat, nuk mund ta ushtojnë funksionin e gjyqtarit pa i përfunduar trajnimet në Akademinë e Drejtësisë në një periudhë kohore prej një viti.

Përfaqësues nga organizatat që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë thanë se tani mund të vërehet një ngritje e lehtë e efikasiteti të punës në gjykata, por, siç u shprehën, ende nuk është në nivelin e duhur.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se qytetarët që kanë punë me gjykata e prokurori, ende kanë probleme me vonesat e shqyrtimit të lëndëve.

"Pa një vlerësim të performancës, pa një sistem të kontrollit, pa një disiplinim të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk i kryejnë obligimet e tyre në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit, nuk mund të thuhet se do të ketë sukses edhe nëse kemi rritje të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

“Në këtë drejtim, nëse nuk funksionojnë mekanizmat e kontrollit, atëherë do të jemi në gjendjen në të cilën jemi, që qytetarët e Kosovës të presin me vite e vite për të trajtuar një lëndë të tyre në Gjykatat e Kosovës", vlerësoi Miftaraj.

Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar Projekt-Kodin e ri Penal të Kosovës. Kodi i ri Penal thuhet se do të ketë një qasje të re në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe dukurive tjera negative.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se me ndryshimin e Kodit Penal janë paraparë dënime të ashpra për keqpërdoruesit e parasë publike. Sipas zyrtarëve në sistemin e drejtësisë, ndryshimet në Kodin Penal i japin një përgjigje të fuqishme kërkesave për parandalimin e veprave korruptive në nivelin e në çështje e të tjera.

"Janë identifikuar deri tash ato që deri tani kanë qenë si pengesa qoftë në aspektin procedural, apo atë material. Unë shpresoj se këto ndryshimet e reja do ta bëjnë një Kod shumë më praktik për ne, për një funksionim më të mirëfilltë, më të drejtë, më real dhe një sukses më të madh në punën tonë ", tha Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial.

Dënimet për vepra penale që ndërlidhen me korrupsion me Kodin e ri Penal, i cili pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2019, janë rritur dhe janë propozuar amendamente të reja që ua ndalojnë personave të dënuar për korrupsion të ushtrojnë pozita dhe funksione në administratën publike, në kohëzgjatje deri në 10 vjet nga shpallja e aktgjykimit dënues.

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportet e publikuara, disa herë ka kritikuar institucionet e Kosovës duke thënë se Qeveria nuk ka zbatuar me efikasitet ligjet që mundësojnë përndjekjen e zyrtarëve të përfshirë në korrupsion dhe kjo dukuri mbetet problem serioz.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG