Ndërlidhjet

Goldberg: SHBA-ja s'e përjashton asnjë përgjigje ndaj Iranit


Protesta pranë konsulatës të Shteteve të Bashkuara në Milano, në mbështetje të protestave masive në Iran
Protesta pranë konsulatës të Shteteve të Bashkuara në Milano, në mbështetje të protestave masive në Iran

Derisa shtypja brutale e Iranit ndaj protestave masive po thellohet dhe lajmi për mijëra protestues të vrarë është shpërndarë nëpër botë, komuniteti global pret të shohë se si do të përgjigjen Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar disa ultimatume përmes rrjeteve sociale ndaj udhëheqësve të republikës islamike për të respektuar jetën dhe kërkesat e protestuesve, dhe më 13 janar ai shkroi : “Ndihma po vjen.”

Gjatë presidencës së Trumpit, midis viteve 2019 dhe 2020, kur fushata e presionit të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit ishte në kulmin e saj, Richard Goldberg ishte drejtor i Zyrës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë kundër Armëve të Shkatërrimit në Masë të Iranit.

Hannah Kaviani nga shërbimi në gjuhën persiane i Radios Evropa e Lirë foli me Richard Goldbergun, tani këshilltar i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë, më 13 janar, për atë se cili mund të jetë hapi i radhës i Trumpit kundër Iranit.

Richard Goldberg, Këshilltar i Lartë për Fondin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD).
Richard Goldberg, këshilltar i lartë për Fondin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD).

Radio Evropa e Lirë: Presidenti amerikan Trump po flet për ndihmën që po vjen. Dhe tani ekziston pyetja se çfarë është kjo ndihmë dhe çfarë mund të përfshijë?

Richard Goldberg: Presidenti është shumë serioz në zbatimin e vijave të tij të kuqe. Ai ishte shumë i qartë se kjo lloj vrasjeje masive që po shohim nëpër rrugë nuk do të tolerohej, se ai do të ndërmerrte një veprim të fortë kundër regjimit si përgjigje. Ai po sheh qartë atë që po shohim të gjithë ne, dhe kjo është se regjimi është vërtet në teh. Ky është një moment potencial historik. Ky nuk është viti 2009. Nuk është 2019, dhe nuk është 2022. Kjo është diçka që regjimi qartazi i frikësohet plotësisht. Ata e shohin se kjo nuk po ndalet. Njerëzit ende po dalin në rrugë pavarësisht vrasjeve masive nga regjimi. Kjo është organike. Njerëzit kanë duruar mjaft. Është e përhapur në të gjithë vendin.

Kombinojeni [këtë me] situatën ekonomike, mungesën e çdo kërcënimi të vazhdueshëm të jashtëm për botën nga një program bërthamor, dhe, siç do të thoshim në anglisht: Shenjat janë të qarta për Ajatollahun [udhëheqësin suprem Ali Khamenei] në këtë pikë.

Presidenti duhet të jetë shumë i kujdesshëm në mënyrën se si i përdor opsionet e tij. Ai dëshiron t’i fuqizojë njerëzit në terren, ai dëshiron të bëjë çaktivizim maksimal ndaj aparatit të regjimit për t’i fuqizuar njerëzit dhe për t’u krijuar mundësi atyre, dhe ai dëshiron të sigurohet që të shmangë dëmtimin e çdo civili gjatë procesit.

Radio Evropa e Lirë: Pra, cilat janë ato opsione?

Goldberg: Do të thosha se [Trumpi] tashmë ka filluar. Po shikoni një vendim që tashmë është marrë duke u shpalosur. Filloi dje në sferën ekonomike dhe diplomatike me njoftimin e tarifave. Është gati të lëvizë në drejtime të reja menjëherë me deklaratën e tij publike duke i nxitur njerëzit të dalin në rrugë, të marrin institucionet, dhe se ndihma po vjen.

Trump shqyrton opsionet për Iranin, ndërsa protestat vdekjeprurëse vazhdojnë Trump shqyrton opsionet për Iranin, ndërsa protestat vdekjeprurëse vazhdojnë
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:44 0:00

Nuk besoj, duke e njohur presidentin, se ai do t’i bënte ato deklarata dhe do t’i vinte njerëzit në rrezik pa një plan të guximshëm. Dhe, do të imagjinoja se do të jetë një përzierje e veprimeve kibernetike dhe ushtarake. Mund të ketë aktivitete të fshehta që ne nuk i kuptojmë ose nuk i dimë. Dhe, përsëri, ideja do të jetë të prishë dhe të dobësojë regjimin.

Radio Evropa e Lirë: A mund të përfshijnë këto veprime të fshehta, për shembull, shënjestrimin e udhëheqësit suprem?

Goldberg: Asgjë nuk përjashtohet.

Radio Evropa e Lirë: Ajo që dimë nga Trumpi është se ai nuk është në favor të luftërave të gjata. Çfarë mendoni se është opsioni këtu për të?

Goldberg: Ne kemi shumë opsione. Fuqia jonë ajrore është superiore. Nuk ka mbrojtje ajrore në Iran, edhe sot, që mund të bëjë ndonjë gjë ndaj Forcave Ajrore të SHBA-së ose forcave ajrore detare: Ne kemi armë tokë-tokë, armë sulmuese; kemi bombardues me rreze të gjatë, siç e pa edhe vetë Ajatollahu qershorin e kaluar, që janë të padukshëm. Dhe, ai nuk do ta dijë se gjërat kanë mbaruar derisa të shpërthejnë. Ai nuk do ta dijë se dikush po vjen derisa të shpërthejë bomba.

Radio Evropa e Lirë: Disa analistë po paralajmërojnë kundër një lëvizjeje të tillë sepse thonë se nëse nuk do të shkatërrojë plotësisht aftësinë e Iranit për hakmarrje, atëherë asetet amerikane në rajon do të jenë shënjestër për hakmarrje.

Goldberg: Nëse udhëheqësi suprem e ka mbijetuar rundin e parë, ai nuk do ta mbijetojë hakmarrjen pas kësaj, nëse është kështu. Ai mund të ketë marrë tashmë një vendim të fundoset bashkë me anijen dhe kjo është arsyeja pse po e shkel vijën e kuqe të presidentit Trump. Por presidenti, mendoj unë, e kupton këtë dhe e sheh momentin dhe mundësinë dhe po shtyn përpara.

[Trumpi] do të jetë, jam i sigurt, po aq i kujdesshëm dhe i matur për të shmangur lëndimin e civilëve, të shkaktojë dëme maksimale mbi regjimin, të mbështesë plotësisht njerëzit në përpjekje për të marrë nën kontroll zonat kyçe të regjimit, zonat kritike të komandës dhe kontrollit, kontrollin e informacionit, ndërtesat qeveritare, dhe të ngjashme. Ka një gamë opsionesh që ai ka përpara se si ta bëjë këtë sa më efektivisht.

Në fund, kjo është diçka që njerëzit e kanë ditur gjithmonë se do të duhet ta bëjnë vetë, me mbështetjen tonë, me të tjerët. Por në fund, kjo është diçka për të cilën iranianët po dalin në rrugë, për të rimarrë vendin e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Cili do të ishte skenari i preferuar i Shtëpisë së Bardhë për ditën pas [çdo veprimi kundër Iranit]?

Goldberg: [Trumpi] ka thënë gjithmonë se kjo është diçka që populli iranian duhet ta vendosë vetë. Natyrisht, populli iranian dëshiron një të ardhme me një qeveri që përfaqëson interesat e tyre, që siguron se ekonomia e tyre lulëzon, që sanksionet nga bota të mos jenë aty, që ata të mos sponsorizojnë terrorizmin, të mos dërgojnë paratë e tyre në luftëra të huaja, që të mos abuzojnë me njerëzit çdo ditë, duke vrarë dhe ekzekutuar njerëz nëpër vend, që ata të mund të kthehen në një jetë të vërtetë, që gratë të mund të kenë zgjedhjet e tyre se si të vishen dhe të jenë të lira. Ky është Irani që mendoj se presidenti dëshiron të shohë.

Ai po përpiqet ta fuqizojë popullin iranian, që po bën diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë që nga viti 1979. Ata janë në rrugë, ata po vdesin, dhe ata po qëndrojnë në rrugë.

Radio Evropa e Lirë: Meqë kemi përvojën e Venezuelës vetëm pak javë më parë, disa po pyesin, Po sikur të ndodhë një skenar i ngjashëm? Ku ata që ishin pranë Maduros, që në thelb ishin njerëzit e Maduros, janë ende në pushtet në Karakas.

Goldberg: Duket e vështirë të imagjinohet se më radikalët, besimtarët më të vërtetë të republikës islamike do të bënin ndonjë lloj marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara. Republika islamike e Iranit nuk është në asnjë mënyrë e njëjtë si regjimi në Venezuelë. Nga ideologjia, nga perspektiva fetare, ata nuk janë njësoj.

E përbashkëta e tyre është se e urrejnë Amerikën, punojnë së bashku, dhe financojnë drogë dhe terrorizëm. Por regjimet janë shumë, shumë të ndryshme dhe me një histori, kulturë dhe fe të ndryshme, etj.

Do të ishte e vështirë të imagjinohej që anëtarët kyç të rrethit të brendshëm të Khameneit të vendosnin ta dorëzonin republikën islamike te Shtetet e Bashkuara dhe biznesi amerikan dhe të kalonin në një zgjedhje të lirë dhe të ndershme.

Por, ne gjithashtu nuk e dimë çfarë do të ndodhte nëse thjesht do ta rrëzonin udhëheqësin suprem dhe njerëzit do të ishin në gjendje të merrnin kontrollin e institucioneve qeveritare dhe njerëzit brenda do të ishin gati të dezertonin dhe të ktheheshin kundër regjimit ekzistues. Mund të ketë një tranzicion të vërtetë.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët njerëzit që marrin institucionet, dhe kjo është përmendur gjithashtu nga Trumpi. Si saktësisht do ta bëjnë njerëzit këtë nëse janë të paarmatosur [dhe po vdesin në rrugë]? Si do ta arrijnë iranianët e zakonshëm një gjë të tillë?

Goldberg: Si e kuptoj unë është se në disa nga qytetet më të vogla, kjo ka ndodhur deri diku. Është në qytetet e mëdha ku dhuna maksimale nga regjimi është shtyrë në rrugë nga frika se ajo që po shohin në qytetet më të vogla do të përsëritet në qytetet më të mëdha, përfshirë Teheranin.

Aty mendoj se po ka mijëra trupa (të vdekur) që po grumbulllohen vetëm nga zjarri i drejtpërdrejtë nga mitralozët në rrugë. Por nëse Shtetet e Bashkuara ndërhyjnë në mënyra që i fuqizojnë dhe u mundësojnë njerëzve të marrin nën kontroll objektet dhe të marrin institucionet, kjo do të ishte një mënyrë që presidenti i Shteteve të Bashkuara t’i ndihmonte ata në terren.

Kjo intervistë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG